GJENERAL PIRO AHMETAJ

Për shkak të detyrave dhe funksioneve të larta që kam ushtuar, si dhe në kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit & NATO-s, 26 vitet e fundit, kam ndjekur me vëmendje të shtuar dhe përgjegjësi shtesë situatën e Sigurisë në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, kam pasur privilegjin dhe sigurisht detyrën që vlerësimet dhe rekomandimet strategjike për stabilitetin dhe sfidat Euroatlantike të Kosovës, i kam prezantuar dhe mbrojtur në NATO dhe forumet më të larta të sigurisë, në konferenca, panele dhe mijëra faqe të publikuara në kryeqytetet e rajonit, përfshi Beograd; në Këshillin e Atlantikut dhe Institutin e Luftës në Uashington; me ekspertë/kolegë të sigurisë në Bruksel, Qendrën Marshall, Gjermani, Londër, Paris, Kolegjin e NATO-s Romë, etj., dhe pothuaj në 30 vendet e NATO-s.
Përtej modestisë së tepruar, por për shkak të së vërtetës, doja të përmendja që “e vetmja vërejtje” (që e kam për nder), në 36 vjet karrierë ushtarake, ka qenë gjatë ushtrimit të funksionit të Përfaqësuesit Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s, kur nga Autoritetet më të Larta të Aleancës më është “tërhequr vëmendja që të mbaja vendin”, pasi: “nuk përfaqësoja Kosovën, por vetëm RSH”! Në pamundësi për tu dhënë përgjigje të dedikuar secilës nga studiot televizive, gazetave dhe portaleve të interesuara, në vijim po paraqes një përmbledhje mbi respektivisht dy çështjet thelbësore që dominojnë debatin strategjik, politik, zyrtar dhe publik në Prishtinë, Tiranë, Rajon, Bruksel, Uashington, etj.:
Së pari, vlerësime strategjike mbi përshkallëzimin e situatës të sigurisë mbas arrestimit të 3 Policëve të FSK si dhe adresimi me papërgjegjshmëri delirante nga Prishtina Zyrtare. Pikësëpari, për sa vendimet e pamatura dhe aktivitetet e pakonsultuara të Prishtinës Zyrtare, nuk mundet të mos shpreh jo vetëm shqetësimin, por edhe revoltën strategjike për mungesën delirante të “sensit të mirënjohjes kombëtare” si dhe të “detyrimeve shtetërore” për tu konsultuar paraprakisht me “çlirimtarët/SHBA”, si dhe mbi “domosdoshmërinë jetike” që ka Kosova për forcimin e bashkëpunimit me ShBA-në.
E parë kështu, shpreh keqardhjen, për të mos thënë neverinë jo vetëm për: “riciklimin e kokëfortësisë marksiste, të bejteve populiste dhe të sovranitetit folklorik nga Qeveria e Prishtinës por edhe ndaj politikanëve të bunkerizuar; opinionistëve të gjithëditur në Prishtinë dhe Tiranë; përfshi këtu edhe ndaj 10-ra egocentrikëve të vetëvendosjes që protestuan ndaj të drejtës legjitime të Qeverisë së një shteti tjetër sovran (Tiranës Zyrtare) për ushtrimin e përgjegjësive si dhe për mbështetjen “e pakushtëzuar ndaj Kosovës”, për më tepër gjysmës tjetër të të njëjtit Komb?!
Duke nderuar pa asnjë mëdyshje të rënët dhe sakrificat në shekuj, mbas 24 vitesh besoj edhe fortë se në koshiencën Institucionale dhe mbarëkombëtare, është inventarizuar dhe do të mbetet përjetësisht e kthjellet si kristal, që: “çlirimi nga pushtimi Serb në 12 qershor 1999 nuk u arrit nga as nga luftërat dhe as nga qëndresa e popullit të Kosovës”. Për këtë mjafton të sjellim në memorien kombëtare, që SHBA/NATO/UK, u angazhuan për herë të parë në një luftë “jashtë artikullit 5”. Vetëm falë kësaj lufte, Millosheviçi u gjunjëzua, më 9 qershor 1999, nënshkroi në Kumanovë marrëveshjen e kapitullimit si dhe të tërheqjes se forcave pushtuese (ushtarake & policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244, por dhe të shenjtëruar në Flamurin Zyrtar të Kosovës, nga Shenjtëria e Tij, Ibrahim Rugova.
Po ashtu, për hatër të së vërtetës, duhet ta sjellim në vëmendje që në Kumanovë, UÇK-ja nuk ishte as palë nënshkruese, as vëzhguese, megjithëse aty u vendos shkrirja dhe shndërrimin e Saj në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) ndërsa siguria territoriale (sipas rezolutës 1244) e Kosovës, iu ngarkua KFOR-it, me 37 mijë forca këmbësorie nga 36 shtete. Në përmbledhje për këtë pikë. E thënë fare më qartë, as ligjëratat marksiste mbi sovranitetin dhe as bejtet patriotike për të drejtat sovrane nuk e errësojnë dot kurrsesi rolin përcaktues të “çlirimtarëve të vërtet” (SHBA/NATO/UK) për çlirimin e Kosovës nga pushtimi Serb dhe as peshën kritike që USA prej 24 vitesh vijojnë të mbajnë për stabilitetin dhe ardhmërinë Euroatlantike të Republikës së Kosovës.
E parë nga ky këndvështrim, data çlirimit të Kosovës nga pushtuesit Serb (12 qershor 1999), meriton të skalitet përjetësisht si data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA si dhe data e falënderimeve ndaj 36 vendeve si dhe mbi 500 mijë ushtarakëve/ misionarëve të NATO/KFOR-it për peshën kritike që kanë mbajtur për paqen dhe sigurinë, gjatë 24 viteve rresht. Së dyti, sa ndërthuret rasti i arrestimit brutal i tre policëve të FSK dhe Lufta në Ukrainë si dhe A/Pse shpërdorohet Beogradit Zyrtar me interesat gjeopolitike e Rusisë – Putiniste në Ballkanin Perëndimor?
Gjatë 25 viteve të fundit, kam pasur privilegjin dhe përgjegjësinë që “shqetësimet gjeostrategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe (vetë)shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini”, i kam ndarë në vetë të parë me formuluesin e “Planit të Paqes”, Ahtisaarin; me senatorin e ndritur John McCain; komandantët e NATO-s/gjeneralët USA me 4 yje (Klark, Jones, Cradook, Stavridis, Breedlove, Mattis, Petraus), si dhe autoritetet me të larta të Prishtinës dhe Tiranës Zyrtare, si dhe për këtë çështje kam publikuar dhjetëra vlerësime në Rajon, Uashington, Bruksel, dhe jo vetëm.
Po ashtu, përgjatë 10 vitet e fundit i kam adresuar publikisht (në Shqip, Anglisht, Serbisht), disa pyetje të thjeshta, z. Vuæiç dhe gjeneralëve të tij, po i citoj: “Përse shpenzon më shumë se 1 miliard € në vit dhe pse armatoset deri në dhëmbë Serbia, (kryesisht nga Rusia) me Tanke; me 18 ‘Mig-29’, helikopter luftimi ‘Mi-35’, raketa ‘Pantsir-S’ dhe raketa ‘FK-3’ (Kineze), etj. Përse 3/4 e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës? Nga kush vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë, për edhe më qartë integritetin e kujt vendi sovran, përveçse të Kosovës kërcënon Serbia?”. Jam i lumtur që pavarësisht se pyetjet e sipërcituara ende nuk kanë përgjigje nga z. Vuçiç, (fatkeqësisht jo vetëm nga Ai..), këto vlerësime dhe shqetësime janë “dëgjuar” deri në Zyrën e Senatorit të ndjerë, John McCain.
Për pasojë, u realizua një vizitë inspektimi dhe nga Beogradit iu kërkua zyrtarisht nga Senati të “ngrijë” programet e armatimit që kërcënojnë jo vetëm integritetin territorial të Kosovës, por edhe balancat e fuqisë ajrore si dhe interesat gjeopolitike të ShBA/NATO në rajon. Gjithsesi, më duhet ta përsëris fortë, përfshi për sovranistët folklorik të Prishtinës: “për sa kohë të ketë prezencë të SHBA/ NATO në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, që në të njëjtën kohë është nën përgjegjësinë e KFOR-it, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur”. Thënë këto, besoj nuk ka kurrkush asnjë mëdyshje, që historikisht, 24 vitet si edhe në 18 muajt e fundit të luftës në Ukrainë: “përqasja, qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar, janë/mbeten të ndërthurura dhe sinkronizuara me interesat gjeopolitike të Rusisë në Rajon”.
Por, fatmirësisht, bashkë me humbjen e luftës në Ukrainë, Rusia – Putiniste ka keqdështuar për të ndezur një front të ri, duke frymëzuar grupet kriminale, axhendën e politikanëve të korruptuar, ekstremistët e tipit Dodik, për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore apo (vetë) diskretituar Beogradin zyrtar duke kërcënuar “deri me agresion ushtarak nën inspektimin e Ambasadorit Rus në Serbi” jo vetëm sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës, por edhe prezencën e shtuar të NATO/KFOR-it. NË SHTESË, në kapacitetin e Ekspertit të SK, Rajonit dhe NATO-s, po paraqes respektivisht pesë rekomandime strategjike:
1. Prishtina dhe Beogradi zyrtar, jo vetëm në rastin konkret do duhet të tregohen të përmbajtur duke u lënë kohë investigimit të KFOR-it, i cili sipas Marrëveshjes së Kumanovës (06/1999), pra prej 24 vitesh vijon të mbetet strukturë përgjegjëse e kufijve të Kosovës. E thënë më qartë, ndërsa palët (Serbe dhe Kosovare) ende nuk i zgjidhin dot mosmarrëveshjet ndërkufitare, OKB/ NATO/BE mbeten në terren si arbitër/garant ndërkombëtar. Kaq e thjeshtë!
2. Beogradit zyrtar të mos avokatojë grupet kriminale dhe radikalët nacionalit në veri; të mos aplikojë qasjeve/sjelle të shteteve terroriste për aktivitetet ndërkufitare (të ngashme me sjelljen ndërkufitare të Kim Jong-ut ndaj fqinjëve jugore). Ndërsa Zoti Vuæiè, ish/Ministri Millosheviçit dhe i llastuari jo vetëm i Moskës mos ti hedh benzinë zjarrit me komente cinike (me gjahtarë dhe kërpudha) por të lirojë menjëherë 3 policët e prangosur në mënyrë brutale dhe t’i rikthehet dialogut “pa kushte” me Kosovën.
3. Prishtina Zyrtare për asnjë arsye, nuk do duhet të ndërmarrë (as ta mendojë), vendimmarrje dhe veprimtari me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “Çlirimtarët/USA”, që për 24 vjet dhe ende mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe të ardhmen Euroatlantike të Kosovës pa u konsultuar me aleatet strategjik (USA/NATO). Ndërsa faktorët mendjehapur të Prishtinës do t’i këshilloja vëllazërisht që: “marrëzinë e kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit territorial të Kosovës, si dhe ndaj prezencës së SHBA/NATO-s”, gjithashtu të mos e konsiderojnë vetëm si rrethanë të favorshme por një sfidë shtetërore për të zhvilluar Masat e Mirëbesimit Reciprok dhe Paqes mes dy vendeve sovrane, (përtej prezencës së NATO-s që sigurisht nuk do të jetë e përjetshme…) ku qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të garantohen si të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin të Kosovës moderne, nga konsumatore në kontribuuese për paqen, stabilitetin dhe integrimin në NATO dhe BE!
4. Në të njëjtën kohë, do këshilloja faktorët e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që përfshi dhe përtej këtij rasti: “reagimeve të papërshkallëzuar dhe kakofonisë për protagonizëm ballkanik”, e çmoj si emergjencë kombëtare, ngritjen e një “Grupi të urtëve/ mendjehapur”, që për interesa jetike kombëtare përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke përgatitur një Patformë afatgjatë (2050): “Dy Shtete sovrane një Komb i vetëm”. Nga ana tjetër duhen garantuar partnerët strategjikë (SHBA) se kjo “platformë e vonuar” jo vetëm nuk kërcënon por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit.
5. Aktorët dhe strategjistët/kolegët në Uashington dhe Bruksel, Londër, etj., do t’ju sugjeroja që perspektivën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ta para-kushtëzojnë me një Matric Masash të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi dhe Prishtina Zyrtare të “imponohen nga USA/NATO/ BE” se: do të ruajnë balancat e fuqisë ushtarake ((Mig/29, Raketa, Tanke, etj.) deri në nivelin që reciprokisht të mos kërcënojnë integritetin territorial dhe nuk do të vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (sipas standardeve të NATO-s 25 km ajrore dhe 5 tokësorë), në kufijtë shtetërore mes dy vendeve. Për më tepër, këto masa do duhet të monitorohen nga USA/NATO/BE, të cilat mbeten faktor kritik për paqen dhe integrimin Euroatlantik të Rajonit.
Gjithsesi, përkundër riciklimit të klimës/ rrënjëve të konfliktit, pas 24 vjetësh besoj edhe më fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektivën Euroatlantike edhe për 6 vendet e Ballkanit perëndimor.
* Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n; Zv/President i Këshillit të Atlantikut; Anëtar i Bordit “Istrael House”, si dhe ishkëshilltar i Presidentit të RSh dhe Zv/ShShPFA; Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO.
© Panorama.al











