“Duhet sheshuar krejt sistemi” – Protestat, sipërmarrësi: Tatimet dhe inspektorët me portofola na janë bërë rrodhe! E kam luftuar rryshfetin, edhe pse kam pasur pasoja

Jun 23, 2026 | 15:14

Sipërmarrësi Dritan Gremi, duke komentuar protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, theksoi se nuk duhet thjesht një rotacion por ndryshimi i krejt sistemit politik.

sipermarresiiNë një intervistë për News24, sipërmarrësi kritikoi Administratën Tatimore, duke thënë se inspektorët janë bërë si “rrodhe” duke kërcënuar dhe shantazhuar për rryshfete ndaj bizneseve.

Ai theksoi se ka bërë dhe do të bëjë “luftë” kundër rryshfeteve edhe pse ka pasur pasoja.

“Për ne biznesmenët, një nga pikat kyçe është rënia drastike e euros, që na ka shkatërruar. Pjesa tjetër rryshfeti. Administrata tatimore që të mbyt nga inspektorët. Janë luftëra që kemi bërë prej vitesh me ta. E kam luftuar, denigruar. Kam luftuar shumë më këtë gjënë.

Nuk e kam ulur kurrë kokën, kemi pasur edhe pasoja por është një luftë që e kam bërë me nder se vendit mund t’i shërbejmë më mirë duke mos i ulur kokën këtij të kalbur dhe duke luftuar për të drejtat tona.

Rryshfeti i këtyre inspektorëve që vijnë me portofola dhe janë bërë rrodhe gjithandej për mua është luftë që ua vlen të bëhet. E kam luftuar me artikuj dhe dalje të mia publike. Lufta ime ka qenë parimore. Do ta bëj këtë luftë se besoj në një sistem të drejtë me rregulla të drejta loje.

Shteti duhet të na shërbejë sepse jemi taksapaguesit më të mëdhenj të vendit. Jemi ne ata që i paguajmë këta njerëz të na shërbejnë dhe jo të na kërcënojnë dhe të na bëjnë shantazhe, duke krijuar sisteme të mirëfillta që mund t’i quaja edhe grupe të mirëfillta të organizuara. “, tha sipërmarrësi.

© Panorama.al

Te lidhura