Si të çlirohemi nga ekonomia kriminale

May 9, 2019 | 13:10
SHPËRNDAJE

FATOS LUBONJA lubonja

Diku kam dëgjuar se ideo grama kineze e fjalës “krizë” përbëhet nga dy shenja, që shenjëzojnë njëra “rrezikun” dhe tjetra “oportunitetin”. Nuk jam i sigurt nëse është kështu, por di të them se përvoja na tregon se vërtet krizat, qofshin këto personale apo familjare, qofshin në nivele kombëtare apo edhe globale, kanë qenë gjithmonë të mbarsura me rreziqe, por njëherësh edhe me mundësi zgjidhjesh. Përvoja tregon gjithashtu se, varësisht nga mençuria apo jo e njerëzve, krizat janë zhvilluar më shumë si rreziqe apo si oportunitete. Për ilustrim po kujtoj dy kriza të historisë sonë të vonë: atë të viteve ‘90- ’91, që prodhoi më shumë oportunitete duke shmangur mjaft rreziqe (por jo të gjitha) dhe atë të vitit ’97, ku rreziqet dominuan mbi oportunitetet.

Në këtë udhëkryq e shikoj edhe krizën e sotme. që në thelb vjen nga akumulimi i problemeve të sistemit të ngritur “nga krimi, me krimin, për krimin”. Ajo është e mbarsur me rrezikun që të na çojë në konflikte civile të forta, në politika shtypëse të dhunshme, në zbrazje të mëtejshme të vendit, por edhe me mundësinë e shkëputje të politikës nga krimi, të ndërtimit të një ekonomie të shëndoshë, të forcimit të institucioneve demokratike etj.

Në emër të drejtimit të krizës përdrejt oportuniteteve në shkrimin e fundit “Alarmi holandez dhe alarmi i munguar shqiptar”, kam hedhur idenë se duhet hapur një kantier idesh për ndërtimin e vizionit të një Shqipërie alternative ndaj Shqipërisë inkubator të krimit që kemi sot, me idenë se po qe se njerëzit do të bëhen pjesë e këtij procesi, herët ose vonë kjo do t’i çojë te thirrja “Shteti jemi ne!” (kundër shtetit të krimit).

* * *

Nëse do të rreshtoja temat e këtij kantieri, të parën që do të vija do të ishte ajo se: “Si të çlirohemi nga ekonomia kriminale”. Kjo, pasi gjykoj se shkaku kryesor i krizës lidhet fort me çështjen se çfarë ekonomie kemi ndërtuar që nga rënia e komunizmit e këtej dhe cili ka qenë roli i politikës në krijimin e inkubatorit të krimit. Këtë temë do ta ndaja në tri nëntema:

1. Si dhe pse u ndërtua inkubatori i krimit.

2. Dëmet që ka sjellë ekonomia kriminale.

3. Si mund të luftohet ekonomia kriminale.

4. Alternativa ndaj ekonomisë kriminale.

Sa për të nxitur ata që duan ta marrin në konsideratë këtë propozim, – dhe kam parasysh kryesisht opozitën e sotme apo edhe atë që mund të lindë nesër, e jo vetëm, – po hedh në këtë shkrim disa ide që do t’i shtroja për diskutim.

MBI SHKAQET

Së pari, tema si dhe pse u ndërtua inkubatori i krimit më duket e rëndësishme, pasi njohja e shkaqeve mund të na ndihmojë në gjetjen e mjeteve të luftimit. Personalisht këtë njohje do ta nisja me identifikimin e mëkatit fillestar: faktin (objektiv) se ekonomia shqiptare doli nga komunizmi si një anije e paaftë për të “lundruar” në oqeanin e tregut të lirë, siç do të thoshte Stiglitz dhe faktin (subjektiv) se politikanët tanë në vend se, me dije, moralitet dhe atdhedashuri, të përpiqeshin t’ia mbyllnin kësaj anijeje vrimat dhe ta ristrukturonin, me padije, imoralitet dhe egoizëm, e shitën atë pjesë-pjesë për skrap për t’u pasuruar vetë. Këtë shitje të vendit për skrap ua servirën shqiptarëve me sloganin se kishin nevojë për “terapinë e shok”- ut, që shqip do të thoshte: thirrini nevojës secili për vete se do ta gjeni rrugën që keni humbur. Përballë kësaj thirrjeje pa dritë që rezultoi në shock pa terapi: shqiptarët gjetën në masë rrugët e emigrimit dhe krimit. Ky i fundit u përqendrua në trafiqet njerëzore dhe në trafiqet e drogës. Ndërkaq, politikanët shqiptarë jo vetëm që nuk u përpoqën ta ndalonin këtë proces, por e inkurajuan duke ndërtuar brenda vendit edhe lehtësirat e thithjes së këtyre parave. Kështu pamë lulëzimin e piramidave financiare, industrinë piramidale të ndërtimit, numrin absurd të pikave të karburanteve, të restoranteve e kafe-bareve, të universiteteve private, të pikave të lotove e të bixhozit, të supermarketeve, të radiotelevizioneve private e të tjera si këto, që kanë punuar e punojnë kryesisht me paratë e emigracionit e të krimit – të gjitha me licencën dhe inkurajimin e politikës.

Në vitet në vazhdim, ndërsa emigrantët e ndershëm, që pa dyshim janë shumica, kanë filluar të pakësojnë gjithnjë e më shumë dërgimin e të ardhurave apo investimet në vend, emigrantët e krimit kanë marrë peshë gjithnjë e më të madhe duke ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirat për ekonominë e shëndoshë të njerëzve të ndershëm.

Ja, kështu u hodhën themelet e inkubatorit të krimit. Sot, ky inkubator po njeh kulmin e prodhimtarisë së vet, siç na tregoi edhe alarmi holandez, prandaj dhe krizën e vet.

MBI DËMET

Tema e dëmeve që ka sjellë ekonomia kriminale, gjatë këtyre tri dekadave, është mbajtur nën një shurdhëri që flet shumë. Në fakt, flet për një bashkëfajësi që ka ndodhur: a) për faktin se paratë e krimit kanë sjellë edhe punësim e ushqim për njerëzit që jetojnë me ankthin e sigurimit të bukës së përditshme, edhe pasurimin e njerëzve të pushtetit, por edhe dukjen e një zhvillimi; b) për faktin se aktorët kryesorë jo vetëm politikë, por edhe ekonomikë, edhe mediatikë, kanë qenë direkt apo indirekt të lidhur me inkubatorin e krimit, c) për faktin se nuk është zhvilluar thuajse fare një ekonomi alternative e shëndoshë që t’i bënte konkurrencë që të kërkonte tregun vërtet të lirë e që të krijonte apo mbështeste partinë e vet politike.

E pra, nëse duhet të dalim nga ekonomia kriminale, kjo nuk mund të arrihet pa informuar njerëzit për dëmet që ka sjellë dhe po sjell dhe mund të sjellë inkubatori i krimit i fshehur prapa nevojave apo aparencave të përditshmërisë.

Gjykoj se dëmi më i madh ka ardhur nga fakti se për nga natyra e vet, pastrimi i parave ndërton një ekonomi që nuk rritet gradualisht, si një pemë që vaditet me djersën e ballit nga njerëz me dije, moralitet dhe largpamësi, por nënkupton para të pista në duar njerëzish të paditur, të pamoralshëm, që duan t’i shndërrojnë ato sa më shpejt në pasuri të patundshme. Shkatërrimet që ka sjellë kjo lloj ekonomie për sa iu përket pasurive natyrore, trashëgimisë kulturore, tokave të bukës mundësive turistike, janë tashmë në nivele të skajshme, por gjykoj se shkatërrimi më i madh është ai i dehumanizimit të njeriut. Nëse kapitalizmi i egër (postborgjez dhe posproletar, siç e quajnë disa studiues) akuzohet sot edhe në Perëndim se e ka reduktuar njeriun në mall ndër mallrat e shumta të konsumit, kapitalizmi i trafikantëve të bërë biznesmenë që kërkojnë të imitojnë pasanikët perëndimorë, është shprehja më ekstreme e këtij dehumanizimi. Modelit të njeriut që po shumon në mënyrë galopante inkubatori i krimit, i mungojnë krejtësisht pyetje të tilla ekzistenciale se përse kam ardhur në këtë jetë, vallë thjesht për të bërë para dhe për të kënaqur instinktet e mia? A mjafton kjo dhe, po të jetë kështu, a mund të arrihet kjo duke vjedhur të tjerët, duke u shitur e shpërndarë helm të tjerëve?

Ky njeri sot ka hyrë e po bën politikë duke e tjetërsuar atë përditë e më shumë nga shërbim ndaj shoqërisë në punë të pistë për t’u pasuruar.

Nuk pretendoj këtu të bëj specialistin (për dëmet e ekonomisë së krimit ka studime të shumta mbështetur në përvoja vendesh të tjera) por, shpejt e shpejt, duke pasur parasysh se opozita deri më sot është mjaftuar kryesisht me denoncimin e faktit se me paratë e krimit vidhet vota, do të propozoja këto tema:

– Dëmi për sa i përket sistemit të vlerave, meritokracisë.

– Dëmi psikologjik ndaj ndjenjës së drejtësisë të shumicës së njerëzve që jetojnë në varfëri, ndërkohë që shohin kriminelët të sundojnë e lulëzojnë.

– Dëmi që lidhet me kapjen nga krimi i institucioneve.

MBI LUFTËN DHE ALTERNATIVAT

Tema sesi mund të luftohet ekonomia kriminale është më e rëndësishmja, por edhe më e vështira. Kjo, sepse bëhet fjalë për një tumor që ka pushtuar me metastazat e veta, në mënyrë kapilare, shumë organe të trupit, e po tjetërson e helmon në mënyrë galopante qelizat e shëndosha. Në këtë fazë, gjetja e kurës është shumë më e vështirë sesa sikur të ishte në fillim.

Duke mbetur te metafora e tumorit, do të thosha se të luftosh ekonominë kriminale, do të thotë të bësh një operacion për ta hequr këtë tumor dhe më pas të vazhdosh me kimioterapi për të eliminuar rizhvillimin e tij në pika të tjera të trupit. Kjo nënkupton se lufta kundër ekonomisë kriminale nuk mund të bëhet pa marrë në konsideratë dobësimin e trupit, që, pa metafora, do të thotë sakrifica. Por do të thotë edhe punë serioze për të gjetur, ndërtuar e inkurajuar alternativat e ekonomisë kriminale. Madje, vetëm kjo punë serioze do të ngjallte shpresë te shoqëria për t’i hyrë operacionit dhe sakrificave që parashikon rimëkëmbja pas tij. E pra, shoqërinë shqiptare nuk e shoh në nivelin e kësaj sfide që na ka sjellë përpara kriza. Opozita deklaron në mënyrë superficiale se me ardhjen e saj në pushtet, edhe do të eliminojë krimin, edhe do të dyfishojë apo trefishojë rrogat e mjekëve apo rrogat e pensionet minimale. Por, sfida në fjalë kërkon që ajo të ndërtojë (e përsëris: së bashku me njerëzit) projektin sesi do të mund të arrihet të sigurohen këto të ardhura nëpërmjet një ekonomie të ndershme e të qëndrueshme, që do të zëvendësojë ekonominë kriminale.

Duke mos qenë ekonomist dhe duke mos pasur informacionin e duhur lidhur me gjendjen reale të ekonomisë së shëndoshë në Shqipëri, të borxheve të akumuluara të privatëve dhe të shtetit dhe të mundësive për shlyerjen e tyre, nuk mund të hyj në propozime më konkrete. Por edhe sikur të isha i tillë, nuk mjafton një njeri i vetëm për këtë punë kaq të vështirë. Për këtë duhet mbledhja në atë që e quajta kantieri i ideve, i gjithë njerëzve me përvojë dhe vullnet të mirë që e njohin dhe ndjejnë problemin. Dhe kjo duhet bërë sa nuk është vonë, sepse gjykoj se sot jemi të dënuar që ose ta çojmë krizën në drejtim të oportuniteteve, ose të asgjësohemi nga rreziqet përditë e më në rritje që ajo po manifeston nëpërmjet inkubatorit të krimit.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura