Ambasada: S’ka azil ekonomik në Gjermani, do paguani vetë edhe lekët e kthimit

Aug 11, 2015 | 9:18
SHPËRNDAJE

Ambasada gjermane në vendin tonë u kujton shqiptarëve se në Gjermani nuk ka azil ekonomik, se do të vijojë kthimi mbrapsht i atyre që nisen për këtë qëllim, duke theksuar se edhe paratë e kthimit do të paguhen nga vetë të interesuarit.

azilkerkues
Në një njoftim për media, ambasada bën me dije se vetëm këtë javë do të vijnë dy avionë me shqiptarë që kthehen nga Gjermania.

“Në kuadrin e aksionit të ndërmarrë nga institucionet gjermane për kthimin e përshpejtuar në atdhe të azilkërkuesve shqiptarë, ju bëj me dije se këtë javë do të mbërrijnë në datat e mëposhtme dy avionë charter me persona të kthyer: Të mërkurën, më 12.08.2015, ora 15.50 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” nga Kasseli (Hessen) një avion charter me një numër prej 70 shqiptarësh të dëbuar dhe të enjten, më 13.08.2015, ora 13:00 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë një tjetër avion charter me një numër prej 125 persona, të cilët do të kthehen vullnetarisht”- thuhet në njoftim.

Sipas ambasadës “Në Gjermani nuk ka azil ekonomik! Ndërkohë aplikimet për azil nga Shqipëria do të përpunohen më shpejt. Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t’i paguajnë azilkërkuesit. Ato janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani”.

Për vetëndërgjegësim ambasada ka postuar edhe emailin e një familjeje shqiptare, që ka mbërritur në adresën e ambasadës më 6 gusht nga një familie shqiptare, e cila ka kërkuar azil në Gjermani:

„Përshëndetje,

ne jemi një familje shqiptare. Para disa ditësh mbërritëm në Gjermani dhe aplikuam për azil në Mynih (München). Tre ditë më pas u transferuam në Eisenberg. Këtu po shohim se gjërat nuk janë ashtu si na thonin të tjerët kur ishim në Shqipëri. Duam të kthehemi përsëri në vendin tonë pasi kemi dy fëmijë të mitur dhe një grua të moshuar, të cilët qajnë gjithë ditën. Administrata e azilit këtu na thotë se duhet të presim katër javë dhe duhet të paguajmë vetë biletat e kthimit. Por ne i kemi shpenzuar të gjitha paratë për të ardhur këtu dhe ndërkohë nuk kemi marrë para ndihmë. Ajo çka duam është vetëm të kthehemi në Shqipëri. Ju lutem na ndihmoni!

Me respekt”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura