Agron Tufa i përgjigjet poetit të akuzuar për firmën në ekspertizën e Visar Zhitit: E ke adresuar gabim, nëse Sigurimi ta falsifikoi…

Feb 19, 2019 | 12:07
SHPËRNDAJE

AGRON TUFA  Agron Tufa

Unë e përshëndes “Letrën e Hapur” që më drejtonte, me 15.2. 2019, te gazeta “Panorama”, shkrimtari Pandeli Koçi. Është një përpjekje për të sqaruar publikisht një episod të errët në lidhje me dënimin politik të poetit Visar Zhiti në vitin 1979. Vetëm se, ka një gabim, sipas meje, të rëndësishëm e thelbësor, për sa i takon adresatit

Ka dhe disa inkonsekuenca, të cilat do t’i shënoj më poshtë, gjithë duke ruajtur respektin tim ndaj z. Pandeli Koçi për përpjekjet e tij në këtë koment te “Panorama”, gjithnjë duke mbajtur parasysh, se “komenti”, nuk është “sqarim”.

E rëndësishme është të flitet hapur për këto pengje, se vetëm kështu pengjet kapërcehen dhe opinioni shoqëror fiton një pamje të qartë të krimit komunist mbi individët dhe shoqërinë. Do të ishte në nderin e tij të jepte sqarimet e veta edhe firmosësi tjetër i akt-ekspertizës, z. Ramazan Vozga. Madje, rëndësia e këtij diskursi i tejkalon vlerat individuale dhe egot personale, sepse i referohet një dukurie të rëndë e me përhapje të gjerë midis shkrimtarëve e artistëve, ndaj të cilëve Sigurimi i Shtetit nuk la mjet pa përdorur për t’i bërë ata “kainë” brenda vëllazërisë së tyre. Fakt për këtë është ekzistenca e mbi 235 akt-ekspertizave që Sigurimi ua ka marrë ku me hir, ku me pahir, shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, që ata të dëshmonin kundër sivëllezërve të tyre. Një akt i paprecedent si dukuri masive në krejt Lindjen ish-komuniste.

Ia fillojmë me rend.

Së pari, “Letra e Hapur” nuk ka lidhje dhe as sens t’i drejtohet z. Agron Tufa, sepse sqarimin nuk ia kërkoj z. Koçi të ma bëjë mua, personalisht, por shoqërisë, publikut, përderisa thelbi i çështjes së implikimit nuk është ndonjë profkë, përkundrazi, ky implikim prek një ndjeshmëri të gjerë publike. Në rastin konkret, si të tillë e kam ngritur çështjen dhe unë, duke konstatuar çfarë thonë dokumentet. Po të doja, mund t’ia kisha kërkuar z. Koçi një sqarim, në një kafe. Pra, unë nuk e akuzoj z. Pandeli Koçi, por i bëj apel për të sqaruar publikun rreth kësaj ngjarjeje të rëndë e me pasoja morale njerëzore, të rrafshit personal, familjar e shoqëror kundrejt të dëmtuarit dhe me pasoja morale po aq dramatike për vetë dy firmosësit e akt-ekspertizës. Kësisoj, z. Koçi duhej t’ia adresonte Letrën e tij të Hapur jo personit Agron Tufa, por gjithë shoqërisë së lirë e demokratike shqiptare. Së këndejmi, pra, rrjedhin, logjikisht e konceptualisht, një sërë problemesh:

Së dyti, “Letra e Hapur”, që më drejton shkrimtari Pandeli Koçi, nuk është sqarim (sepse asgjë nuk sqarohet nga sa shkruan ai). Gjithë përpjekja për sqarim, nuk është sqarim, por është koment, ku ngrihen disa pretendime, që dikush i beson, dikush tjetër jo. Nuk janë të besueshme qoftë dhe për faktin, se deri më tash është i pari rast që dëgjojmë se dikujt Sigurimi i ka falsifikuar firmën. Kemi dëgjuar shpjegime për natyrën e dhunshme dhe presionet fizike e psikologjike që i kanë detyruar njerëzit të firmosin, për çka ata, me sinqeritet, ka raste kur kanë kërkuar ndjesë. Por mund të jetë dhe ajo që pretendon z. Koçi. Gjithsesi, ky pretendim, nuk është shpjegim, por koment. Nuk duhet ta ngatërrojmë komentin me shpjegimin apo sqarimin.

Së treti, pse nuk duhet të më drejtohej mua Letra e Hapur. Nga sa thamë më lart, është problemi që ka z. Koçi jo me mua, por me ATA që e kanë detyruar apo kanë falsifikuar firmën e tij, që nëse është kështu, kjo përbën një krim të përbindshëm të drejtësisë së diktaturës. Dhe me që jemi në këtë argument, është e papranueshme, që z. Koçi, ta mbante për 30 vite, pa e denoncuar këtë akt mizor të përlyerjes në të ashtuquajturën “vëllazëri kainiane” të poetëve. Sidoqoftë, edhe pse i vonë, sqarimi është gjithmonë i shëndetshëm, për çka do ta përshëndes shkrimtarin Pandeli Koçi, sikur të ishte njëmend sqarim e jo koment. Gjithsesi, le ta quajmë rrugë drejt sqarimit. Shkurt: është problemi që ka z. Koçi me ATA dhe jo me mua. As me ISKK-në dhe as me Visar Zhitin. Në këtë çështje, gjërat janë të qarta dhe s’ka pse t’i përziejmë: unë bëj luftën time, z. Koçi le të bëjë luftën e tij. Sepse nuk jam unë problemi i z. Koçi. As Visar Zhiti. As ISKK.

Së katërti, a është i mundur sqarimi? Unë mendoj se po. Kot janë humbur 30 vjet pa e sqaruar. Tani mundësitë janë shumë më të mëdha për të zbardhur çdo lloj manipulimi apo falsifikimi. Shteti dhe shoqëria demokratike të jep mundësinë me institucione të specializuara të kërkosh dhe të krahasosh dosjet, për të gjetur “momentin” e falsifikimit. Pastaj mund t’u drejtohesh organeve të specializuara për një ekspertizë të firmës. Do të ishim të gjithë të gëzuar për një sqarim të tillë dhe vetë z. Koçi, duke pastruar veten nga këto njolla, do të kishte respektin e shoqërisë, solidaritetin dhe përvujtninë tonë, tok me një mësim të madh për shoqërinë, duke demaskuar metodat djallëzore që përdorte drejtësia komuniste për të bërë sa më shumë bashkëfajtorë me makinën shtypëse të lirive dhe dinjitetit njerëzor. Por, nga ana tjetër, nuk ecet në rrugën e sqarimit, kur nuk flitet me emra. Në rrëfimin e tij z. Koçi thotë: “Një shok i redaksisë më tha” (kush?); “…në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranë, një shef më priti e ma preu shkurt” (si quhej ky shef?) etj., etj. Dhe aq më tepër, futja si shkarazi në tekstin e z. Koçi, e pasasazheve të tilla, si “nuk e vërteton (akt-ekspertizën – shën.im) dosja hetimore e Visar Zhitit” apo pasazhi përmbyllës – “Për figurën e Visar Zhitit nuk po flas. Le të flasin ata që e njohin, pa përjashtuar dhe ish-Presidentin e Republikës”. Nga kjo kuptojmë, së paku, dy gjëra: a) që z. Koçi e paska njohur dosjen hetimore të Visarit dhe b) i bën thirrje ish-Presidentit, që të ripërfshihet edhe një herë në akuza kundër Visar Zhitit, akuza për të cilat kemi shkruar bindshëm dhe se provë e vetme e akuzës, ishte një mesazh anonim dërguar në celularin e ish-Presidentit. E vetmja provë (!), përkundër dokumentit që pata paraqitur, i cili vërtetonte refuzimin e Visar Zhitit për të bashkëpunuar me Sigurimin.

Duke përfunduar, pyes: seriozitet është ky!? Pra, duhet sqaruar jo me komente, por me fakte.

Një fakt i tillë është dhe dokumenti nga dosja hetimore e Visar Zhitit, të cilin z. Koçi çudi si nuk e paska parë. Mendoj se jemi tani në rrugën drejt sqarimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura