Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk e përjashton mundësinë e hapjes së një partie të re politike, por thotë se ata do të këmbëngulin që në zgjedhje të hyjnë me logon e PDSH, kjo pas rekursit që do bëjnë në Gjykatën e Lartë.

Për gazetarët Basha u shpreh se beteja që ai po zhvillon nuk është as për logo e vula dhe as për karrige.
Sipas tij nëse i pamundësohet hyrja në zgjedhje me logon e PDSH, të gjitha opsionet janë në tavolinë, duke nënkuptuar edhe krijimin e një force të re politike.
Basha tha se “edhe vete berisha e di qe nuk e mund dot Edi Ramen”.
Teksa një gazetar i përmendin faktin se dy deputetë janë larguar, Basha kishte këtë përgjigje: “Jo, interpretimet tuaja i bëni ju. Ne sot jemi këtu ku jemi me të njëjtat vlera. Mos u merr me lojë kungulleshkash se nuk më fut dot në lojë kungulleshkash”.
Pyetje: A do të ketë një emër të ri partie?
Basha: Të gjitha opsionet dhe mundësitë që jep kodi zgjedhor janë në tavolinë. Shpresa jonë, urimi ynë është që alternativa jonë që nuk merret me cic micet ku do ta fusë Edi Rama debatin publik, është të garojë me logon e PDSH. Nëse kjo na pamundësohet çdo opsion tjetër i kodit zgjedhor, sepse ne në çdo rast do jemi në zgjedhje, alternativa që duan ta fshijnë do jetë aty dhe shqiptarët do kenë mundësi të zgjedhin.
Pyetje: Ju thatë që nuk po vuani as për logo, as për vulë dhe as për karrige, pse po merrni këto hapa për të përçarë votat e opozitarëve?
Basha: Përçarja e demokratëve nuk ka qenë produkt i vendimeve tona, por produkt i një njeriu që vendosi interesin e tij mbi interesin e demokratëve. Nuk ka shqiptar, demokrat, madje as vetë Berisha ta besojë se ai do mundë Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht nëse ai reflekton do ndryshojë gjithçka, por në mungesë të reflektimit të tij gjatë kësaj kohe, dhe në skenarin krejtësisht të pabesueshëm që do reflektojë pas 11 qershorit, qëndrimi ynë është i qartë; jo për karrige, jo për vulë, jo për logo, por për të mos i mohuar shqiptarëve alternativën.
© Panorama.al











