Sejko dhe Lulgjuraj fitojnë Festivalin e 51 me “Identitet”, përjashtohet kënga e vjedhur nga Koreja

Dec 23, 2012 | 10:12
Bledar Sejko dhe Adrian Lulgjuraj, pas shpalljes fitues të Festivalit të 51 në RTSH
me këngën “Identitet”

Mbyllet Festivali i 51-të. Në vend të dytë Anjeza Shahini me këngën “Love”

Juria përjashton Ani Çuedarin, kënga e vjedhur nga Koreja.

Me muzikë të Bledar Sejkos dhe tekst të bashkëshortes së tij, Edës, kënga e interpretuar nga vet kitaristi i njohur dhe Adrian Lulgjuraj, “Identitet”, fiton edicionin e 51-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin publik Shqiptar.  Juria i dha 74 pikë këngës që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovizion”, të performuar në mënyrë origjinale. Në vend të dytë u shpall kënga “Love” e interpretuar nga Anjeza Shahini dhe vend të tretë këngëtarja Hersi Matmuja, me këngën “Kush ta dha këtë emër”.

Ani Çuedari, performuesja e këngës “Më ler një ëndërr”

Përjashtimi për plagjiaturë
Nata e tretë e Festivalit filloi me një lajm tjetër të bujshëm. U përjashtua nga Festivali i 51-të në RTSH kënga e kompozitorit Arion Muka, interpretuar nga Ani Çuedari. Pas një shkrese nga drejtori artistik i Festivalit, ku denoncohej plagjiatura, juria e përbërë nga shtatë anëtarë, pasi dëgjoi dy variantet, vendosi që kënga të përjashtohet nga finalja. Pas këtij përjashtimi, juria vendosi që në finale të prezantoheshin 17 këngë nga 18 të parashikuara, pa e zëvendësuar atë me asnjë konkurrent të mbetur jashtë. “Më lër një ëndërr”, sipas verifikimeve që bëhen lehtësisht edhe në YouTube, është kopjuar nga këngëtarja J-Min nga Koreja Jugut.
Nata finale
Ajo çka e ka mbajtur gjallë këtë festival dhe duket se është në rrugën e kthimit të personalitetit të dikurshëm, është interpretimi live. Për të dytin vit me radhë, festivali është 100% live, duke filluar nga këngëtari, orkestra simfonike e RTSH-së, bendi muzikor, nën drejtimin e drejtorit artistik Shpëtim Saraçi, madje edhe të ftuarit, ata shqiptarë që interpretuan këngët homazh për Festivalin e 11-të apo të huaj. Vlerësim pozitiv për skenografinë e Adnand Kastratit dhe regjinë e dyshes kosovare Agron Vula e Astrit Idrizi. Ishte ndrequr dora këtë vit edhe në skenar, që mbante firmën e Engjëll Ndocajt dhe Edi Ogës. Sa i takon prezantimit, përkundër gjithë gjetjeve të çuditshme të edicioneve të shkuara si këngëtarë e aktorë që nuk mbanin mend tekstet e nuk i çonin sytë nga skaleta, dyshja Floriana Garo e Enkel Demi u paraqit më e ftilluar. Pavarësisht se Enkeli skenës i thoshte studio, pavarësisht se me një diferencë të dukshme gjatësie nga partnerja, çka u kthye edhe në fabulën e prezantimit apo me “Ok”-it që shtonte vazhdimisht Floriana, prezantimi i këtij viti ishte i mirë. Ndër spektatorët VIP që spikatën në sallën e Pallatit të Kongreseve ishte prania e Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, me zonjën e tij, kryetarja e Kuvendit, znj.Jozefina Topalli etj. Nata finale e edicionit të 51-të të Festivalit të Këngës në RTSH vijoi në vazhdën e homazhit për Festivalin e 11-të, i ashtuquajtur “i ndaluar”, që këtë herë shënjoi 40 vite nga dita e organizimit të tij. Dy prezantuesit e dikurshëm të kësaj ngjarjeje muzikore, Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, u rikthyen si dikur në skenën muzikore të këtij festivali. Ndërsa mysafirët specialë ishin këngëtarët nga Azerbajxhani dhe tenori i mirënjohur Sajmir Pirgu, të cilët bashkarish përcollën emocione të bukura, në edicionin e 51-të të Festivalit të fundvitit, që mbylli siparin natën e mbrëmshme.

Çmimet e Festivalit të 51-të të RTSH-së
Kënga fituese
“Identitet’, e kënduar
nga Bledar Sejko dhe Adrian Lulgjura

Vendi i dytë
“Love”, e kënduar nga Anjeza Shahini

Vendi i tretë
Kënga ‘Kush ta dha këtë emër’,
prezantuar nga Hersi Matmuja

Konkurrentët e natës finale
Selami Kolonja
Rosela Gjylbegu
Kejsi Tola
Vesa Luma
DR.Flori dhe Fabi
Merland Kademi
Rezarta Smaja
Ardian Bujupi
Xheni&Enxhi Kumrija
Adrian Lulgjura
Bledar Sejko
Hersi Matmuja
Grupi LNYX
Anjeza Shahini
Kelly
Bojken Lako
Valon Shehu
Flaka Krelani

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura