Tabaku: Nga kolektori i ri përfitojnë 1000 familje në Sauk

Aug 19, 2012 | 14:01

Rreth 1000 familje në zonën e Saukut do të kenë furnizim më të mirë me ujë të pijshëm. Me ndërtimin e kolektorit të ri, punimet e së cilit kanë hyrë në fazën përfundimtare, do të përfitojnë edhe banorët e komunës së Farkës. Gjatë inspektimit të punimeve, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, tha se faza tjetër e projektit do të bëjë të mundur lidhjen e të gjitha banesave me kolektorin. “Aty kur deri dje ishte një gropë e hapur, siç e patë në fund të rrugës, sot kanë përfunduar punimet e fazës së parë të projektit që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë ka realizuar gjatë muajve të fundit, një projekt që ka pasur përsipër ndërtimin e kolektorit të Njësisë Bashkiake Nr 2, por dhe një pjesë që prek komunën e Farkës, ku janë përfitues mbi 1 mijë familje”, tha Tabaku. Ky investim i UKTsë, me vlerë 67 milionë lekë, ka një gjatësi prej 2.4 kilometrash, fillon sipër në zonën e Sanatoriumin dhe zbret deri poshtë në Farkë. Ai është pjesa e rrjetit primar dhe do të shoqërohet me pjesën e rrjetit sekondar, për të lidhur të gjitha banesat me pjesën kryesore të kolektorit. Kryetari i komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, u shpreh se falë këtij investimi të Bashkisë së Tiranës ndërmjet Ujësjellës-Kanalizimeve, do të përfitojnë edhe banorët e komunës së Farkës. “Të gjitha ata që jetojnë në këtë territor e dinë shumë mirë se si ka qenë situata më parë dhe se si është përmirësuar me këtë kolektor të ndërtuar nga UKT-ja. Kjo është fryma e bashkëpunimit që kemi nisur me Bashkinë e Tiranës prej gati një viti dhe këtu është një konkretizim real i bashkëpunimit të mëtejshëm në investime në infrastrukturë, në këtë kolektor që ka një vlerë të pazëvendësueshme për banorët e kësaj zone”,-tha Plaku. Sipas tij, do të vazhdohet me fazën tjetër të këtij kolektori, që shkon përtej TEG-ut dhe që do kulmojë me impiantin e pastrimit për një kapacitet prej 50 mijë banorësh. Ky impiant do të mbledhë të gjitha ujërat e zeza të zonës, jo vetëm të Farkës, por edhe për zonat e Saukut të vjetër, Sanatoriumi.

© Panorama.al

Te lidhura