Berisha në krah të Izraelit, sulm Iranit

Aug 19, 2012 | 13:38
Berisha e Lieberman

Kryeministri Sali Berisha dënoi dje për herë të parë thirrjet kundër Izraelit dhe SHBA-ve nga Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, i cili deklaroi se nuk do të ketë vend në Lindjen e Mesme për kombin hebre.

Pas hapjes së Ambasadës së Izraelit në Tiranë, diplomacia shqiptare ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj liderit të Iranit, që ka kërcënuar hebrenjtë dhe kombin e tyre, duke i quajtur këta të fundit si një tumor që do të eliminohet së shpejti. Në reagimin e tij, e shpërndarë dje nga zyra e shtypit e kryeministrisë, Kryeministri Berisha e ka krahasuar ideologjinë e Ahmadinexhadit me regjimin e Hitlerit për urrejtjen patologjike ndaj hebrenjve. Në qëndrimin zyrtar të kreut të qeverisë shqiptare thuhet se deklaratat e Presidentit të Iranit janë qëndrime naziste dhe paranojake, çka përbëjnë një rrezik madhor për paqen në botë. Kreu i Ekzekutivit shqiptar, në reagimin thekson domosdoshmërinë e ndërhyrjes për të ndaluar me çdo mjet programin nuklear të qeverisë iraniane, që përbën një rrezik për gjithë botën. “Me deklaratën e tij të fundit, se nuk do të ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe Lejtenantët e tij qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre. Me këto qëndrime, Ahmadinexhad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij, janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën. Deklaratat naziste e paranojake të Ahmadinexhad janë një thirrje e vërtetë për ndalimin me çdo kusht dhe mjet të programit nuklear të Iranit, si një nder  rreziqet më madhore të paqes botërore sot”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Ambasada në Tiranë

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, në fillim të muajit gusht zhvilloi vizitën zyrtare në Tiranë ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së parë të Izraelit, në prani edhe të Kryeministrit Sali Berisha. Gjatë takimit me kreun e qeverisë, kryediplomati izraelit tha se hapja e Ambasadës do t’i shërbejë rritjes së marrëdhënieve midis dy vendeve dhe bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën ekonomike.

Ahmadinexhad: Izraeli, një tumor që do eliminohet

“Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit!”. Kjo parullë është brohoritur të premten në Iran, ku mijëra qytetarë kanë përsëritur fjalët e Presidentit Mahmud Ahmadinexhad, i cili ka thënë se në të ardhmen e Lindjes së Mesme nuk ka hapësirë për shtetin hebre. “Tumori izraelit do të eliminohet së shpejti”, ka thënë Presidenti në Universitetin e Teheranit, me rastin e së premtes së fundit të Muajit të Ramazanit, kur në Iran festohet edhe Dita Botërore e Jerusalemit, në solidaritet me palestinezët kundër Izraelit. “Regjimi sionist është një kancer. Shumë shpejt vendet e rajonit do t’i japin fund pranisë së pushtuesve sionistë në tokën e Palestinës. Perëndimorët thonë se duan një Lindje të Mesme të re, por në rajonin tonë nuk do të ketë më gjurmë të sionistëve”, ka shtuar Presidenti, i cili e ka mbyllur fjalimin me klithmën: “Vdekje Izraelit dhe vdekje Amerikës!”.

FATION BINJAKU

 

© Panorama.al

Te lidhura