100 vjet histori, Shkolla Teknike e Tiranës… sot Instituti “Harry Fultz”

May 27, 2022 | 9:54
SHPËRNDAJE

shkolla harry fultz

ARIAN KAPEDANI *

Misionarët e parë amerikanë, vullnetarë të Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq të Rinisë Amerikane kishin mbërritur në Shqipëri pas vitit 1913. Ata shërbyen me devotshmëri për të ringritur një komb të nëpërkëmbur, të cilit i rrezikohej ekzistenca. Ishte vjeshta e vitit 1919 kur në Shqipëri mbërriti një zyrtar i lartë i administratës së Kryqit të Kuq Amerikan zoti D.M Salisburi dhe takimi i tij me parinë e vendit solli këtë propozim: hapjen e një shkolle teknike në dobi të popullit. U paraqit ideja për një shkollë të tipit Robert College… Dëshira ishte e madhe, nevoja edhe më e madhe. Krijimi i Shkollës Teknike të Tiranës lidhet me shumë emra të rëndësishëm, por sipas faktologjisë historike emri më i rëndësishëm është Harry Trevlye Fultz. Harry Fultz, “ky bir fermeri”, u nis me një avullore më 23 shtator 1922 për të ardhur në një vend të Ballkanit që deri atëherë nuk i kishte dëgjuar as emrin. Pa e menduar se në këtë vend ai për 11 vjet jo thjesht do të drejtonte një shkollë teknike, por do bënte një histori, krejt ndryshe, një histori që sot është 100-vjeçare. Për 11 vjet, familje për “Harry Fultz” u bë shkolla, nxënësit dhe mësuesit. Atdhe i dytë u bë Shqipëria dhe ideal, zhvillimi i arsimit teknik në Shqipëri e zhvillimi i këtij vendi në tërësi.

shkolla teknike arjan kapedani (3)

Ndaj me respekt e përunjësi iu themi të gjithë atyre etërve themelues amerikane dhe shqiptare të kësaj shkolle: Ju faleminderit nga zemra, mirënjohje të përjetshme.

Gjate periudhës 1921-1933 u diplomuan 224 studentë dhe shkolla kishte 35 vetë staf mësimor. Në periudhën 1934-1944 u diplomuan 162 studentë dhe shkolla kishte 26 vetë staf mësimor.

Metodat mësimore, biblioteka e shkollës, regjimi i edukimit mësimor, shkencor dhe praktik, edukimi patriotik, vetëqeverisja, personeli mësimor i shkollës, praktika dhe prodhimi bujqësor, klubet e ndryshme, gazeta e shkollës “LABOREMUS”; janë shprehje institucionale dhe njerëzore se kjo shkollë ishte tashmë në miniaturë një shëmbëlltyrë e organizimit jo vetëm arsimor modern për kohën, por edhe një model për shoqërinë shqiptare. Falë kësaj shkolle teknike po ndërtoheshin gjeneratat e shkolluara të një shoqërie që kërkonte të rifitonte kohën e humbur historike.

shkolla teknike arjan kapedani (6)

Gjatë tërë aktivitetit të saj motoja e kësaj shkolle ishte “Te mësojmë duke punuar”.

Në periudhën 1921-1934 me punën e përbashkët të nxënësve dhe mësuesve-inxhinierë u bë e mundur ndërtimi i centralit elektrik, që ishte meritë historike për kryeqytetinTiranën dhe pati ndikim të madh në jetën urbane të saj. Ky central u vu në punë më 29 mars 1923. Centrali i drejtuar dhe i mirëmbajtur në makineri dhe në rrjetin shpërndarës të energjisë, furnizoi me rrymë elektrike përreth 5 vjet përveç korpuseve të shkollës edhe ndriçimin e rrugëve të Tiranës në pjesën JL të shkollës. Midis tyre Rrugën e Elbasanit, deri te Legata Amerikane, pastaj qendrën e qytetit së bashku me disa zyra të administratës shtetërore. Më vonë u ndërtua fabrika e akullit në Tiranë. Një peshë jo të vogël pati Shkolla Teknike në fushën e ndërtimit, ku qysh në vitet e para të saj nxënësit e shkollës filluan punën për ndërtimin e ofiçinës, konviktit, dy ndërtesave të shkollës dhe ajo që duhet theksuar në 1928 nxënësit dhe inxhinierët e shkollës morën pjesë në ngritjen e ndërtesave të përfaqësisë diplomatikë amerikane në Tiranë.

shkolla teknike arjan kapedani (1)

Tashmë nxënësit e shkollës qenë kudo. Ata ishin pjesëmarrës në luftën antifashiste (130 ish-nxënës janë dëshmorë të atdheut); Ata i gjeje kudo ku punohej dhe ndërtohej, duke treguar vlerat personale e profesionale. Shumë prej tyre (150 vetë) u përndoqën dhe u burgosen nga regjimi komunist; ndërsa 21 të tjerë humbën jetën; por as edhe njeri prej tyre nuk i humbi dhe nuk i poshtëroi vlerat që kishte skalitur në shkollën teknike, emri i së cilës ishte ngulitur në memorien e popullit.

Shkolla teknike e vazhdoi rrugëtimin e vet me Politeknikumin një institucion i njohur i edukimit dhe arsimimit teknik. Me Gjergj Cancon si drejtor e me profesorë të nderuar si: Turdiu, Lufin, Kasimatin, Strazimiri, Xhepa, Gjoni etj. u arsimuan dhe përgatitën teknikët e parë të pasluftës. Janë këta teknikë e inxhinierë që punuan e drejtuan punimet në ndërmarrjet e ndërtimit, ekspeditat gjeologjike, hidrocentralet, ndërmarrjet mekanike të mekanikes bujqësore, institutet e projektimit etj.

shkolla teknike arjan kapedani (2)

Nga viti në vit u rrit numri i nxënësve në shkollë dhe u krijuan degë të reja. Kjo bëri të mundur që këto degë të dalin si shkolla teknike me vete si: Teknikumi i Ndërtimit, i Mekanikës Bujqësore, Teknikumi i Naftës, i Gjeologji-Minierës. Politeknikumi, me drejtor Cancon, me të drejtë quhet shkolla meme që krijoi këto teknikume të reja…

Me pas politeknikumi me Ali Progrin drejtor dhe me një staf mësuesish e inxhinieresh tepër të talentuar e profesionistësh si: Alizoti, Kasneci, Xhepa, Cami, Kumbaro, Muka etj., etj., arsimuan breza të tërë nxënësish me njohuritë teknike bashkëkohore, teorike dhe praktike. Dega e elektronikës, radios, dega elektrike, mekanike, tashme të pajisura me kabinete dhe laboratorë bashkëkohorë, jo vetëm që përgatitën nxënës me njohuri të thella teknike dhe shkencore, por në këta laboratorë u bë i mundur ndërtimi i Radiostacionit për Kukësin, u prodhuan televizorët e parë së bashku me UET e Durrësit. Teknikët e parë të Radio-Televizionit Shqiptar ishin ishnxënës të Politeknikumit.

Makinat e para metalprerëse u prodhuan nga inxhinierët, teknikët e nxënësit në ofiçinën e Politeknikumit. Motoja “mësojmë duke punuar” ishte në qendër të edukimit të këtyre nxënësve.

Në periudhën 1946-1992 u diplomuan 14,756 nxënës me një staf mësimor 292 vetë.

Nga ky politeknikum kanë dalë kryeministra të vendit, ministra ndërtimi, akademikë e profesorë, personalitete të fushave të ndryshme të teknikës e shkencës, të artit e sportit.

Politeknikumi ishte një qendër e madhe edukative dhe sportive, shumëdimensionale. Me plot gojën mund të themi se ishte shkolla e kampionëve në sport. Me dhjetëra sportistë kampionë dhe përfaqësues me ekipet kombëtare ishin nxënës të kësaj shkolle, që ne zhargonin e nxënësve quhej Polikumi.

Nëse të gjithë pranojmë se ky institucion nuk ishte thjesht arsimor dhe shkollë profesionale, por njëherësh edhe një vatër e edukimit kombëtar, e emancipimit shoqëror dhe një qendër promotore e zhvillimit bujqësor dhe industrial të Shqipërisë ndër vite; atëherë me gojën plot kemi të drejtë të themi se kjo shkollë dhe të gjithë njerëzit që kaluan në bankat e saj, mësues dhe nxënës janë pjesë e historisë së vendit, janë kontribuues të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.

shkolla teknike arjan kapedani (5)

Në vitin 1992 me propozimin e stafit të shkollës, me vendim të Këshillit Bashkiak Tiranë, emri i shkollës ndryshoi duke u quajtur shkolla teknike “Harry Fultz”. Po në 16/ 7/1992 në Uashington DC u krijua fondacioni shqiptaro-amerikan “Harry Fultz” me kryetare zonjën Joan Fultz Kontos, e bija e Harry Fultz. Në statutin e fondacionit shkruhet “Objekti kryesor i Fondacionit është rivendosja e traditës së shkollës teknike të Tiranës, e cila në vitet ‘20-‘30 arriti standarde të larta arsimimi në Shqipëri, nën drejtimin e drejtorit amerikan “Harry Fultz”, duke synuar zhvillimin te studentët e cilësive të ushqyera nga “Harry Fultz” dhe ne mënyrë të veçantë të vlerave të vetëmbështetjes, përgjegjësisë, shërbimit për të tjerët, të observimit të analizës ekzakte, me qëllim për të rritur aftësitë për të ndihmuar vetveten, për t’i shërbyer atdheut të tyre dhe për të kuptuar e përmirësuar botën ku jetojmë”.

Për arritjen e këtij qëllimi, fondacioni shqiptaro-amerikan “Harry Fultz” ka punuar nga afër me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe drejtoret e USAID/Albania, të cilët kanë ndihmuar për mbështetjen e fondeve nëpërmjet programeve të ASHA (American school and hospital abrod) si dhe prezencë të tyre në aktivitete të ndryshme të institucionit.

Në vitin 2000 u krijua kolegji komunitar “Harry Fultz”, i cili ofron kurse trajnimi në fushën e teknologjisë së informacionit, biznesit, teknikave të aplikuara etj.

Instituti “Harry Fultz” (Shkolla dhe Kolegji) tashmë është një qendër e madhe e edukimit dhe formimit të përgjithshëm teknik sipas standardeve bashkëkohore. Shkolla ka 1050 nxënës dhe kolegji i komunitetit 700 studentë.

Në shkollën “Harry Fultz” deri tani janë diplomuar 3500 nxënës. Nga këta 85% kanë përfunduar studimet e larta në shkollat më të mira në SHBA, Kanada, Europë e Shqipëri, pjesa tjetër punojnë si teknike të mesmë.

Tashme në shkollë, elektronika, teknologjia dixhitale dhe robotika kane zënë vend qendror në praktiken e edukimit STEM ( shkence, teknologji, inxhinieri, matematikë). Nxënësit planifikojnë, përshkruajnë, ndërtojnë dhe testojnë zgjidhjen e problemeve, duke përdorur dizenjimin e proceseve robotike dhe programimin. Nëpërmjet klubit të robotikës nxënësit tanë marrin pjesë në konkurse, prezantime, panaire brenda dhe jashtë vendit me projektet e tyre.

Historia jonë 100-vjeçare është sot jo vetëm kujtime dhe kontribute. Ajo është një histori e gjallë aktive dhe e kudotakuar. Nxënësit dhe nxënëset tona ndër vite janë rritur dhe janë bërë inxhinierë të zotët, menaxherë, biznesmenë, projektues, njerëz të fushës së kërkimeve teknologjike dhe specialistë të fushave të ndryshme, apo teknikë të mesëm që me duart e tyre të arta kanë ndërtuar historitë personale të suksesit. Rrjeti ynë Alumni Organization është i gjerë në numër dhe në gjeografi. Anëtarët e tij e kanë shpënë emrin e mirë të kësaj shkollë në shumë vende të botës… Ne krenohemi me ta dhe ata krenohen me shkollën që kanë bërë.

Jetojmë në një botë që ndryshon, jo me ditë dhe me muaj, por me minuta dhe sekonda. Kush e ndjek këtë ndryshim, bëhet pjesë e tij. Kush nuk e ndjek, humbet kohën, shanset dhe vlerat… Këta 100 vite tregojnë se shkolla teknike, sot Instituti “Harry Fultz” ka qenë në pararojë të ndryshimeve. E tillë do jetë dhe e ardhmja…

* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit “Harry Fultz”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura