Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleatët evropianë të Aleancës dhe Kanadaja i kanë rritur tashmë shpenzimet e përgjithshme për mbrojtjen në rreth 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
“Gjatë vitit të kaluar, aleatët evropianë dhe Kanadaja shpenzuan rreth 20% më shumë për mbrojtjen bazë krahasuar me një vit më parë. Duke marrë së bashku vitet 2025 dhe 2026, kjo përkthehet në 258 miliardë dollarë investime shtesë, dhe kjo prirje po vazhdon“, tha Rutte.
Në samitin e vitit të kaluar, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord që deri në vitin 2035 t’i rrisin shpenzimet totale për mbrojtjen në 5% të PBB-së, ku 3.5% do të dedikohet për investime në mbrojtjen bazë dhe 1.5% shtesë për fusha të lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë.
“Në Ankara pres që shtetet të paraqesin plane të qarta, konkrete dhe të besueshme për arritjen e objektivit prej 5%. Të dhënat që kemi parë deri tani janë mbresëlënëse”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Ai shtoi se, vetëm një vit pas nisjes së programit 10-vjeçar, aleatët evropianë dhe Kanadaja po investojnë tashmë rreth 4% të PBB-së së tyre në mbrojtje dhe siguri.
Rutte njoftoi gjithashtu se të martën, gjatë një konference me përfaqësues të industrisë së mbrojtjes, do të shpallë “dhjetëra miliarda dollarë kontrata të reja” në këtë sektor.
© Panorama.al












