Fjalët e fundit të Kadri Hazbiut para pushkatimit

Aug 23, 2011 | 9:44
SHPËRNDAJE
Kadri-Hazbiu

Kadri Hazbiu ishte i ekzekutuari i fundit nga shpura e protagonistëve historikë të komunizmit shqiptar. Procesi kundër tij është ndër më të bujshmit e epokës së diktaturës jo vetëm për  numrin e madh të të dënuarve, por edhe për cilësitë e veçanta të tyre si ish-funksionarë të lartë të Policisë Sekrete.Përtej këtij konstatimi, studiuesi Kastriot Dervishi, autori i librit “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, ofron një qasje tjetër mbi të veçantën e procesit kundër ministrit më jetëgjatë të Ministrisë së Brendshme. “Në kryqëzatën e radhës kundër Hazbiut, shprehet Dervishi, regjimi në një farë mënyre bëri gjyqin e krimeve të tij”. Për të, me fajet që i adresoheshin ish-kreut të Policisë Sekrete, mund të shkonte në burg gjithë lidershipi komunist, madje edhe vetë shefi i regjimit. Enver Hoxha ishte personi më i përshtatshëm për t’u akuzuar për lidhjet me Jugosllavinë, për miratimin e traktatit ekonomik, për rrënimin e tregut, për bashkimin doganor, për unifikimin e monedhës, për likuidimin e PKSH-së dhe bashkimin e saj me Partinë Komuniste Jugosllave, për dashurinë dhe divorcin me Moskën, për vënien e strukturave shtetërore në duart e KGB-së, për nxjerrjen e çdo sekreti shtetëror jashtë vendit, për keqtrajtimin e kosovarëve të ardhur ilegalisht etj. Në një intervistë për “Panorama”, studiuesi Dervishi shpjegon çfarë ngelet pa zbuluar nga dosja Hazbiu, deri ku shkon zbardhja e presekutimit komunist në këtë proces, çfarë mbetet e dyshimtë, cili ka qenë roli i Ramiz Alisë në kryqëzimin e krerëve të Sigurimit dhe çfarë ka përcaktuar eliminimi i Hazbiut dhe të tjerëve në ngjitjen e Alisë në majë të kupolës komuniste…
Zoti Kastriot! Në librin tuaj “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij” përmenden me dhjetëra të dënuar ish-funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit, aq sa të krijohet pështypja se procesi ka vënë në bangën e të akuzuarve vetë shërbimin e fshehtë. A qëndron një konsideratë e tillë?

Kastriot Dervishi duke folur për “Panorama”

Pak a shumë një pështypje e tillë qëndron, por çështja është shumë më komplekse. Ajo ka të bëjë jo vetëm me mënyrën si ka funksionuar Policia Sekrete, por edhe me cilësitë politike të njerëzve që e kanë kryesuar atë në vite. Nëse do të bënim një kujtesë të atyre që kanë drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme në kohën e diktaturës (1944–1991), do përmblidhnim emrat e Haxhi Lleshit, Koçi Xoxes, Nesti Kerenxhit, Mehmet Shehut, Kadri Hazbit, Feçor Shehut, Hekuran Isait dhe Simon Stefanit. Sakaq, nënministrat, personat që kanë kryesuar më jetëgjatësisht drejtoritë e Sigurimit janë Mihallaq Ziçishti dhe Feçor Shehu. Në linjë shtetërore aktiviteti i Ministrisë kontrollohej nga Kryeministri dhe zëvendëskryeministri i parë. Në linjë partie nga Sekretariati i K.Q të Partisë, sekretari që mbulonte Sigurimin dhe normalisht nga sekretari i Parë i Partisë. Në aparatin e KQ ekzistonte ndërkaq Sektori i Punëve të Brendshme. Aktiviteti i MPB-së dhe veçmas i drejtorive të Sigurimit, mbështetej mbi platformat e miratuara nga Byroja Politike dhe leximi i tyre ishte i kufizuar për korpusin e kuadrove drejtues. Në këtë vështrim, gjatë tërë kohës sigurimi ka qënë i monitoruar nga strukturat partiake, për të cilat nuk kishte kurrfarë sekreti. Pra, çdo mangësi e praktikë e gabuar, së pari ishte përgjegjësi e komandës politike të shërbimit. Pastaj, mënyra si operoi regjimi për të kryqëzuar krerët e policisë sekrete në vite, ishte një metamorfozë më vete…
Përtej këtij vështrimi mbi organizimin e shërbimit sekret dhe hierarkisë së tij, diçka më konkrete për rastin e dënimit të Hazbiut, ministrit më jetgjatë të Sigurimit të Shtetit. Si u ngrit gjithë ajo superstrukturë kundër tij?
Përballja e Kadri Hazbiut me hetuesinë dhe trupin gjykues, ka qënë procesi më i bujshëm i diktaturës. Zbardhja në seancat maratonë të tij, shkon deri aty sa kanë pranuar të flasin protagonistët e pamanipuluar prej hetuesisë, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar kundër apo rreth tyre. Ajo që mund të thuhet është se informacioni është i larmishëm, i dhënë i drejtpërdrejtë ose diagonal, sipas raportit që ka krijuar e vërteta me kombinacionet e hetuesisë.
Për herë të parë në librin tuaj për gjyqin e Kadri Hazbiut, përmendet gjykata speciale e ngritur në Ministrinë e Brendshme…
Në fakt, duket sikur kjo gjykatë është ngritur nga Ministria e Brendshme, por nuk është e vërtetë. Po t’u referohemi shembujve e ngjarjeve të zbardhura në këtë proces, del në pah roli përcaktues i Partisë në morinë e krimeve, vrasjeve pa gjyq, por edhe në krijimin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale. Kishte qenë vetë kryeministri Enver Hoxha i cili më 1949 kishte propozuar dekretin për ngritjen e kësaj gjykate, ndërkohë që në procesin e vitit ’83 akuzonte Kadri Hazbiun për ngritjen e saj. Pra, Gjykata Speciale ka qënë një krijesë e vetë diktatorit dhe ka funksionuar fund e krye sipas orientimeve të tij.
Më në fund, hulumtimet tuaja zbardhin përfundimisht misterin e çështjes së Teme Sejkos. A ka diçka tjetër të pazbuluar mbi fatin e ish-admiralit të Flotës, të dënuar për tradhti?

PROKURORI I PERGJITHSHEM RRAPI MINO, NE GJYQIN E HAZBIUT

Është e vërtetë që me hulumtimet e zbardhura në librin për gjyqin e Kadri Hazbiut, hidhet dritë në shumë nga misteret e panjohura të dosjes së Teme Sejkos. Çështja e Teme Sejkos është një prej çështjeve kryesore që ka marrë zgjidhje në studimin tim. Mendoj se këtu ka një aspekt që dua të ndalem pak. Çështja është ngritur si kombinacion hetimor. Pra, ideja fillestare e hetimit ka qenë që Teme Sejko të dalë si i arratisur nga Shqipëria, si person që u ishte dorëzuar sovjetikëve nga Kadri Hazbiu. Pra, si person që nuk kishte vdekur. Në Hetuesi, Mihallaq Ziçishti vihet në funksion të kombinacionit hetimor, duke firmosur këtë variant. Mirëpo, të pyetur veç e veç, të gjithë pjesëmarrësit në krimin ndaj Teme Sejkos dëshmonin atë që i kishin bërë para se të vritej barbarisht. Nga shikimi në tërësi i pohimeve nuk kishte dyshime se Teme Sejko ishte vrarë dhe ishte varrosur në Linzë. Mirëpo, gjatë gjykimit ky fakt (i varrosjes në Linzë) nuk del fare. Aksidentalisht pra, hetuesia ka lënë në dosje dëshmitë e personave që rrëfyen fatin e keq të Teme Sejkos. E njëjta logjikë ka funksionuar edhe në rastin e Kosta Filit. Ky ishte një zbulues grek, (që bëri 28 vjet burg në Shqipëri), i arrestuar gjatë një misioni zbulimi (në gjuhën komuniste quhen “diversantë”). Kosta Fili që gjithë jetën në burgje e kaloi me brengën e moskuptimit se si u arrestua, pranon me pohimet e tij në gjyqin e Hazbiut, rreth 20 vjet më vonë, se kishte dëshmuar kundër Teme Sejkos sipas legjendës së diktuar nga sigurimi. Ishte kjo dëshmi që e implikonte Teme Sejkon në veprimtari agjenturore, e cila e shpëtoi Filin nga dënimin me vdekje. Sakaq, në lidhje me këtë çështje, siç rezulton nga dosja operative e përpunimit 2A të Teme Sejkos, nuk ka asnjë element që mund të justifikonte arrestimin apo dënimin e tij. E pra për arrestimin e Temes kishte vendosur Enver Hoxha, i cili më 1982 thoshte se “nuk e mbante mend” të kishte ndodhur kështu(!).
Procesi i hetimit dhe gjyqi i Kadri Hazbiut është zhvilluar në mjediset e burgut 313. Si ndiqej nga lidershipi komunist ecuria e tyre?
Së pari duhet sqaruar që procesi ndaj Hazbiut drejtohej nga Ministria e Punëve të Brendshme. Akoma hetuesit ishin pjesë e kësaj ministrie. Përgjigjes i grupit të hetimit ishte ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Ky i fundit merrte pjesë vetë në hetimet që zhvilloheshin në burgun 313. Përderisa hetimi kishte rëndësi të madhe, ministri dëgjonte, pyeste, sugjestiononte dhe në fund me dorë dhe me shkelma godiste të pandehurit ku të mundte. E pasi ai “lodhej”, “punën” e vazhdonin ata që e kishin për zanat apo ndihmësit më të afërt. Në darkë, çdo çështje rreth hetimit i raportohej Enver Hoxhës ose zëvendësit të tij.
Cili ka qenë roli i Ramiz Alisë në kryqëzimin e krerëve të Sigurimit dhe çfarë ka përcaktuar eleminimi i Hazbiut dhe të tjerëve në ngjitjen e Alisë në majë të kupolës komuniste?
Procesi ndaj Hazbiut u bë për garantimin e sigurt të pasardhësit të Hoxhës, Ramiz Alisë. Në mjedise intime, Alia shprehej me kënaqësi se e kishte mundur “gjymin e zi” (siç e quante rëndom në mjedise të ngushta Kadri Hazbiun). Hazbiu së bashku me Alinë kishin qenë njerëzit që e kishin sulmuar me fort Mehmet Shehun në dhjetor 1981. Asokohe flitej se Hazbiu mund të bëhej kryeministër, gjë që nuk ndodhi. Eliminimi i tij dhe njerëzve të tjetë, në fakt rritën garancinë dhe forcuan më shumë pushtetin e Ramiz Alisë. Ministria e Punëve të Brendshme e kohës së Hekuran Isait dhe Simon Stefanit, ndryshonte nga ajo e Kadri Hazbiut, jo për besnikëri ndaj regjimit, por në raportet e reja me Ramiz Alinë.
Procesi ndaj Hazbiut në një farë mënyre shpalos apologjinë e krimit të diktaturës në tërë historinë e saj. Deri ku shkon zbardhja e persekutimit komunist në të dhe çfarë mendoni se  mbetet e dyshimtë dhe ende e pa zbuluar?
Për fajet që u akuzua Hazbiu meritonte të shkonte në burg dhe të ekzekutohej gjithë udhëheqja komuniste e kohës. Nëse do kishte person më të përshtatshëm për ta akuzuar për lidhjet me Jugosllavinë, për traktatin ekonomik, për rrënimin e tregut, për bashkimin doganor, për unifikimin e monedhës, për likuidimin e PKSH-së dhe bashkimin e saj me Partinë Komuniste Jugosllave, etj, ky do ishte Enver Hoxha. Nëse do kishte person më të përshtatshëm për ta akuzuar për lidhjet me Bashkimin Sovjetik, për nxjerrjen e valutës jashtë vendit, për vënien e gjithë strukturave shtetërore në duart e Moskës, për nxjerrjen e çdo sekreti shtetëror jashtë vendit, ky do ishte Enver Hoxha. Në librin tim për procesin Hazbiu, besoj se është shpjeguar në hapësirë kronologjike pse ndodhën ngjarjet në vitet 1982 – 1983, si nisi çështja “Hazbiu”, si u trajtua ajo dhe si përfundoi në luginën e Linzës në Dajt. Nuk besoj se ngelet gjë tjetër për të zbuluar rreth tyre, ndërsa çështje të tjera në lidhje me diktaturën ngelen gjithnjë për t’u plotësuar.
Për shumkënd nga bashkëkohësit ka mbetur enigmë fakti si e sakrifikoi Enveri njeriun më besnik që i besoi kreun e Sigurimit të Shtetit për shumë vite?
Duke iu nënshtruar përvojës sovjetike, Enver Hoxha, përdori të njëjtën teknologji me armën e Sigurimit. Me drejtuesit e armës përdori standardin e “limonit të shtrydhur”, atë të vënies në shërbim, të shfrytëzimit e më pas të flakjes. Jo pak herë mund të kujtohen fjalimet entuziaste të Hoxhës për “syrin vigjilent”, “armën e dashur të partisë e të popullit”, “shpatën e revolucionit”, “armën e diktaturës së proletariatit”, etj. Për Enver Hoxhën Sigurimi ishte arma e specializuar për zhvillimin e luftës së klasave. Mirëpo në momente historike, kthesash të imponuara nga jashtë apo të nxitura nga zhvillimet e brendshme, vetë Hoxha godiste Sigurimin për paaftësi zbuluese. Nëse më parë deklaronte kontrollin e partisë mbi Sigurimin, më 1982 në kuadrin e “tablosë sinoptike”, deklaronte se Sigurimi nuk i kishte zbuluar komplotet brenda gjirit të partisë. Vetë Hoxha merrte rolin e një agjencie zbuluese. Ajo që duhet vënë në dukje është fakti se të gjithë të akuzuarit si “pjesëtarë të organizatës kundërrevolucionare” të krijuar në vitin 1942 me “kryetar” Mehmet Shehun dhe anëtar të tjerët, ishin deri në fund të jetës së tyre, adhurues të shefit të regjmit. Nëse do shikosh sot të duket vërtet qesharake se si paska ekzistuar një organizatë kundërrevolucionare qysh nga viti 1942, e cila nuk ka vepruar fare dhe zbulohet rastësisht në vitin 1982(!).
Pra Hazbiu e të tjerët ishin thjesht viktima të teknologjisë së krimit të huazuar nga përvoja staliniste…
Procesi ndaj Kadri Hazbiut mbylli një epokë të krimit komunist dhe nga ana tjetër justifikoi veprimin që ishte marrë ndaj goditjes së njeriut më të afërt të Hoxhës, Mehmet Shehut.  Akuzat me të cilat është akuzuar Kadri Hazbiu, kanë qenë në fakt norma, praktika dhe gjëra të përbashkëta të pushtetit komunist. Por sipas teknologjisë së shefit të regjimit, gjithnjë meritat ishin “pronë” e tij, ndërsa dështimet i faturoheshin të kryqëzuarit të radhës. Diskutimi zgjatej pa fund rreth një argumenti dhe në fund i akuzuari që gjithnjë mbetej fajtor, përjashtohej nga partia, arrestohej dhe përfundonte përballë skuadrës së pushkatimit. Përfundimisht, protagonisti kryesor i diktaturës komuniste, i hakmarrjes primitive e personale, arkitekti i strukturave dhe normave antinjerëzore, ideatori i luftës së klasave, për deformimin e njeriut, për varfërinë mesjetare, ishte Enver Hoxha.

Procesi me numrin më të madh të dëshmitarëve

Procesi ndaj Kadri Hazbiut dhe krerëve të tjerë të Sigurimit të Shtetit ka qënë procesi me numrin më të madh të dëshmitarëve. Mbi 250 syresh të përzgjedhur nga drejtuesit e Policisë Sekrete dhe grupi i hetuesve të caktuar për çështjen në ngarkim të pjesëtarëve të “organizatës antirevolucionare”, kanë ardhur nga vise të skajshme dhe kanë pohuar njeri pas tjetrit mbi fajësinë e të pandehurve. Mjaft prej tyre, pas ekzekutimit të Hazbiut, janë shpërblyer në mënyra të ndryshme. Pjesa e dëshmitarëve nga radhët e ushtarakëve janë katapultuar me detyra të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme. Të tjerë janë mjaftuar me dekorimet e radhës, ndonjë burs për fëmijët apo me marrjen e një banese jashtë radhe.

Ka qënë mesnata e 9 shtatorit 1983 kur Kadri Hazbiu dhe të dënuarit e tjerë shkuan para skuadrës së pushkatimit, diku në shpatet e kodrave të Linzës. Së paku kështu e ka dokumentuar në dosjen përkatëse shpura e të besuarve për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë. Procesverbali për ekzekutimin e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Peçinit e Llambi Ziçishtit mban firmën e Rrapi Minos,  Zylyftar Ramizit, Agron Tafës,  Afuz Muratit, Nevzat Viganit dhe Nikolla Shkurti. Po çfarë pohojnë nënshkruesit e këtij dokumenti gjithsesi zyrtar?
Dokumenti
(Procesverbal për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë)
Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSSH-së, me shkresën nr.1582/1, datë 9 shtator 1983, nuk ua fali jetën të dënuarve: Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti. Të dënuarit mbasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga prokurori i Përgjithshëm se Presidiumi i Kuvendit Popullor ua refuzoi kërkesën për falje. Të dënuarit Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu u shprehën se janë të pafajshëm, kurse të dënuarit Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti nuk thanë gjë. Mbas këtij veprimi, në ora 24.00 të datës 9 shtator 1983 u krye ekzekutimi me pushkatim për të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti. Në ekzekutimin e vendimit me vdekje morën pjesë prokurori i Përgjithshëm, shoku Rrapi Mino, zëvendësministrat e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa, sekretar (oficer) Afuz Murati, mjeku Nevzat Vigani dhe oficer Nikolla Shkurti.
Pohime të tjera
Pavarësisht tekstit që përmban dokumenti për epilogun e procesit “Hazbiu”, nga dëshmitarë të ngjarjes kanë qarkulluar zëra që e kundërshtojnë, së paku pjesërisht versionin e nënshkruar sipas rregullit të detyrës. Ka pohime nga ish- gardianë të burgut 313, sipas të cilave Kadri Hazbiun, ministri më jetëgjatë të ministrisë së Brendëshme, në vendin e ekzekutimit, e kanë çuar të vdekur. Ka ndër ta që thonë se Hazbiu ka ndërruar jetë nga torturat, por ka të tjerë që pohojnë se ekzekutimi i tij është bërë fshehurazi në qeli nga njëri prej krerëve të Sigurimit, për të shmangur pështjellimin në radhët e efektivave të emëruar dikur nga Kadri Hazbiu e të urdhëruara së fundi për të ekzekutuar atë. Sidoqoftë, mënyra si u eliminua ish-ministri historik i Sigurimit të Shtetit, ka qenë një nga ngjarjet më të mistershme të regjimit të diktaturës komuniste.
Argumenta e kundërshti
Pjesa që mbështet variantin zyrtar të ekzekutimit të Hazbiut nga skuadra e pushkatimit në Linxë, ndër të tjera sjell për argument një gjurmë plumbi pas kokës. Të tjerët e vlerësojnë këtë një alibi dhe këmbëngulin në opsionin e tyre. Për ta, fakti që pjesëtarë të skuadrës së pushkatimit, si rrallëherë tjetër, kanë qënë vetë krerët e Sigurimit të Shtetit të kryesuar nga kryeprokurori, hedh dritë në pasaktësinë e dokumentit për ekzekutimin e Hazbiut. Ndërkaq, ka dëshmitarë të tjerë që pohojnë se gjatë ekzaminimit të eshtrave të ish-ministrit në vitin 2000, janë konstatuar gjurmë të plumbave në shpinë dhe në pjesën e mbrapme të këmbëve. Një ish-guardian i burgut 313 e lidh misterin e vrasjes me vizitën e beftë të njërit prej zevëndësministrave të Brendshëm në qelinë e Hazbiut mesnatën e 8 shtatorit, kur kishte mbërritur urdhri i Hekuran Isait për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë. Në përgjigje të interesimit të gazetës, nënshkruesit e dokumentit të ekzekutimit që jetojnë, hezitojnë të flasin, duke na kujtuar arkivat dhe dokumentat e kohës(!)

 

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura