“Tiranë-Elbasan mbaron më 1 maj 2013”

Apr 24, 2012 | 12:43
SHPËRNDAJE
Berisha dje te rruga Tiranë-Elbasan

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se autostrada dhe tuneli i rrugës Tiranë-Elbasan do të përfundojë në maj të vitit 2013.
Shefi i qeverisë ka inauguruar dje fillimin e punimeve për dy segmente të rëndësishme të autostradës Tiranë- Elbasan. Segmenti i parë do të nisë punimet nga Sauku deri në tunelin e Krrabës, projekt me gjatësi prej 13 kilometrash. Segmenti i dytë do të shtrihet nga tuneli i Krrabës deri në qytetin e Elbasanit. Loti i tretë i punimeve të kësaj autostrade ka një gjatësi prej 11.7 kilometrash. “Shpreh bindjen se së bashku, më 1 maj të vitit 2013, do të nisim udhëtimin te kulla e Sahatit dhe do e përfundojmë te kalaja e Elbasanit”, theksoi Berisha. Për Kryeministrin, autostrada Tiranë-Elbasan do të jetë një nga projektet madhore që do të inaugurojë qeveria në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë. “Kjo autostradë, që së bashku me tunelin do të ketë një gjatësi prej 31 km, bën të mundur ecjen e automjeteve me 120 km në orë, duke u kursyer kështu të gjithë atyre që vijnë nga Shqipëria Qendrore, Juglindore, por edhe udhëtarëve nga Shkupi, Struga e Tetova, së paku 50 minuta, ndërsa transportit të rëndë, mbi 1 orë e gjysmë udhëtim. Autostrada Tiranë-Elbasan përbën veprën tjetër madhore në infrastrukturë për ta bërë Shqipërinë vend të zhvilluar. Ne jemi të vendosur që këtë projekt ta finalizojmë brenda mandatit 2013-2017”, u shpreh dje Kryeministri gjatë ceremonisë.
Opozita
Shefi i maxhorancës, gjatë inaugurimit ka sulmuar edhe opozitën, që sipas tij votoi në Kuvend kundër buxhetit dhe nisjes së punimeve për autostradën Tiranë-Elbasan. Berisha theksoi se projektet në infrastrukturë tregojnë çdo e ditë e më shumë gabimet e opozitës. “Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Korçë në segmentin Qukës – Qafë-Plloçë është dëshmi e kristaltë e performancës ekonomike të Shqipërisë, e forcës ekonomike të këtij vendi, si dhe përgënjeshtrimi më i shkëlqyer i lotëve të krokodilit që kollagjerët e zhvillimit derdhin çdo ditë”, theksoi Berisha. Kryeministri ka ftuar kryesocialistin Edi Rama dhe deputetët e opozitës të vizitojnë punimet në tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan. Gjithashtu ai kërkoi që të majtët të pendohen dhe të tërhiqen nga sulmet e tyre ndaj projektit të autostradës. “Unë ftoj opozitën në një vizitë kolektive te rruga dhe tuneli, si një akt pendese, se njeriu i qytetëruar pendohet, se pendesa është tipar i njeriut të qytetëruar. Të vijnë ta vizitojnë për ta kuptuar se çfarë energjie negative krijuan në Parlament, duke e bllokuar atë për 23 orë, kur votohej buxheti për këtë autostradë. Të gabosh është njerëzore, të mos korrigjohesh është marrëzi, ndaj dhe shpresoj që të pendohen për veprimin e tyre”, theksoi shefi i qeverisë.
Grupi PD
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të demokratëve, Kryeministri Sali Berisha theksoi se qeveria ka gati rreth 600 projekte të reja në infrastrukturë. Sipas Berishës, këto projekte do të mundësojnë krijimi e rreth 20 mijë vendeve të reja pune dhe një nxitje të fuqishme të rritjes ekonomike. “Janë në total 600 projekte, që të gjitha të reja, në funksion të ndryshimit të jetës së qytetarëve, ujësjellës-kanalizime, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore dhe kanale kullim-vaditjeje. Në këto projekte parashikohen të krijohen së paku 20 mijë vende pune dhe t’i japin një nxitje të fuqishme rritjes ekonomike të vendit”, theksoi shefi i qeverisë.

Te dhenat
Segmenti i parë,

13 km (Sauk – Tuneli i Krrabës)
Tuneli, gjerësi 28.2 metra
Segmenti i tretë, 11.7 km
(Tuneli Krrabë – Elbasan)
Autostrada Tiranë-Elbasan,
31 kilometra e gjatë dhe 6 korsi
Autostrada shkurton me 40 % të
distancës Tiranë –Elbasan
Shkurtohet distanca 60 % me Korçën dhe Ersekën
Rruga shkurton
me 1 orë distancën
mes Tiranës dhe Shkupit.

Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit, shpallet fituesi
Tre operatorë morën pjesë në garën për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Rrugës së Elbasanit nga Fakulteti Filologjik deri te dalja në Unazën e Madhe. Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar se fituese e kësaj gare ishte oferta prej 999.4 milionë lekësh, e cila ishte edhe oferta më e vogël e bërë nga kompania “ANK sh.p.k.”. Në buletinin e APP-së rezulton që të jetë i detajuar gjithë procesi i garës mes tri kompanive, të cilat në ofertat e tyre kanë pasur një diferencë të ngushtë. Dy ofertat e tjera ishin respektivisht 999.7 milionë dhe 999.8 milionë lekë.  Operatori fitues tashmë pritet që të nënshkruajë kontratën me autoritetin nënkontraktor, që në këtë rast është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dhe të fillojë nga punimet për këtë projekt. Zgjerimi dhe rikonstruksioni i segmentit të Rrugës së Elbasanit pritet që të sjellë një lehtësim të dukshëm në trafik, si dhe një qarkullim më të lirë në këtë rrugë, duke qenë se kjo rrugë përkufizohet nga një qarkullim i lartë mjetesh në ditë.

Reagimi i kreut të PS në Twiter
Rama: Berisha mashtron, opozita votoi pro huasë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i quajti si shpifje akuzat e Kryeministri Sali Berisha në adresë të opozitës, se kjo e fundit ishte kundër ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan. Kryesocialisti ka reaguar dje në faqen e tij zyrtare të rrjetit Twiter, ku i quajti akuzat e Kryeministri si shpifjet e ditës. Për liderin e opozitës, të majtët nuk kanë qenë asnjëherë kundër ndërtimit të kësaj arterie të rëndësishme që lidh kryeqytetin me Elbasanin, dhe kjo sipas tij tregohet me votën pro huas në Parlament. “Shpifja e ditës: PS kundër tunelit të rrugës Tiranë -Elbasan! Fakti është se PS ka votuar në Parlament pro huas për tunelin”, theksoi Rama në Twiter. Për të njëjtën akuzë ka reaguar në Facebook edhe deputeti i PS-së, Erjon Brace, i cili akuzoi Kryeministrin se po mashtron shqiptarët për financimin e rrugës Tiranë-Elbasan. “Kjo rrugë nuk po bëhet me paratë e buxhetit të shtetit. Për rrugën është marrë një borxh nga Banka Islamike që arrin në mbi 280 milionë dollarë. Borxhi është ndarë në disa marrëveshje, të gjitha të votuara nga socialistët në Kuvend”, ka deklaruar Braçe.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura