“Zvarritja, mekanizëm mbrojtës për Ballukun”- Shtyrja e Këshillit të Mandateve, reagon Grupi Parlamentar i PD: Operacion politik për të bllokuar SPAK! I jepet kohë të pandehurës të prishë provat

Jan 28, 2026 | 12:31

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, duke e konsideruar si një zvarritje të çështjes për ta mbrojtur atë politikisht.

balluku spak gjykata kushtetuese

Sipas Grupit të PD, ky është një operacion i koordinuar politik për të bllokuar SPAK-un dhe për të mbrojtur korrupsionin në majë të pushtetit.

Demokratët thonë se si shtyrja nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe shtyrja nga Kuvendi janë hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës, i komanduar politikisht nga Edi Rama, ndërsa theksohet se po i jepet kohë Ballukut që të prishë provat.

“Çdo vonesë është shërbim i drejtpërdrejtë për Edi Ramën, për të blerë kohë kundër drejtësisë, dhe për të pandehurën Balluku, për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijim të aferave korruptive me vlerë miliona euro”, thuhet në reagimin e Grupit Parlamentar të PD.

REAGIM I GRUPIT PARLAMENTAR TË PD:

Zvarritja e çështjes Balluku, si në Parlament ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese, nuk është rastësi, por një operacion i koordinuar politik për të bllokuar SPAK-un dhe për të mbrojtur korrupsionin në majë të pushtetit.

Mazhoranca socialiste dhe Edi Rama kanë zgjedhur zvarritjen si mekanizëm mbrojtës për Belinda Ballukun. Të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Gjykata Kushtetuese, e cila dje shtyu pa afat vendimmarrjen për të pandehurën Belinda Balluku.

Sot, Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar të njëjtën linjë: është shtyrë, pa asnjë arsye të ligjshme, mbledhja e Këshillit të Mandateve, me justifikimin se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse masa e re e sigurisë që kërkon SPAK ndaj Ballukut nuk ka asnjë lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra.

Si shtyrja nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe shtyrja nga Kuvendi janë hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës, i komanduar politikisht nga Edi Rama.

Për shkak se ka marrë një vendim pezullimi të vendimit të GJKKO-së, Gjykata Kushtetuese ka detyrimin ligjor të shqyrtojë këtë çështje me përparësi dhe të konkludojë me një vendimmarrje që zhbllokon veprimtarinë hetimore të SPAK.

Çdo vonesë është shërbim i drejtpërdrejtë për Edi Ramën, për të blerë kohë kundër drejtësisë, dhe për të pandehurën Balluku, për prishje provash, intimidim dëshmitarësh dhe vijim të aferave korruptive me vlerë miliona euro.

© Panorama.al

Te lidhura