Miqësorja e dytë, fitorja e parë. Juventusi mposhti 1-0 Standard Liezhin në Belgjikë falë golit të Miretit dhe pjesa e dytë i dha kënaqësi edhe trajnerit Luçiano Spaleti.
“Pjesa e parë nuk ishte shumë e shpejtë nga ana jonë. E kishim të vështirë ndërtimin e aksioneve dhe ata e kontrolluan më shumë lojën. Në pjesën e dytë topi qarkulloi me më shumë ritëm dhe në fazën mbrojtëse bëmë shumë mirë, me mbrojtës që luftuan fort. Pashë disa gjëra interesante dhe jam i kënaqur me paraqitjen. Duhet të presim edhe lojtarët që do të kthehen nga Botërori dhe që do të na japin një ndihmë të madhe”, tha ai.
Mireti është i fortë dhe ende i ri
Për Fabio Miretin, autorin e golit të fitores, Spaleti kishte vetëm fjalë pozitive. “Është një lojtar i fortë dhe ende i ri”, tha trajneri për mesfushorin e lindur në vitin 2003, i cili në javët e fundit dukej si një nga lojtarët që mund të largohej nga Juventusi.
Spaleti përshëndet Opendën
Trajneri bardhezi foli edhe për Luis Opendën, i cili është pranë transferimit te Lioni. “I uroj me gjithë zemër më të mirat, sepse është një profesionist dhe një djalë i jashtëzakonshëm. I dëshirojmë gjithçka më të mirë. Ndoshta nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë në maksimum”, vazhdoi më tej. Për afrimet e reja Sa i përket merkatos dhe përforcimeve të mundshme, Spaleti u shpreh: “E dimë që është një merkato shumë e vështirë, por shohim drejtorët gjithmonë në telefon duke kërkuar ndonjë zgjidhje”.
Çështja e portës dhe Dibu Martinez
Në lidhje me mundësinë e afrimit të portierit argjentinas Emiliano “Dibu” Martínez, trajneri i Juventusit tha: “Është një portier që dëshiron të ndryshojë skuadër dhe ne kërkojmë konkurrencë, por për momentin kemi dy portierë”. Juventusi vazhdon të monitorojë situatën e portierit të Aston Vilas, por Spaleti thekson se aktualisht skuadra është e mbuluar në atë pozicion.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al












