Zv.komandanti i Gardës, i lirë për 21 janarin, nuk ka prova

Mar 19, 2011 | 10:23

Gjykata e Apelit e Tiranës konfirmoi dje masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj Alfred Ahmetcenajt, numrit 2 të Gardës së Republikës, një nga të akuzuarit në lidhje me vrasjet në demonstratën e dhunshme të 21 janarit në kryeqytet.Një treshe gjyqësore e Apelit e la të pandryshuar vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë më 12 shkurt të këtij viti. Sipas vendimit të Apelit, i dyshuari Alfred Ahmetcenaj do të vijojë të qëndrojë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ai u la në këtë masë sigurie rreth një muaj më parë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Ahmetcenaj akuzohet nga prokuroria për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim”. Seanca në ngarkim të Ahmetcenajt u zhvillua në orët e paradites së djeshme në Gjykatën e Apelit. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se përfaqësuesi i prokurorisë në proces i ka kërkuar gjykatës vënien nën arrest të Ahmetcenajt dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “arrest me burg”. Akuza ka pretenduar dyshime se Ahmetcenaj ka urdhëruar hapjen e zjarrit ditën e 21 janarit. Bëhet e ditur se nga ana e prokurorisë nuk është paraqitur asnjë provë tjetër, përveç atyre të paraqitura edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ndërkohë, nga ana e avokatit mbrojtës të gardistit është pretenduar moscaktim mase sigurie ndaj klientit të tij. Avokati është shprehur para gjykatës se nuk ekziston asnjë provë që të faktojë dyshimet e prokurorisë për Ahmetcenajn. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjykata ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurisë ndaj gardistit. Alfred Ahmetcenaj ishte gardisti i dytë në radhë që u ndalua për llogari të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës për vrasjet e ndodhura gjatë demonstratës së 21 janarit para godinës së Kryeministrisë. Ai u ndalua më 9 shkurt, ndërsa vetëm një ditë më parë ishte ndaluar gardisti tjetër, vartësi i tij, Agim Llupo. Më 12 shkurt Ahmetcenaj u paraqit para Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Shkalla e Parë e vlerësoi të ligjshëm urdhër-ndalimin ndaj Ahmetcenajt. Ndërsa si masë sigurie gjykata caktoi atë të “detyrimit të paraqitjes”.

Provat

Gardisti Agim Llupo është i vetmi i ndaluar për llogari të vrasjeve të 21 janarit ndaj të cilit prokuroria zotëron prova shkencore. Në bazë të akt-ekspertimit rezulton se predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi është qitur nga një armë që ishte në përdorim të gardistit Llupo. Aktualisht Llupo është në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Lirimet

Më 2 mars të këtij viti, një treshe gjyqtarësh e Gjykatës së Apelit liroi nga qelia tre gardistët e tjerë, Gazmend Ahmetajn, Sadik Çelën dhe Mark Nikollin, të ndaluar për vrasjet e 21 janarit. Më parë, Gjykata e Shkallës së Parë caktoi ndaj tyre “arrest me burg” me afat 30-ditor. Vendimi i Apelit argumentohej me mungesën e provave në faktimin e akuzave ndaj tyre.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura