Zona muzeale, 12 shtëpi në rrezik

Mar 14, 2011 | 11:55

Rrëshqitja e dheut dhe masivit shkëmbor ka vënë në alarm banorët e 12 banesave në zonën muzeale të Gjirokastrës.Zona e rrezikuar ndodhet në lagjen “Manalat”. Situata është bërë alarmante për banorët sidomos gjatë ditëve të fundit, ku rrëshqitja e një masivi të madh dheu ka bërë që të shtohet ndjeshëm rreziku i jetës së tyre. Lagjja “Manalat” ndodhet pas kështjellës së qytetit dhe hyn në zonën muzeale për vetë strukturën natyrore që ajo mbart, ku banesat janë të ngritura në kodrinë. Rrëshqitja është evidentuar vite më parë, por shirat e rënë këtë dimër kanë theksuar fenomenin, duke krijuar çarje të thella të tokës në pjesën fundore të banesave. Sipas banorëve të kësaj lagjeje, situatën e kanë parë nga afër edhe specialistët përkatës, por pa dhënë asnjë përgjigje mbi rrezikun që u kanoset atyre. “Rrëshqitja masive ka ardhur si pasojë e prerjes së pemëve në kodrinën ku shtrihen banesat, duke ndikuar drejtpërdrejt në çarjet e tokës në mënyrë të vazhdueshme. 12 banesa janë më të rrezikuarat, ndërsa në tri prej tyre kanë filluar edhe çarjet e mureve të brendshme”, u shprehën banorët e kësaj lagjeje. Ata bëjnë apel për ndërhyrje, pasi tashmë kanë frikë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre nga rrëshqitja e herëpashershme e gurëve dhe e dheut. Alush Caka, një prej banorëve të kësaj lagjeje, pohoi se nevojitet ndryshimi i menjëhershëm i situatës së krijuar, me qëllim frenimin e gjendjes. Sipas tij, rrëshqitja e dherave është bërë më evidente gjatë këtij muaji, duke shtuar frikën e të gjithë banorëve të zonës. Shumë pranë lagjes ndodhet aksi rrugor, që përshkohet nga makinat dhe kalimtarët. Këta të fundit janë të rrezikuar çdo ditë e sidomos në mot me reshje, kur rrëshqitja e dherave është edhe më intensive. Ditët e fundit, në këtë zonë ka rënë një masiv shkëmbor, i cili fatmirësisht nuk ka shkaktuar viktima apo të lënduar, por banorët thonë se nëse situata do të avancojë, atëherë rreziku i viktimave të mundshme është evident.

© Panorama.al

Te lidhura