DURRES – Një zjarr i fuqishëm shpërtheu në objektin ku mbahen arkivat e materialeve të ish-Uzinës së Radio-Televizorëve, si dhe të Drejtorisë Arsimore. Zjarri është konstatuar nga banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar Repartin Zjarrfikës dhe policinë. Ata mbërritën menjëherë në vendngjarje, por pavarësisht ndërhyrjes, ka qenë i pamundur eliminimi i vatrave të zjarrit për disa orë. Flakët kanë qenë të përqendruara, pasi dhoma ku ndodheshin materialet ishte totalisht në zjarr dhe punonjësit zjarrfikës bënë të pamundurën për t’i spostuar sadopak këto materiale të ndërmarrjes, të cilat ndodheshin këtu prej shumë vitesh. Në këtë përpjekje të zjarrfikësve për të evituar sadopak djegien apo shkrumbimin e të gjithë godinës ka mbërritur dhe prefekti i qarkut të Durrësit, Genc Alizoti, pasi flakët rrezikonin edhe Drejtorinë Rajonale Arsimore dhe një ndërmarrje konfeksionesh, të cilat ndodheshin në të njëjtën çati me dhomat ku mbaheshin dokumentet. Efektivët zjarrfikës, teksa kanë parë kushtet e ndërtesës, e cila ndodhet e izoluar, u është dashur të luftojnë përreth tri orë me flakët. Ndërkohë, policia nisi hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në rënien e zjarrit. Por, të dhënat e para flasin se zjarri mund të ketë ardhur edhe si pasojë e shkëndijës elektrike në ndërtesën e vjetër. Policia bëri të ditur se është duke hetuar, por gjithsesi nuk ka dyshime për ndonjë zjarrvënie të qëllimshme. Në pyetje janë marrë edhe disa banorë të zonës, të cilët theksuan se nuk kishin vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë. Ata kanë parë flakët dhe sinjalizuan menjëherë policinë e zjarrfikëset. l.m











