Të bësh politikë si opozitar duke kritikuar apo duke kërkuar që maxhoranca të ndryshojë defektet është normale dhe për t’u vlerësuar. Por, të marrësh iniciativën në emër të partisë për të shigjetuar një “zonjë” që drejton Parlamentin shqiptar, duke dizinformuar artikullin e një gazetari austriak, mendoj se nuk është normale. Në këtë shkrim nuk dua të trajtoj qëllimet dhe tendencat politike se pse sulmohet Jozefina Topalli, kjo për faktin se opinioni publik është i njohur me dështimin e dy mocioneve të ndërmarra nga PS-ja për ta shkarkuar, thjesht për faktin se një grua (për herë të parë drejton Kuvendin e Shqipërisë) e zakonshme është e aftë të përballojë thyerjet e vazove që hidheshin në drejtim të poltronit të Kryetares së Kuvendit, të përballojë bilbilat dhe gjuhën e ashpër, klithmat për dietat për udhëtimet jashtë shtetit, madje edhe kur ishte e ftuar nga homologët e saj, në përpjekje për të demoralizuar lobingun e Kryetares së Kuvendit nëpërmjet diplomacisë parlamentare për anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave për shqiptarët etj. Gjuha e ashpër e akuzave do të ndalej përkohësisht, kur pas këtij lobingu parlamentet e Evropës dhe Senati Amerikan do të miratonin në mënyrë unanime ëndrrën e shqiptarëve për të lëvizur lirshëm në Europë dhe Shqipëria për të qenë anëtare e NATO-s. Pastaj, refreni baltfolës dhe baltshkrues do të riniste pas këmbënguljes së Kryetares së Parlamentit për miratimin e ligjeve në Kuvend, pavarësisht nga bojkoti i opozitës apo votës kundër të saj, edhe në seancat kur opozita është e pranishme në Parlament.
Duke qenë se opozita ka dështuar në gjitha këto nisma, sulmi i radhës ndaj Kryetares së Kuvendit, u projektua të vazhdonte duke tjetërsuar një shkrim të gazetarit austriak në gazeten “Ëiener Zeitung”, i cili në thelb ka ndërtimin e një parlamenti të ri austriak, por ka vlerësuar iniciativën që Shqipëria do të ndërtojë një parlament të ri dhe modern.
Një Zëdhënës i zotit Rama, i cili ka marrë përsipër të baltosë ndërtimin e një kompleksi të ri parlamentar nëpërmjet konferencave për shtyp, ku e vetmja gjë pozitive(duke menduar se do të përcillte një mesazh tjetër) ishte shfaqja në video e ndërtesës moderne të parlamentit të ri, që pritet të ndërtohet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.
Konferencat për shtyp të njëpasnjëshme të Zëdhënësit të PS-së, duke pasur në qendër shkrimin e gazetës “Wiener Zeitung”, janë një shtrembërim dhe dizinformim. Zëdhënësi thekson: “Kompania e zotit Wolfgang Prix na qenka shpallur fituese ende përpara se zonja Kryetare të organizonte konkursin me jurinë ndërkombëtare. Këtë e dëshmon artikulli i botuar në gazetën austriake “Wiener Zeitung”, me datë 12 mars 2011.”
Po cila është e vërteta?
Po marr mundimin, jo për të sqaruar Zëdhënësin, sepse jam i sigurt se ai e di të vërteten, por për hir të opinionit publik duhet të themi të vërtetën dhe jo të trillojmë me zhargonin e vjetruar “shpif, shpif se diçka mbetet”. E vërteta është se gazetari shkruan tekstualisht: “Meqë ra fjala, parlamenti i ri dhe modern do të ndërtohet sido që të jetë. Në Shqipëri siç duket politika është më e guximshme. Arkitekti quhet Wolfgang Prix.” Argumentet, sipas mendimit tim që vërtetojnë të kundërtën e asaj që thotë Zëdhënësi:
– Pra, çdonjëri që e lexon me qetësi dhe pa tendencë partiake (qoftë kjo e majtë apo e djathtë), e ka të qartë se në këtë paragraf nuk përmendet as “për be” dhe “dëshirë” të Zëdhënësit në asnjë rresht të shkrimit, fjalët “konkurs”, “fitues”, e aq më tepër të vihet në dyshim konkursi ndërkombëtar me një juri me personalitetet më të njohura të arkitekturës botërore, siç ishte edhe Kryetari i Jurisë, zoti Hans Ibelings.
– Të aludosh se edhe kjo juri me personalitetet më të mira në botë mund të jetë “korruptuar”, atëherë nuk mbetët gjë tjetër, veçse të themi se “të gjithë na qenkan të korruptuar” dhe kësisoj ne nuk mund të bëjmë asnjë lloj konkursi për vepra të tilla madhore, ku të pranishëm të jenë personalitetet më të njohura në botë.
– Emri i arkitektit të madh Wolfgang Prix, i njohur për realizimin e projekteve të ndryshme muzeale nga Ohaio dhe deri në Shangai, duke përfshirë edhe dy kullat madhështore që do të ndërtohen në Frankfurt nga Banka Qendrore Europiane etj., duhej të “gëzonte” zotin Balla për faktin që z. Prix merrte pjesë në një konkurs të tillë transparent që organizohet në Shqipëri. Pra, nuk është e vështirë që gazetari të informohet për një arkitekt të madh se në cilat konkurse merr pjesë dhe pas këtij informacioni të lançonte emrin e tij, siç e ka shprehur dëshirën që z. Prix të ishte arkitekti për një parlament të ri në Vjenë..
– Aq më tepër që vendimi për ndërtimin e parlamentit të ri është bërë në transparencë e respekt të plotë të vendimit Nr.66, datë 21.10.2010 të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe vendimit unanim Nr.1, datë 2.11.2010 prej të gjithë anëtarëve të Komitetit Shtetëror, duke përfshirë edhe Kryetarin e PS-së dhe Kryetarin e Bashkisë Edi Rama!!
– Një argument tjetër është se pas shpalljes së studios fituese për kompleksin e ri parlamentar, nuk kemi dëgjuar as një zë të vetëm të një arkitekti të shprehë qoftë edhe rezervën më të vogël për kompaninë fituese, kësisoj as për projektin, madje as arkitektët të cilët janë shprehur kundër prishjes së mauzoleumit.
Çdonjëri, pasi lexon këtë shkrim, kupton se dëshira e gazetarit është që Austria të ketë një parlament të ri dhe jo të bëhet një rinovim, pavarësisht, siç thotë autori i shkrimit se “rinovimi i parlamentit austriak mund të sillte disa vota nga disa idiotë!” Interpretimet e shkrimit mund të jenë të shumta, por e vërteta është se gazetari Christian Ortner vlerëson iniciativën për të bërë vepra të guximshme, siç thotë ai në shkrim: “Shansi më i mirë për të ndërtuar një ndërtesë parlamenti transparente, të hapur, e cila do të simbolizonte zemrën e demokracisë.”
Pra, mendoj se vizioni i Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli është largpamës, që Shqipëria të ketë në të ardhmen një monument kombëtar unik, një vepër arti që do zbukurojë kryeqytetin, që do të jetë shtëpia e demokracisë jo vetëm për klasën politike aktuale, por edhe për ata që do të vijnë në të ardhmen, pavarësisht nga përkatësitë partiake. Tempujt e demokracisë në shekuj kanë qenë ndërtesat më të bukura. Pse të mos e kemi edhe ne shqiptarët një të tillë?! Nëse politikanët aktualë nuk do të ndihen komodë në madhështinë e këtij kompleksi të ri parlamentar, të paktën të mendojnë për ata që do t’i zëvendësojnë një ditë!
© Panorama.al












