Zhdukja e Bleonës, policia planifikon kërkime në Tiranë

Mar 30, 2011 | 11:10

TIRANE – Deklaratat e bëra ditët e fundit në media nga Bukurije Mata, nëna e Bleona Matës, vajzës së zhdukur prej afro 10 muajsh, kanë vënë në lëvizje policinë e Tiranës. Pas pretendimeve të nënës së vajzës se ajo po mbahet e fshehur në Tiranë, Policia e kryeqytetit dhe grupi hetimor zhvilluan dje një mbledhje urgjente. Oficerë të Krimeve të Rënda, që drejtojnë hetimet për zhdukjen e vajzës 7-vjeçare, janë mbledhur për rreth 2 orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku kanë analizuar të dhënat dhe kanë ndarë detyrat për kërkimet në terren dhe hetimin e ngjarjes. Dy ditë më parë, Bukurije Mata deklaroi edhe në një intervistë për gazetën “Panorama”, se vajza e saj nuk është dërguar në Greqi, siç pretendohet, por fshihet në Tiranë, në zonat periferike të Kamzës. Sipas saj, nuk është hera e parë që e bën publike, duke akuzuar dhe organet shtetërore për paaftësi në moszbulimin e vajzës së saj. Nga ana tjetër, Bukurije Mata, tashmë e divorcuar me të atin e Bleonës, kërkon që institucionet të angazhojnë ekspertë ndërkombëtarë për gjetjen e së bijës. “Unë si nënë e kam pasur pistën duke u nisur edhe nga fjalët e njerëzve, se pista më e sigurt është që vajza nuk ka qenë fare në Greqi, por është në fshatrat e thella të Tiranës. Unë kam bërë tri herë padi për 5 vajzat dhe duket që nuk po punojnë siç duhet, dhe shteti nuk po punon pastër për çështjen e Bleonës. Shteti vetëm hesht. Unë si nënë i kam bërë kërkesë presidentit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit Lulzim Basha, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, që të punojnë pastër dhe me zemër për gjetjen e vajzës, pasi vajza ka gati një vit që ndodhet në Tiranë dhe që të mos gjendet, kjo është katastrofë për popullin”, shprehet nëna e Bleonës gjatë intervistës. Duket se deklaratat e saj kanë vënë menjëherë në lëvizje drejtuesit e grupit hetimor të Policisë së Shtetit. Në mbledhjen që ata kryen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës duket se detyrat më kryesore u janë ngarkuar inspektorëve të Komisariatit Nr. 5 dhe asaj 6, që mbulojnë zonat e përmendura nga gruaja nga Zapodi i Kukësit. Në këto zona mësohet se kanë nisur patrullimet që prej mbrëmjes së djeshme, ndërsa po vazhdojnë hetimet edhe në rrugë operative.

Nena e Bleones

“Si ka mundësi që 5 vajzat e rritura ta humbin një vajzë 6-vjeçare në atë kohë? Duke qenë se kam bërë padi për to, unë dyshoj dhe akuzoj, ndërsa shteti dhe policia nuk marrin asgjë përsipër. Dhe këtu dyshoj që policia mund të ketë lidhje në zhdukjen e Bleonës dhe nuk bën asgjë për gjetjen e saj. Ne kemi nevojë për shtet, shteti për popull dhe këtë dua unë si nënë: të dënohen vajzat. Dua sa më shpejt gjetjen e Bleonës”, ka thënë Bukurije Mata.

© Panorama.al

Te lidhura