Zhdukja e 17-vjeçarit në Shijak, zhytësit dështojnë në kërkime

Mar 22, 2011 | 9:29

SHIJAK – Prej dy ditësh policia e Durrësit vazhdon kërkimet për gjetjen e 17-vjeçarit Blerti Kodra, i cili është zhdukur pasditen e së shtunës. Sipas familjarëve, adoleshenti kishte dalë për të ruajtur lopën buzë lumit Erzen, në fshatin Memaj, por nuk është kthyer më. Forca të shumta të policisë, kryesisht të Komisariatit të Shijakut, janë vënë në kërkim të Blerti Kodrës. Prej dy ditësh policia ka kërkuar në të gjithë gjatësinë e lumit Erzen, deri në grykëderdhjen e tij, por pa mundur të bjerë në gjurmët e të zhdukurit. Së bashku me efektivat e policisë, në kërkim të 17-vjeçarit kanë dalë vullnetarisht edhe dhjetëra banorë të fshatit dhe të afërmit e tij. Polumbarë të RENEA-s kanë bërë sërish dje disa orë kërkime, kryesisht në vendet e thella të lumit, por pa rezultat. Dëshmitari i vetëm që mësohet ta ketë parë i fundit 17-vjeçarin është Artur Sabjaci, i cili punon në një varrezë makinash, pak metra nga vendi ku dyshohet se është zhdukur Kodra. Sabaci tregon se djali kishte ndezur një zjarr në breg të lumit, ku ka qëndruar për rreth dy orë. Sipas familjarëve, Kodra nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim, çka e bën akoma më të mistershme zhdukjen e tij.      l.m

© Panorama.al

Te lidhura