Zgjedhjet, zbardhen emrat e PD. Në Durrës, Xhaferri

Mar 4, 2011 | 12:31

Partia Demokratike ka nisur publikimin e emrave të kandidatëve në bashkitë kryesore të vendit. Kur kanë ngelur edhe rreth 3 javë nga afati i fundit i përcaktuar në Kodin Zgjedhor për regjistrimin e kandidatëve, demokratët kanë gati një pjesë të emrave në njësitë vendore, ku pritet të zhvillohet edhe gara më e fortë.
Emrat
Dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha bëri thuajse zyrtar përmes batutave emrin e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, për Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë, ditët e fundit duket se ka pasur lëvizje më shumë se në çdo bashki tjetër, në atë të Durrësit. Megjithëse deri pak ditë më parë flitej për kandidimin e kryetarit aktual të degës së qytetit bregdetar, Igli Cara, 48 orët e fundit ka ndryshuar gjithçka. Burime nga selia blu bëjnë të ditur për gazetën se kandidati i koalicionit të djathtë më 8 maj do të jetë ministri aktual i Kulturës, Ferdinand Xhaferri. Deputet prej disa legjislaturash, Xhaferri ka kandiduar edhe 8 vjet më parë në garën për Bashkinë e Durrësit, nën siglën e Partisë Demokrate të Re, parti e cila pas vitit 2005 u shkri me PD-në. Kandidimin e ministrit të Kulturës e konfirmoi dje në një prononcim për gazetën edhe kreu i degës së Durrësit, Igli Cara. Në qytetin e Shkodrës demokratët kanë vendosur të rikandidojnë Lorenc Lukën, i cili garon në tetë maj për të marrë mandatin e dytë. Të njëjtën gjë PD-ja do të bëjë edhe në Bashkinë e Kukësit ku do të rikandidojë kryebashkiaku aktual, Hasan Halili. Një tjetër garë e fortë pas Tiranës, pritet të zhvillohet edhe në Bashkinë e Korçës. Pas dy mandateve radhazi, të fituara nga Niko Peleshi, demokratët kanë vendosur të hedhin në garë prefektin Andrea Mano. Ndërsa në Bashkinë e Vlorës, ashtu siç ishte përfolur prej kohës, në garë nga PD-ja do të jetë deputeti aktual, Ardian Kollozi. Selia blu ka konfirmuar gjithashtu emrin e kryebashkiakut aktual, Edmond Gjoka, për një tjetër mandat në Bashkinë e Sarandës, ndërkohë që është përfundimtar emri i kandidatit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Durim Hushi, në Bashkinë e Elbasanit.
Bashkitë pa emra
Partia Demokratike po vazhdon të negociojë me aleatët pjesën tjetër të bashkive dhe komunave të vendit. Nga bashkitë që janë qendër qarku, demokratët dhe aleatët e tyre nuk kanë ende emrat për Lezhën, Fierin, Beratin, Gjirokastrën dhe Dibrën. Një pjesë e këtyre bashkive të mëdha pritet t’i jepet aleatëve, në këmbim të mbështetjes në ato zona ku demokratët do të kandidojnë përfaqësuesit e tyre. Ndërkohë, bisedimet mes PD-së dhe partive aleate që do të përbëjnë koalicionin e djathtë, vazhdojnë edhe për njësitë bashkiake në Tiranë. Burime pranë LSI-së bëjnë të ditur se deri tani kjo forcë ka marrë tre minibashki në kryeqytet, por ajo kërkon edhe një njësi të katërt. Deri tani, LSI-ja ka konfirmuar emrin e drejtorit të Transportit Rrugor për Tiranën, Elez Gjoza, në Njësinë Nr. dy. Përveç LSI-së, një njësi bashkiake pritet ta marrë Partia Republikane dhe me shumë gjasa do të jetë sërish Njësia Nr. 8.

Kerkesat e LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim po vijon negociatat me PD-në për ndarjen e bashkive e komunave të vendit dhe pritet që brenda pak ditëve të finalizohet marrëveshja. Burime nga LSI bëjnë të ditur se përveç Bashkisë së Elbasanit dhe tre njësive në Tiranë, të cilat tashmë janë siguruar, kjo forcë politike kërkon gjithashtu edhe Bashkinë e Lushnjës, Pogradecit, Gjirokastrës, Lezhës, Urës Vajgurore, Poliçanit, Çorovodës, komunën e Otllakut dhe disa njësi të tjera vendore. Kërkesat e LSI-së janë duke u shqyrtuar nga të mandatuarit e PD-së, Astrit Patozi dhe Flamur Noka.

Kriteret e ndarjes së zonave

Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur për gazetën “Panorama”, se kriteri mbi të cilin do të ndahen bashkitë dhe komunat me aleatët, do të jetë numri i votave në zgjedhjet lokale të katër viteve më parë. Sipas këtij kriteri, numrin më të madh të zonave do ta marrë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe pas saj vjen PR-ja, e cila në 2007 mori rreth 75 mijë vota. Pas LSI-së e PR-së vijnë me një diferencë të vogël votash Partia Aleanca Demokratike e Neritan Cekës, e cila në atë kohë
në aleancë me PS-në ka marrë 47 mijë vota, ndërsa PAA-ja e Xhuvelit 49 mijë vota. Adi Shkembi

Kandidatët e koalicionit

• Tiranë        Lulzim Basha
• Durrës        Ferdinand Xhaferri
• Shkodër        Lorenc Luka
• Korçë            Andrea Mano
• Vlorë            Ardian Kollozi
• Sarandë        Edmond Gjoka
• Kukës        Hasan Halili
• Elbasan        Durim Hushi (LSI)
• Njësia 2        Elez Gjoza (LSI)

© Panorama.al

Te lidhura