Zgjedhjet, vetëm 17 gra kandidate

Mar 30, 2011 | 9:49

Me gjithë deklaratat mediatike për barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e sa më shumë grave në jetën politike, gjithçka mbetet ende demagogji.Lista e publikuar së fundi, e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për kandidatët në 384 njësi vendore në të gjithë vendin, për zgjedhjet e 8 majit, e konfirmon sërish këtë fakt. Dy koalicionet “Aleanca për qytetarin”, e kryesuar nga Partia Demokratike dhe “Aleanca për të ardhmen”, e kryesuar nga Partia Socialiste, nuk kanë të dyja bashkë më shumë se 17 kandidate zonja në listat që kanë depozituar dy ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më konkretisht, Partia Socialiste numëron 9 kandidate gra, ndërsa PD-ja e LSI-ja kanë secila nga katër kandidate. Përballjet e forta dhe politizimi i garës, duket se ka ndikuar edhe këtë herë që dy partitë e mëdha të vendosin meshkujt në garën për kryetarë të bashkive dhe komunave. Nga 17 kandidate që kanë dy koalicionet në garën e zgjedhjeve lokale, 5 janë vetëm në qytetin e Tiranës (3, PS-ja dhe 2, LSI-ja). Në njësinë 1 dhe 5, PS-ja ka rikandiduar Lindita Nikollën dhe Jeta Seitajn, ndërsa në njësinë 10, Enada Alikon. Ndërsa LSI-ja ka kandiduar Erisa Xhixhon në njësinë 5 dhe rikandiduar Luzhiana Abazin në njësinë 6. Për sa i përket Partisë Demokratike, selia blu ka vendosur dy zonja në garën për Bashkinë e Ballshit dhe Memaliajt si dhe dy zonja në komunat Fratar dhe Qendër-Memaliaj. Në listën e grave bie në sy gjithashtu kandidimi nga ana e PS-së e ish-banores së “Big Brother”, Republika, në komunën e Lazaratit, një bastion ky i Partisë Demokratike. Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët të përfaqësimit të grave në listat për bashkitë dhe komunat, asgjë nuk i pengon partitë t’i certifikojnë ato në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo sepse Kodi Zgjedhor parashikon detyrimin për të pasur 30% gra vetëm në listat e anëtarëve të këshillave bashkiake e komunale, dhe jo në garën direkte për kryetarë bashkie e komune. Ligji i miratuar me konsensusin e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste tre vjet më parë, ka vetëm një dispozitë, ku thuhet se “për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore, duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini”.

Kodi Zgjedhor parashikon përfaqësimin e 30% të grave vetëm në këshillat bashkiake dhe komunale. “për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini”, thuhet në nenin 67 të Kodit.

9 gra ps
Partia Socialiste ka kandiduar nëntë zonja në zgjedhjet e 8 majit për kryetarë bashkie dhe komunash. Nga këto, tre zonja kandidojnë për bashki, 3 për minibashkitë e Tiranës dhe 3 për komunat

8 gra pd-lsi
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë kandiduar së bashku 8 zonja në 385 bashkitë dhe komunat e vendit. Secila nga forcat politike ka vendosur në listë nga katër zonja

Zgjedhjet ’09

Dy partitë kryesore, PD-ja e PS-ja shkelën Kodin Zgjedhor dy vjet më parë kur në listat e kandidatëve për deputetë nuk kishin përcaktuar 30% të grave. Kjo bëri që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’ua kthente listat për të futur më shumë zonja. Në të njëjtën kohë, edhe partitë e tjera kanë pasur probleme me listat dhe shumicës së tyre iu kthyen, për të përfshirë më shumë gra në garën e 28 qershorit.

Këshilltarët

Në listat e kandidatëve për këshilltarë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë treguar më të kujdesshme ndaj përfaqësimit të zonjave. Listat e të dyja partive kryesohen nga dy zonja, respektivisht zv.ministrja e Integrimit, Jorida Tabaku nga PD-ja dhe anëtarja e kryesisë së PS-së, Mimoza Hafizi. Në total, Partia Demokratike ka futur 15 kandidate gra në 50 emra të propozuar, ndërsa PS-ja, 14, në 38 emra të propozuar.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura