TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka apeluar sot për pjesëmarrrje masive në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke kujtuar se ato duhet të jenë të drejta, të ndershme dhe rezultatet të administrohen me korrektesë.
Deklarata e kreut të shtetit u bë sot gjatë takimit të zhvilluar me Drejtorin Rajonal për Ballkanin Perëndimor në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, zotin Daniel Fërn dhe ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam.
Topi nënvizoi gjatë takimit domosdoshmërinë se përmbushja e standardeve integruese është një detyrim për shtetin shqiptar në shërbim të interesave dhe aspiratave madhore të popullit shqiptar. “Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, sidomos duke pasur parasysh trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit dhe zvarritjen e papranueshme të procesit gjyqësor të saj, në mënyrë që “qytetarëve shqiptarë t’u rikthehet plotësisht besimi tek drejtësia.”- bëri me dije zyra për shtyp e Presidentit.
Nga ana e tij, Fërn, pasi vlerësoi rolin kyç dhe jetësor të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, e siguroi Kreun e shtetit shqiptar mbi mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar dhe institucioneve të saj për konsolidimin e demokracisë shqiptare, për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura kushtetuese.
© Panorama.al











