Kryetari socialist, Edi Rama, do të mbledhë sot kryesinë e kësaj partie për çështjet e zgjedhjeve.Qëllimi i kësaj mbledhjeje është përcaktimi i kushteve të shkruara që socialistët kërkojnë të plotësohen për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të artikuluar pak javë më parë nga kryetari i grupit parlamentar, Ruçi, kryesia do të hartojë dhe miratojë në një dokument kushtet, që socialistët kërkojnë si garanci për zgjedhjet e 8 majit. Socialistët do t’i kërkojnë maxhorancës të rikompozojnë bashkërisht një “Komision të ri Qendror të Zgjedhjeve”, sipas një formule të re, që do të japë sipas tyre më shumë garanci në vendimmarrje. Sipas tyre, KQZ e re duhet të ketë tre anëtarë nga PS, tre anëtarë nga PD dhe një anëtar të propozuar nga presidenti i republikës. Gjithashtu, ata do të kërkojnë që listat përfundimtare të zgjedhësve të kontrollohen dhe të certifikohen edhe nga opozita dhe jo vetëm nga Drejtoria e Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme. Socialistët do të kërkojnë që dokumentet e identifikimit të jenë sa më të verifikueshme. Një tjetër kërkesë e tyre për të garantuar një proces të lirë dhe të ndershëm, do të jetë dhe verifikimi në mënyrë elektronike i kartës së identitetit dhe pasaportës së shtetasve. Në përpjekje për të arritur sa më shumë barazi dhe garanci për zgjedhje të lira, socialistët do të kërkojnë edhe disa kushte që kanë të bëjnë me rolin e policisë dhe të administratës publike në fushatën dhe zgjedhjet e 8 majit. Të gjitha këto kërkesa, por dhe të tjera, kryesia socialiste pritet t’i diskutojë sot për të dalë me një qëndrim të qartë politik që do të mundësojë dhe një angazhim të maxhorancës, për të mos dështuar zhvillimin e zgjedhjeve në 8 maj.
Asambleja
Të premten, Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, ku pritet t’i paraqitet dhe propozimi i kryesisë me kushtet për garancitë që kërkohen për zgjedhjet e 8 majit. Gjithashtu pritet që në Asamblenë Kombëtare të së premtes, pritet të miratohen dhe udhëzimet me kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve socialistë për komunat dhe bashkitë. Mbi bazën e këtyre kritereve, do të bëhet dhe seleksionimi i kandidatëve të shumtë që janë evidentuar javët e fundit për të qenë nën siglën e PS në 8 maj. Ndërsa Partia Demokratike ka përcaktuar shumë nga kandidatët e saj dhe të aleatëve për komunat dhe bashkitë, opozita duket e vonuar në këtë përpjekje, për shkak të qëndrimeve të saj “për të mos bojkotuar zgjedhjet vendore por për të mos lejuar që ato të zhvillohen në kushtet aktuale politike”. Kreu socialist, në takimet e fundit me socialistë dhe mbështetës të PS, ka këmbëngulur që zgjedhjet për pushtetin vendor të konsiderohen si zgjedhje politike dhe jo-administrative, duke kërkuar që pas fitores së PS në këto zgjedhje, të lindë natyrshëm kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Një përballje mes dy partive PD-PS dhe jo mes kandidatëve respektivë në çdo komunë dhe bashki, pritet të ndezë fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 majit.
Kërkesat e PS
• KQZ, e balancuar dhe e garantuar nga Presidenti;
• Listat zgjedhore të kontrolluara dhe të certifikuara nga opozita;
• Karta identiteti e pasaporta të verifikuara elektronikisht;
• Polici të paanshme dhe të ndarë nga qeveria e Partia Demokratike;
• Qeveria të vihet nën kontroll për përdorimin e parave publike dhe aseteve publike në funksion të partisë
Aleatët i dorëzojnë Ramës kërkesat për komuna dhe bashki
Aleatët e Partisë Socialiste kanë paraqitur ditët e fundit kërkesat e tyre për bashkëpunim në zgjedhjet vendore të 8 majit. Dje, kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi u takua me kryesocialistin në selinë rozë. Pas takimit, që zgjati rreth 45 minuta, nuk pati asnjë njoftim zyrtar, pasi takimet e tyre kohët e fundit janë shumë të shpeshta. Por burime pranë PSD-së, pohuan dje se qëllimi i këtij takimi ishte bërja e njohur kreut socialistë të pretendimeve, që kjo parti ka për zgjedhjet e 8 majit, ku kërkon mbështetje të kandidatit socialdemokrat në disa bashki dhe komuna. Mësohet se janë disa dhjetëra bashki dhe komuna që kërkohen nga Gjinushi, ku ai kërkon mbështetje nga elektorati i PS-së, për t’i fituar ato. Nuk mësohet nëse Rama i ka mirëpritur këto propozime, por kryesocialisti ka nisur ditët e fundit konsultime direkte me kryetarët e partive opozitare, për të marrë prej tyre kërkesat e propozimeve që ata kanë si parti. Pak ditë më parë, kreu i PDS-së, Paskal Milo, e ka njohur Edi Ramën me pretendimet që ka kjo parti për zgjedhjet e 8 majit, duke i adresuar kërkesë me disa dhjetëra komuna dhe bashki. Konsultimet me aleatët, bëhet pak ditë para shpalljes nga asambleja Socialiste të kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët socialistë për kryetarë komunash dhe bashkish. Nuk dihet se në ç’formë do të jetë bashkëpunimi i PS me partinë e avokat Ngjelës, apo Partisë së Gjelbër, të PSV91, Partisë së Pensionistëve të Bashkuar etj. Mësohet se disa prej tyre do të mjaftohen vetëm me kandidimin për këshilltarë të bashkive apo komunave në të gjithë vendin.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











