Zgjedhjet, PD firmos paktin me aleatët

Mar 17, 2011 | 9:40

Partia Demokratike do të bëjë koalicion me 22 parti të tjera për zgjedhjet lokale të 8 majit.Forcat e djathta, përfshi edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, do të dalin së bashku në zgjedhje, me emrin “Aleanca për qytetarin”. Procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve ka filluar mbrëmë në darkë në selinë e Partisë Demokratike, ku i pari ka nënshkruar kryeministri Sali Berisha, më pas kreu i LSI-së, Ilir Meta, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe ai i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia. Deri në orën 22.00 të mbrëmjes e kanë firmosur marrëveshjen 16 prej partive që do të jenë së bashku me Partinë Demokratike, ndërkohë që pjesa tjetër do ta nënshkruajë sot. Numri i partive që do të dalin me PD-në në këto zgjedhje, pritet të jetë më i madh edhe se ai i dy viteve më parë, kur demokratët kishin rreth vetes 15 parti të tjera.
Koalicioni me LSI
Në listën e partive aleate, ashtu siç edhe pritej, numrin më të madh të bashkive do ta marrë Lëvizja Socialiste për Integrim. Burime nga të dyja partitë bëjnë të ditur për gazetën se LSI deri tani ka marrë 10 bashki, nga 66 që ka gjithsej Shqipëria. Më konkretisht, Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë kandidatët e saj në tri bashki që janë qendër qarku, në Lezhë ku do të rikandidojë kryebashkiaku aktual Viktor Tushaj, në Elbasan do të garojë ish-deputeti i PS-së, tani anëtar i LSI-së, Durim Hushi dhe në Gjirokastër Genci Sinoimeri. Në të njëjtën kohë, LSI-ja do të marrë edhe shtatë bashki të tjera që janë Pogradeci, Lushnja, Përmeti, Orikumi, Rrogozhina, Erseka dhe Çorovoda. Nga këto 10 bashki që ka marrë LSI-ja, vetëm dy prej tyre, Lezha dhe Lushnja, janë fituar katër vjet më parë nga kjo parti, dy bashki (Përmeti dhe Orikumi) janë fituar nga Partia Demokratike dhe gjashtë të tjerat nga Partia Socialiste. Ndërkohë burime nga LSI-ja bëjnë të ditur për gazetën se është ende duke u negociuar Bashkia e Beratit, të cilën të dyja forcat kryesore të koalicionit e pretendojnë. Gjithashtu, partia e dytë më e madhe e koalicionit do të ketë edhe katër njësi bashkiake në Tiranë, përkatësisht njësinë 2, 3, 5 dhe 6.
Gara në Tiranë
Ndërkohë që demokratët po ndajnë zonat me aleatët, nuk ka ngelur mbrapa as Bashkia e Tiranës. Mësohet se gjatë këtyre ditëve është vendosur që kandidatura e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, të shpallet publikisht, një javë përpara se të skadojë afati përfundimtar i vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo datë përkon edhe me një ngjarje të rëndësishme, pikërisht me 22 marsin, ditën kur demokratët përmes zgje-dhjeve erdhën në pushtet për herë të parë në 1992. Gjatë ditëve të fundit, kandidati i demokratëve për Bashkinë e Tiranës, ka pasur një axhendë të ngjeshur me bazën e partisë. Dy ditë më parë, Basha është takuar me anëtarët e njësisë bashkiake nr. 4 ndërsa gjatë ditës së djeshme ka pasur takime me anëtarësinë e njësisë 8 dhe njësisë 10. Partia Demokratike në Tiranë do të ketë pesë njësi bashkiake ku do të propozojë kandidatët e saj, ndërsa aleatët do të kenë gjashtë të tjera, LSI 4, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet një minibashki dhe Partia Republikane një minibashki.

Bashkitë e LSI

Lezhë
Elbasan
Gjirokastër
Pogradec
Lushnjë
Përmet
Orikumi
Rrogozhina
Erseka
Çorovoda

Partitë që firmosën mbrëmë

PD
LSI
PR
PLL
PDIU
PAA
LDK
PBK
PBLD
PAD
PBKD
PDRESH
P. Konservatore
PDM e Re
POSH
PAEE
PPAK

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura