ILIR KALEMAJ
Tashmë, me dorën e fundit të përcaktimit të kandidaturave për zgjedhjet lokale, çka nuk surprizoi askënd, pasi priteshin emrat e përfolur në media, duket se palët së fundi kanë përveshur mëngët në atë që më tepër është zgjedhje politike, sesa administrative, për shkak të rrethanave aspak të zakonshme. Jetojmë në kohëra interesante, do të thoshte dikush. Në fakt, jo dhe aq, pasi këtejpari kështu vazhdon tashmë të jetë prej dekadash. Më tepër ujë, apo më tepër miell, pak gjë i shton kulaçit që na ka gatitur politika edhe kësaj here. Me të drejtë qytetari sot nuk ka zgjidhje. Ose më saktë, nuk ka zgjidhje aspak të lehtë. Shqiptarët janë inteligjentë dhe kanë votuar kryesisht për të keqen më të vogël, qoftë në zgjedhjet e përgjithshme, qoftë në ato lokale. Për shembull, kur vajtën e votuan në zgjedhjet e përgjithshme PD-në në vitin 1992 dhe në 1996-n, apo PS-në në vitin 1997 dhe në 2001-shin dhe sërish PD-në në 2005-n, pas korrupsionit kapilar që u institucionalizua boll mirë nga qeveria “Nano”. E njëjta tablo pak a shumë edhe në zgjedhjet lokale, ndonëse këtu, nga vetë fjala, edhe koloriti lokal duhet marrë më tepër parasysh. Është pikërisht fjala për bastionet që nuk para kalojnë nga njëra dorë në tjetrën, për fatin e keq të atyre që qeverisen.
Por kë votojnë shqiptarët dhe a kanë mundësi vërtet të zgjedhin? Në fakt, mundësia është goxha e kufizuar po të merren parasysh disa faktorë strukturalë, si fjala bie, vështirësimi, gati pamundësia e lejimit të hyrjes së aktorëve nga forcat e treta apo të pavarurit. Këta mund të kandidojnë vetëm nëse kanë bekimin e partive të mëdha dhe u lihen zona të lira. Ndryshe i bie ta kenë të humbur davanë që në fillim. Ndërkohë që vetë partitë janë kthyer në aparate të centralizuara, ku baza militante voton kryetarin iks që në këmbim i shpërblen me vende punë në rast fitoreje. Jo më kot pjesa më e madhe e popullsisë, ajo që rëndom përkufizohet si popullata “gri” për ta diferencuar nga ngjyrat e forta të anëtarëve të thekur, i duhet të votojë mes dy zgjedhjeve të paracaktuara, gjithnjë duke pasur parasysh që të bëjë sa më pak dëm me votën e vet. Domethënë, më tepër se zgjedhje e lirë, kjo lloj vote kthehet në një barrë që duhet hedhur për atë që ka gjasa të bëjë më pak dëm, pasi dihet që motivimi kryesor i të zgjedhurve qendrorë dhe lokalë fillimisht është sigurimi i postit nëpërmjet sistemit të shpërblimit të pasuesve që e kanë mbështetur, duke kalcifikuar pozicionin aktual, si dhe fuqizimi i bazës ekonomike që të ketë mundësi të konkurrojë bindshëm edhe në garat pasuese, dhe vetëm nëse i del koha, energjitë dhe llogaritë, mund të japë edhe ndonjë kontribut të çfarëdoshëm në mirëqeverisje. Pra vjen e fundit si logjikë arsyeja për të cilën është votëbesuar nga një publik që, me thënë të drejtën, nuk është se ka ndonjë pritshmëri edhe kësaj radhe.
Ky parashtrim i mësipërm nuk është aspak një thirrje deprimuese për mos të votuar duke parë atmosferën aspak optimiste rreth e qark, ku qartazi mungojnë zgjidhjet optimale dhe aktorë që të cytin ndonjë fije entuziazëm. Përkundrazi, shërben si një parantezë për të ravijëzuar një a dy mendime se si duhet të votojë shtetasi i paangazhuar politikisht, por që i dhimbset qyteti apo fshati i tij dhe dëshiron të shohë pak më tepër punë publike të kryera nga taksat që i paguan të dyja niveleve të pushtetit. Duke qenë se zgjedhjet e kaluara lokale u deklaruan të fituara nga të dyja palët (PS-ja për fitoren e arritur në bashkitë kryesore, ndërsa PD-ja për atë të arritur në shumicën e komunave), situata bëhet edhe më interesante. Aq më tepër po t‘u vihet veshi ideve të artikuluara së fundi për t‘u parë si një lloj testi referendar për ngërçin politik që ka dy vjet që mban të mbërthyer vendin në një krizë të paprecedentë politike, edhe për rastin e Shqipërisë.
Nëse këto zgjedhje arrijnë të perceptohen si referendum nga ana e shumicës së qytetarëve mbi ngërçin politik artificial që e kanë pjellë aktorët e politikës qendrore, atëherë ngelet për t‘u parë dhe studiuar rezultati. Personalisht mendoj se do të jetë një kombinim i kësaj bashkë me vendimin për entuziazmin apo zhgënjimin e grumbulluar nga qeverisja lokale dhe qendrore e viteve të fundit. Nëse i referohemi Tiranës (që njëkohësisht si logjikë mund të shtrihet edhe në qytetet e tjera kryesore), ka të paktën dy rrafshe qendrore analitike. Së pari, nëse Rama fiton për herë të katërt Bashkinë më të rëndësishme në vend dhe disa nga beniaminët e tij fitojnë veçanërisht në Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Korçë, tregon që elektorati ka votuar politikisht. Pra, mes kandarit për zvarritjen e punëve publike në këto qytete dhe alternativës së një kandidati të mbështetur nga maxhoranca, pra teorikisht më të prirë drejt produktit konkret së paku në këto dy vite që na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme, kanë parë si të keqen më të vogël balancimin e pushteteve, sesa konsumimin ardhur nga jetëgjatësia politike në krye të bashkisë iks. Kjo është një hipotezë e pranueshme po të kihet parasysh se ekzistojnë gjasat që këto dy vite të punohet vërtet dhe me entuziazëm nga rishtarët (nëse arrijnë të fitojnë) dhe të mbështetur fuqimisht nga qeveria qendrore (sipas modelit “Meta” në vitet kur ishte kryeministër). Problemi themelor me këtë lloj zgjidhjeje janë pasojat afatmesme dhe afatgjata, të cilat do të reflektohen pas zgjedhjeve të përgjithshme dy vjet më vonë. Nëse maxhoranca aktuale fiton shumicën dërrmuese në pushtetin lokal, gjasat janë të fitojë sërish në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2013-s. Nëse vazhdojmë me logjikën e kësaj, kjo mund të sillte zhbalancim pushtetesh, forcim të autoritarizmit, “kapje” të mëtejshme të institucioneve shtetërore, rritje galoponte të korrupsionit dhe një opozitë të fragmentarizuar që mund të shkërmoqej edhe më tej pas largimit të Ramës dhe lufta për pushtet që mund të vijonte.
Nga ana tjetër, nëse marrim hipotezën e dytë, pra Rama dhe të tijtë vazhdojnë t‘i mbajnë qytetet kryesore dhe së paku ruajnë të njëjtin rezultat ose e përmirësojnë disi atë në zonat rurale, atëherë evitohet rreziku i përqendrimit të pushteteve, por rrezikohen qartazi punët publike. Të zgjedhurit vendorë socialistë, përveçse të konsumuar nga vitet e gjata të qëndrimit në pushtet, të përfolur për afera korruptive, shpesh të bëra hapur dhe ditën me diell, dhe rënies së rendimentit nga viti në vit, nuk kanë për të pasur as mbështetje buxhetore nga administrata qendrore, as vullnet për të bërë ndryshime që kanë mbi një mandat që i kanë lënë pas dore dhe as kohë fizike dhe energji, të cilat i kanë drejtuar kryesisht drejt mbajtjes së funksioneve partiake apo organizimit që pritet të fillojë herët për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s. Pra dy vite, ku qytetarëve të këtyre qyteteve u bie të presin pak apo aspak zhvillime të reja infrastrukturore, shtime sipërfaqesh të gjelbra, kanalizime apo shërbime të tjera jetike për të cilat duhet të zgjidhen të zgjedhurit vendorë. Atëherë, si i bie të votojnë të paangazhuarit? Kjo varet se kë konsiderojnë më të rëndësishëm dhe jetik për fatin e tyre: kërcënimin e demokracisë, apo kërcënimin e mirëqenies dhe sesi kalkulojnë: në baza afatshkurtra, apo afatmesme dhe afatgjata?











