Zgjedhjet, emrat e PD-së në Tiranë

Mar 7, 2011 | 10:11

Gazeta publikon sot listën e plotë të kandidatëve të koalicionit të djathtë, që do të garojnë në zgjedhjet lokale në 8 maj në qytetin e Tiranës. Pas disa ditë negociatash mes PD-së dhe partive aleate, është rënë dakord që LSI-ja, PR-ja dhe PDIU-ja, parti të cilat përfaqësohen me deputetë në Parlament, të kenë mbështetjen e demokratëve në gjashtë njësi bashkiake.
Kandidatët
Lëvizja Socialiste për Integrim, forca e parë politike me të cilën demokratët nisën bisedimet për daljen së bashku në zgjedhjet lokale, ka propozuar kandidatët e saj në katër njësi bashkiake, të cilat në zgjedhjet e katër viteve më parë janë fituar nga koalicioni i PS-së. Konkretisht në njësinë 2 do të kandidojë, Elez Gjoza, në njësinë 3, Ilir Kokona, kryetari aktual i minibashkisë, i cili vetëm pak ditë më parë zyrtarizoi kalimin te LSI-ja. Në njësinë 5, e cila përfshin zonën e Tiranës së Re, minibashki e fituar thellësisht nga PS-ja, LSI-ja ka propozuar për të kandiduar kryetaren e Forumit Rinor, Erisa Xhixho, ndërsa në njësinë gjashtë, edhe ky një bastion i PS-së, do të kandidojë kryetarja aktuale e minibashkisë, Luzhiana Abazi. Në negociatat e zhvilluara javën e fundit demokratët kanë lënë zona të lira edhe për aleatët e tjerë. Konkretisht, Partia Republikane, forca e tretë për nga numri i votave të koalicionit, ka mundur të mbajë sërish njësinë bashkiake nr. 8, ku përfshihet zona e Medresesë, një bastion ky i demokratëve dhe ku do të rikandidojë Arben Tafaj. Njëkohësisht PD-ja i ka lënë një zonë të lirë edhe partisë çame, PDIU-së, e cila nga ana e saj ka propozuar ish-futbollistin dhe trajnerin e Tiranës, Krenar Alimehmeti. Por, qendërmbrojtësi bardheblu nuk do të jetë i vetmi futbollist në listën e kandidatëve për kryetarë të njësive bashkiake, për koalicionin e djathtë. Pas eksperiencës së vitit 2009, PD-ja ka vendosur të kandidojë në njësinë 9, e cila përfshin zonën e Trenit, ish- sulmuesin e Tiranës dhe të kombëtares, Indrit Fortuzi. Këshilltari aktual i ministrit të Kulturës, ishte kandidat i PD-së në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme të dy viteve më parë. Në njësinë 1, PD-ja do të kandidojë Ariana Bekteshin, në njësinë 4, Hysen Gjurën, në njësinë 10 do të rikandidojë Blendi Fuga dhe në njësinë 11, Alfons Muça.

Kandidatët në 11 njësitë në Tiranë.

NJESIA NR. 1      ARIANA BEKTESHI     (PD)
NJESIA NR. 2      ELES GJOZA              (LSI)
NJESIA NR. 3      ILIR KOKONA              (LSI)
NJESIA NR. 4      HYSEN GJURA              (PD)
NJESIA NR. 5      ERISA XHIXHO             (LSI)
NJESIA NR. 6      LUZHIANA ABAZI       (LSI)
NJESIA NR. 7      KRENAR ALIMEMETI     (PDIU)
NJESIA NR. 8      ARBEN TAFAJ              (PR)
NJESIA NR. 9      INDRIT FORTUZI       (PD)
NJESIA NR.10     BLENDI FUGA               (PD)
NJESIA NR.11     ALFONS MUCA               (PD)

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura