TIRANË- “Faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike”. Kete mendim kane ndare se bashku, kreu i shtetit shqiptar dhe ambasadorët e SHBA-së, OSBE-së dhe BE-së, akredituar në Tranë, gjate takimit mes tyre pasditen e sotme ne Precidence.
“Ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart shprehën kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, të cilin e konsideruan si tepër të rëndësishëm, dhe ndanë të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit”- thuhet ne njoftimin e zyres se shtypit, publikuar ne faqen zyrtare pak pas mbylljes se takimit.
Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura. Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj 2011.
Nis takimi me ambasadoret
I pari që ka mbërritur në godinën presidenciale ka qenë ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, e pas tij edhe dy te tjeret.
Mësohet se tema e bisedës ndërmjet përfaqësuesve të lartë Arvizu, Sequi dhe Wollfarth me kreun e shtetit shqiptar, Topi, është situata parazgjedhore, përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit për pushtetin vendor dhe garantimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme e të drejta.
Ambasadorët kanë apeluar shumë herë për rëndësinë që kanë këto zgjedhje për qytetarët shqiptarë dhe vendin, duke kërkuar prej politikës shqiptare qetësi, maturi dhe dialog konstruktiv, fushatë elektorale qytetare e të denjë për një vend që aspiron të integrohet në BE.
Vetëm një ditë më parë, Topi theksoi se zgjedhjet duhet të kenë pjesëmarrje masive, qytetarët duhet të jenë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe rezultati i zgjedhjeve duhet të administrohet me korrektesë të plotë.
© Panorama.al











