
Tryeza e partive parlamentare për zgjedhjet e 8 majit dështoi dje pa asnjë rezultat. Iniciatori i saj, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, paraqiti një draft-marrëveshje për një angazhim të partive për zgjedhjet vendore, ndërsa Partia Socialiste, e cila përfaqësohej nga Gramoz Ruçi dhe Damian Gjiknuri, nuk e kundërshtoi në parim, por paraqitën kushtet e tyre.Pas dy orë e gjysmë debat, palët nuk arritën asnjë rezultat dhe ende nuk dihet fati i kësaj tryeze, nëse partitë parlamentare do të rikthehen në të për të firmosur draftin, me ose pa ndryshime. Kreu i grupit demokrat propozoi një draft marrëveshje me 16 pika, e cila mbështetet në të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe ftoi partitë parlamentare, të pranishme në tryezë, PS-ja, LSI-ja, PBDNJ-ja, PDIU-ja dhe PR-ja ta firmosin. Patozi u shpreh i hapur për sugjerime dhe plotësime të këtij drafti. Nga ana e tij, kreu i grupit PS-së, Gramoz Ruci, tha se ishte dakord me marrëveshjen, por duheshin përfshirë dhe 8 kushtet e tyre, ndër të cilat dhe transparenca post elektorale, transparencë të listave të zgjedhësve dhe anulimi i vendimeve të KQZ-së, që janë miratuar me shumicë të thjeshtë dhe që kërkojnë shumicë të cilësuar. Sipas tij, vullneti politik që kërkon të tregojë maxhoranca duhet të kthehet në iniciativa ligjore. Ruçi ka risjellë në tryezë katër kërkesat kryesore të socialistëve. Kreu i grupit të PS-së, Ruçi, tha se në marrëveshje duhej të përfshihej transparenca post elektorale dhe për këtë kërkohej ndërhyrje në ligjin zgjedhor, transparenca dhe monitorim i listave zgjedhore deri ditën e zgjedhjeve nga PS-ja dhe identifikim të kartës së identitetit në çdo qendër votimi. Gjithashtu, Ruçi kërkoi rikthim sipas tij të ligjshmërisë së KQZ-së dhe kjo të arrihet përmes revokimit të të gjitha vendimeve të jashtëligjshme që ky institucion ka marrë, si dhe kthimin e vendimeve që kërkojnë shumicën e cilësuar, “të cilat, sipas tij, nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por me zbatimin e tij”. Nga ana e tij, Patozi i ka cilësuar këto propozime jashtë objektit të kësaj tryeze, duke këmbëngulur se draft marrëveshja e tij ishte në respekt të plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Kreu i grupit të deputetëve socialistë kërkoi kohë që ekspertët e të dy partive të ulen dhe të shohin mundësinë e përafrimit të qëndrimeve të palëve, ndërsa për datën e mbledhjes së tryezës së ardhshme, kjo sipas tij, do të varet nga rezultati i negociatave. Në këtë mënyrë, pa arritur asgjë, por duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit në nivel ekspertësh, PS-ja u largua nga tryeza, duke i dhënë në këtë mënyrë fund përpjekjes së djeshme për një marrëveshje bashkëpunimi para zgjedhjeve të 8 majit.
Propozimet e Patozit
Partitë do të shmangin ushtrimin e presionit mbi zgjedhësit apo punonjësit e administratës në nivel qendror e vendor, për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në aktivitete të fushatës zgjedhore të subjekteve politike;
Partitë bien dakord që të udhëzojnë dhe marrin masat e duhura që anëtarët e komisioneve zgjedhore, të emëruar mbi propozimin e tyre sipas përcaktimeve ligjore, përfaqësuesit pranë administratës zgjedhore, kandidatët e paraqitur prej tyre dhe vëzhguesit, do të zbatojnë me përpikëri çdo rregullim ligjor dhe nënligjor në fuqi
Partitë do të bëjnë gjithçka që anëtarët e komisioneve të emëruar me propozimin e tyre të qëndrojnë në detyrë, sipas përcaktimeve ligjore, gjatë periudhës parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas zgjedhore. Ata nuk do të braktisin detyrën dhe, kur është e nevojshme, do të marrin masa për zëvendësimin e menjëhershëm të tyre, sipas afateve të përcaktuara në ligj dhe akte nënligjore;
Partitë, në asnjë rast, nuk do të udhëzojnë anëtarët e tyre në administratën zgjedhore të çdo niveli që të largohen nga detyra me vulën përkatëse, në përdorim të tyre sipas ligjit apo çdo dokument apo material tjetër zgjedhor të nevojshëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, veçanërisht vulat e KQV-ve, gjatë ditës së votimit;
Partitë angazhohen që komisionerët të bashkëpunojnë kolegjialisht, me vullnet të plot, në mbarëvajtjen e procesit të votimit për të penguar, në përputhje me aktet e KQZ-së, tentativat për votim familjar dhe të çdo praktike tjetër të paligjshme votimi;
Kushtet e Ruçit
Transparenca post elektorale; ju kërkojmë të bëjmë së bashku çdo lloj ndërhyrje të nevojshme ligjore e institucionale që mirëpërcakton qartë transparencën post zgjedhore.
Transparenca e listave zgjedhore; propozojmë krijimin e aksesit të nevojshëm për opozitën në nivel qendror, për të monitoruar apo pasur raportet e nevojshme për të gjitha ndryshimet e ndodhura në listat paraprake zgjedhore për çdo njësi vendore
Identifikimi i zgjedhësve; përdorimi i makinave lexuese në qendrat e votimit do të mundësonte identifikimin e plotë të zgjedhësve dhe shmangë përfundimisht votimet fiktive,
Rikthimi i ligjshmërisë në KQZ; Revokimin tërësisht të vendimeve të jashtëligjshme. Kthimin e vendimeve me shumicë të cilësuar në respektim të detyrimit të Kodit Zgjedhor, devijimi i kërkesave të ligjit për vendimmarrjen me shumice të cilësuar, është evidente në shumë nga aktet e KQZ-së.
Funksionim i institucionit të KQZ-së mbështetur në ligj dhe në rregullore. KQZ-ja është i vetmi institucion në Shqipëri, i cili nuk ka akoma një rregullore të miratuar me gjithë insistimin e vazhdueshëm të anëtarëve të propozuar nga opozita që një vit më parë
Vangjel Dule
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, tha dje gjatë tryezës së partive parlamentare se është pro marrëveshjes, me kusht që të mos bëhet asnjë kufizim për mundësinë e ndryshimit të ligjit dhe Kodit për transparencën post zgjedhore. “Drafti tregon se në Shqipëri zgjedhjet nuk zhvillohen në bazë të ligjit, por mbi bazën e vullnetit politik të partive. Të mos kemi tabu as për ndryshimin e kodit apo ligjit”, u shpreh Dule.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











