Partia Socialiste nuk ka përmbyllur asnjë marrëveshje me aleatët e saj në komisionin e majtë.Socialistët ende nuk i kanë kthyer përgjigje kërkesave të aleatëve të tyre tradicionalë dhe të rinj për komunat dhe bashkitë ku pritet të bashkëpunojnë me kandidatë të përbashkët. Përfaqësues të partive anëtare të koalicionit me PS-në thanë dje për “Panorama” se nuk po kuptojnë ngurrimin e PS për të bashkëpunuar me ta. Përfaqësues të PDS, PSD por dhe PBDK-së u shprehën, se dhe pse kërkesat e tyre për komuna dhe bashki të mbështetura nga PS janë minimale, socialistët po tregohen shumë të ngurtë në këtë bashkëpunim, duke mos u dhënë atyre as ato komuna dhe bashki që fituan në zgjedhjet e 2007. Edhe pse lista e komunave dhe bashkive e partive që janë në koalicion me PS kalonte dhjetëra njësi vendore ku kërkonin mbështetjen e socialistëve, sot pohohet se kërkesat e tyre kanë zbritur në 3-4 komuna apo bashki, gjë që po shihet me rezervë nga PS. Ngurrimi i socialistëve në këto zgjedhje vendore nuk ka përfshirë vetëm bashkëpunimin me partitë aleate, por dhe emrat socialistë që do të jenë si kandidatë zyrtarë, duke filluar që nga Bashkia e Tiranës e për të vazhduar më tej në minibashkitë dhe shumë bashki e komuna. Ndryshe nga koalicioni i djathtë, i cili duket se e ka qartësuar bashkëpunimin e tij dhe në terma konkretë, ku janë përcaktuar bashkitë dhe komunat që do t’u lihen aleatëve të Partisë Demokratike, një koalicion që numëron deri në këto momente 22 parti, deri tani në të majtën, koalicioni ka vetëm një marrëveshje parimore mes 13 partive që rreshtohen në këtë krah. Partia e fundit e regjistruar në këtë koalicion është Partia e Unitetit Kombëtar e drejtuar nga avokat Idajet Beqiri. Asnjë term konkret, por vetëm dëshira për të hyrë bashkë në zgjedhjet për pushtetin vendor. Shumica e partive që janë përfshirë në koalicione, janë rreshtuar dhe për të mos qenë vetëm në këto zgjedhje, për shkak të detyrimeve që jep Kodi Zgjedhor. Shumë parti të vogla pretendojnë vetëm të regjistrohen në KQZ si pjesë e koalicioneve dhe kërkojnë vetëm pjesëmarrje për listën e këshilltarëve përmes individëve të përzgjedhur prej tyre. Nëse do të ishin jashtë koalicioneve, regjistrimi i tyre në KQZ do të kërkonte me mijëra firma dhe deklarata noteriale të mbështetësve të tyre, duke ia bërë të pamundur kandidimin në zgjedhje. Mungesa e deputetëve në Parlament nga ana e partive aleate, e bën të pamundur kandidimin e tyre jashtë koalicionit. Kjo i jep mundësi PS të negociojë deri në momentin e fundit me ta, duke i detyruar të ulin në maksimum pretendimet e tyre. Pritet që koalicionet të deklarohen deri në datën 24 mars, datë kur përfundon dhe afati për regjistrimin e tyre në KQZ. Dy ditët e ardhshme do të jenë shumë intensive për koalicionin e majtë, i cili duhet të përfundojë marrëveshjet e bashkëpunimit me PS, ndërkohë nuk është rënë dakord se cilat do të jenë komunat dhe bashkitë ku ata do të bashkëpunojnë përmes kandidatëve të përbashkët. Ndre Legisi është koordinatori i tryezës së koalicionit opozitar, i cili po hyn në kontakt me partitë që janë të interesuara të bashkëpunojnë me PS, ndërsa sekretari për çështjet elektorale, deputeti i qarkut të Fierit, Armando Subashi, po merret me marrëveshjet në parim me këto parti.
Koalicioni i PS
Aleatët e Partisë Socialiste akuzuan lidershipin e saj se nuk kishte ndihmuar, madje kishte sabotuar bashkëpunimin e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Madje, në disa raste u akuzuan dhe deputetët socialistë se kishin ndikuar në manipulimin e shumë votave të partive aleate të PS, duke humbur në këtë mënyrë dhe mandatet e deputetëve. Por, nisja e demonstratave në tetor 2009 i bashkoi sërish në një front kundër qeverisë të gjitha partitë e majta, duke lënë mënjanë rezervat që kishin pas zgjedhjeve, me qëllim provokimin e zgjedhjeve
PS e Vlorës rikonfirmon Shpëtim Gjikën
Asambleja Socialiste e qytetit të Vlorës rikonfirmoi dje Shpëtim Gjikën, si kandidatin e vetëm të PS-së në këtë qytet. Kreu i PS-së së Vlorës, njëkohësisht deputet i këtij qarku, Eltar Deda, bëri publik vendimin e asamblesë socialiste. Sipas Dedes, asambleja nuk ka propozuar asnjë kandidat tjetër për këtë bashki, ndërsa ka vlerësuar punën e Gjikës në krye të Bashkisë së Vlorës. “Është për t’u theksuar se kandidatura e Shpëtim Gjikës i përcillet këtij forumi të lartë vendimmarrës të PS-së përmes një diskutimi tepër transparent dhe demokratik në zbatim të udhëzimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së. E gjithë asambleja shprehu besimin e palëkundur se me kandidimin e kryetarit aktual Gjika, PS-ja e Vlorës ka të garantuar fitoren e padiskutueshme ne zgjedhjet e ardhshme vendore”, u shpreh Dede.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











