Zgjedhja e Pacollit, përçahet mazhoranca e Thaçit

Mar 12, 2011 | 10:34

PRISHTINE- Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, njëherësh anëtar i përhershëm i kryesisë së PDK-së, fill pas zgjedhjes se Pacollit president, ka akuzuar liderin e partisë së tij, Hashim Thaçi, për totalitarizëm. Në një emision televiziv, Krasniqi e ka quajtur presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacollin, “të papërshtatshëm, të zgjedhur pa vullnetin e qytetarëve dhe me vota të presionit”. Sipas Krasniqit, mënyra e zgjedhjes së Pacollit president, ishte frikësimi i deputetëve prej Thaçit me heqje nga lista, nëse nuk votonin të zgjedhurin e tij. Krasniqi pohoi se është shkelur Kushtetuta në këtë rast dhe se vullneti i deputetëve të pranishëm ishte ai i raundit të parë të votimit, vetëm 54 vota.

Duke mos reshtur me akuza, Krasniqi tha në “Kohavizion” se kriza brenda PDK-së është bërë e pashmangshme me rastin Pacolli, duke e akuzuar drejtpërdrejt Thaçin, por edhe kryetarët e komunave që e mbështetën, si zgjedhje për interesa të tyre vetjake. Kryeparlamentari shtoi se kishte preferuar që më parë të shkohej në zgjedhje të jashtëzakonshme se sa të shkohet drejt një krize institucionale disavjeçare me AKR-në.

“Do t’i vëzhgojmë punët e kryeministrit dhe të presidentit, madje dhe do të kërkojmë dorëheqjen e tyre, në rast se nuk funksionin rendi dhe ligji”, tha numri një i Kuvendit. Ai theksoi se është koha që PDK-ja të mbajë kuvendin zgjedhor, ndërsa është shprehur me ironi ndaj “parashutistëve” që kanë aderuar në PDK kohët e fundit, duke i cilësuar si poltronë të kryeministrit Thaçi dhe interesaxhinj.

© Panorama.al

Te lidhura