Gazetarja Anduena Llabani ka deklaruar se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për zgjatjen e afateve hetimore ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku mund të lidhet me zgjerimin e hetimeve për vepra të tjera penale. Sipas saj, përveç tre akuzave të bëra publike deri më tani, SPAK mund të jetë duke verifikuar edhe dyshime për pastrim parash, ndërsa në hetim është përfshirë edhe periudha kur Balluku drejtonte institucionin e Albcontrol.
E ftuar në News24, Llabani tha se dita kur Balluku u mor e pandehur u shoqërua me deklarata se akuzat ndaj saj mund të sillnin një dënim deri në 36 vite burg, por tashmë prokurori i çështjes ka kërkuar kohë shtesë për të vijuar hetimet. Sipas gazetares, kjo tregon se dosja nuk konsiderohet ende e plotë.
“Ditën kur Balluku u mor e pandehur nga SPAK, prokurorët thanë se ajo rrezikonte deri në 36 vite burg. Prokurori tani nuk është i bindur që dosja është e plotë dhe po kërkon muaj të tjerë hetime. Kjo ndodh në një periudhë kur prokurorët marrin pushimet dhe praktikisht humbet edhe një muaj”, u shpreh ajo.
Llabani e cilësoi situatën si të pazakontë, duke argumentuar se duhej marrë një vendim i qartë për ecurinë e çështjes.
“Ky është një rast i paprecedentë. Duhej marrë një vendim: ose të lihej e lirë nga çdo masë sigurimi deri në garantimin e plotë të provave, ose të vendosej masa e sigurimit dhe çështja të çohej në gjykatë me akuza të rënda”, tha gazetarja.
Ajo foli edhe për atë që e cilësoi si një kontradiktë të mundshme mes prokurorit të çështjes dhe drejtuesve të SPAK-ut.
“Nëse është e vërtetë që prokurori i çështjes ka kërkuar një masë më të rëndë sigurie, por kjo nuk është dërguar në Kuvend, atëherë kemi një problem shumë të madh. Ndërkombëtarët e kanë nën vëzhgim SPAK-un dhe çdo zhvillim i tillë do të ketë ndikim”, tha Llabani.
Gazetarja theksoi se SPAK nuk ka dhënë informacion shtesë për dosjen, ndërsa kërkesa për zgjatjen e hetimeve, sipas saj, mund të lidhet me dyshime për pastrim parash.
“SPAK ka bërë publike vetëm tre akuza, por fakti që kërkohet zgjatja e hetimeve mund të nënkuptojë se po verifikohen edhe elementë të tjerë, përfshirë dyshime për pastrim parash. Po ashtu, është hapur çështje edhe për periudhën kur Balluku ka qenë drejtoreshë e ‘Albcontrol'”, u shpreh ajo.
Më tej, Llabani tha se zgjerimi i hetimeve mund të tregojë se prokuroria synon të shkojë përtej dy procedurave të tenderimit që janë bërë publike deri tani.
“Nëse mbi Ballukun rëndon akuza e shkeljes së barazisë në tender për dy raste, tashmë flitet edhe për ‘Albcontrol’, një institucion me po aq buxhet. Ose dikush po fiton kohë, ose prokurori Prençi do t’i hyjë çështjes me themel dhe nuk do të mjaftohet vetëm me këto dy procedura tenderimi”, tha gazetarja.
Anduena Llabani: Dita kur Balluku u mor e pandehur nga SPAK, prokurorët thanë se ajo rrezikonte deri në 36 vite burg. Prokurori tani nuk është i bindur që dosja është e plotë dhe këto 36 vite nuk mjaftojnë, por kërkohen muaj të tjerë. Kjo kërkohet në një muaj që prokurorët marrin pushime dhe një muaj na ikën.
Ky është një rast i paprecedentë. Duhej marrë një vendim: ose të lihej e lirë nga çdo masë sigurimi deri në garantimin e plotë të provave, ose të vendosej masa e sigurimit dhe çështja të çohej në gjykatë me akuza të rënda.
Ka një kontradiktë mes prokurorit të çështjes dhe prokurorit të SPAK. Nëse flitet që prokurori i çështjes i ka kërkuar SPAK-ut një masë më të rëndë sigurie, por kjo nuk dërgohet në Kuvend, ky do të jetë një problem shumë i madh, pasi ndërkombëtarët e kanë nën survejim SPAK-un dhe do të ketë korrelacion.
SPAK nuk pranon të japë informacion shtesë për çështjen. Ka renditur tre akuza, por fakti që kërkohet zgjatje hetimesh mund të lidhet me dyshime për pastrim parash. I është hapur çështje edhe për kohën kur ishte drejtoreshë e “Albcontrol”.
Dikush po fiton kohë nga 3-mujori. Nëse mbi Ballukun rëndon akuza e shkeljes së barazisë në tender për dy raste, flitet edhe për “Albcontrol”, një institucion me po aq buxhet. Ose dikush po fiton kohë, ose z. Prençi do t’i hyjë çështjes me themel dhe të mos mjaftohet vetëm me këto dy procedura tenderimi.
Ajo mund të veprojë në atë mënyrë që mund t’i shpëtojë edhe burgut, jo vetëm për familjarët, por ka insinuata se ka persona që kanë çelësat e institucioneve të rëndësishme.
© Panorama.al












