VIDEO/ Tentoi t’i marrë dokumentin Agron Shehajt, punonjësja e Kuvendit rrokulliset nëpër shkallë teksa ndiqte deputetin

Jul 27, 2026 | 18:46

Janë publikuar pamjet e momentit kur një punonjëse e Kuvendit rrëzohet nga shkallë gjatë përpjekjes për t’i marrë dokumentin e marrëveshjen me SHBA për pajisjet ushtarake deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj.

agron shehaj punonjesja e kuvendit

Në videon e publikuar shihet zyrtarja e Kuvendit teksa ndjek me vrap deputetin, i cili ishte larguar nga salla me dokumentin në duar. Gjatë ndjekjes, ajo humbet ekuilibrin, rrëzohet në shkallë dhe godet kokën.

“O zotëri, të lutem…”, dëgjohet t’i thotë punonjësja e Kuvendit deputetit Shehaj, teksa përpiqet ta arrijë.

Menjëherë pas rënies, në ndihmë të saj afrohen punonjës të Gardës së Republikës, të cilët e ndihmojnë të ngrihet. Por, pavarësisht incidentit, punonjësja e Kuvendit shihet se çohet sërish dhe vijon ndjekjen pas deputetit Shehaj.

agron shehaj punonjesja e kuvendit (3)

Kujtojmë se ditën e sotme, Shehaj, ka marrë kopjen e vetme të marrëveshjes me SHBA për pajisjet ushtarake dhe është larguar me vrap nga salla, për ta lexuar.

Sipas Partisë Socialiste, deputetët ishin informuar më herët se dokumenti mund të konsultohej vetëm në sallën “Gerti Bogdani”, pas firmosjes së një deklarate konfidencialiteti dhe pa të drejtë për të marrë kopje të tij jashtë ambienteve të përcaktuara.

agron shehaj punonjesja e kuvendit (1)

Ndërkohë për incidentin, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën marrjen e një mase disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj, si edhe referimin e rastit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Në kërkesë thuhet se Agron Shehaj ka refuzuar sqarimet e stafit të Kuvendit, ka marrë me forcë kopjen fizike të dokumentit dhe është larguar me të. Po sipas socialistëve, një këshilltare e Kuvendit, e cila tentoi ta ndalonte dhe të rimerrte dokumentin, është rrëzuar në shkallë dhe ka pësuar lëndime.

“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjellje të dhunshme dhe të papranueshme.  Këto sjellje cënojnë rëndë dhe në mënyrë të patolerueshme sigurinë e stafit të Kuvendit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre. Sjellja e deputetit duke marrë më forcë dhe duke nxjerr jashtë sallës dokumentin e klasifikuar përbën shkelje të rëndë të legjislacionit për informacionin e klasifikuar”, thuhet në kërkesë.

Gjithashtu, Partia Socialiste kërkon që rasti t’i referohet SPAK-ut për vlerësimin e mundshëm të disa veprave penale, mes të cilave përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, forma të përvetësimit të paligjshëm të dokumentit, pengimi i detyrës së funksionarit publik dhe vepra të tjera që lidhen me mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe sigurinë kombëtare.

“Gjithashtu referuar parashikimeve të Kodit Penal, nenet 139-142, 294-296, 235, t’i referohet mënjëherë Prokurorisë, në rastin në fjalë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me dyshimet se shtetasi Agron Shehaj ka kryer veprat penale:

  • përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj;
  • (ii) vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes;
  • (iii) grabitja sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;
  • (iv) pengimi i detyrës së funksionarit publik sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës;
  • (v) dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cënon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali aktorëve të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët”, thuhet në kërkesë.

© Panorama.al

Te lidhura