Zbulohet kurthi i “200 kg kokainë”

Mar 24, 2011 | 11:40
Fabrika “Merentino” në Gjirokastër

Zbardhet skema e përdorur nga biznesmeni i arrestuar për mbërritjen në Shqipëri të ngarkesës së vajit të palmës, në të cilën dyshohet se është tretur një sasi e madhe kokaine.Ditën e djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar lirimin e të arrestuarve, Kiço Kotro, pronari dhe Dhori Thimo, menaxheri i kompanisë “Merentino” në Gjirokastër. Organi i akuzës ka urdhëruar edhe lirimin e shoferit të maunes me targa maqedonase dhe të një femre që e shoqëronte atë në momentin e arrestimit tri ditë më parë. Lirimi i katër personave është urdhëruar nga prokuroria për shkak se ata kanë dalë pa dijeni dhe të paimplikuar në skemën e trafikut të dyshuar të kokainës. I dyshuari i vetëm që provohet se ka organizuar lëvizjen e ngarkesës me vaj palme, ku dyshohet se është tretur droga, është shtetasi Dh. H (siç mësohet Dhimitris Holtis). Sipas dëshmive të katër të arrestuarve që u lanë të lirë në Gjirokastër, Holtis ishte porositësi i vërtetë i mallit dhe njeriu që kishte kontaktuar me personat e huaj nga ku ishte marrë vaji i palmave. Ky mësohet se ka qenë personi që i ka propozuar shitjen e mallit rreth dy javë më parë pronarit të fabrikës së kruasantëve “Merentinos” në Gjirokastër. Kiço Kotro, biznesmeni që merrej me prodhimin e kruasantëve, mësohet se prej vitesh e kishte blerë në Greqi vajin e palmave, lëndë e nevojshme për prodhimin e brumit dhe çokokremit të kruasantëve. Por, shtetasi Dhimitris Holtis i ka propozuar biznesmenit një çmim më të lirë se ai i zakonshmi, duke i thënë se kishte porositur jashtë vendit një sasi vaji palmash, e cila do të mbërrinte në Shqipëri. Ai madje i ka thënë biznesmenit nga Gjirokastra të pranonte regjistrimin e emrit të tij si pritës i vajit dhe pas mbërritjes së lëndës në Shqipëri, nëse nuk do ta blinte, ta kthente mbrapsht atë. Shtetasi i vetëm i arrestuar deri tani në Shqipëri i ka kërkuar pronarit të fabrikës në Gjirokastër që ngarkesa të shënohej në emrin e tij si pritës dhe porositës i mallit.
Kokaina blof?
Ditën e djeshme, burimet nga policia dhe prokuroria nuk janë shprehur të sigurt nëse bëhet fjalë vërtet për bllokimin e një sasie prej 200 kilogramësh kokainë, siç u deklarua të martën. Hetuesit kanë thënë dje se informacioni i ardhur nga jashtë shtetit (Spanjë dhe Belgjikë) në datën 19 mars, ka qenë se ngarkesa prej 200 kilogramësh kokainë do të mbërrinte në Shqipëri me kamionin me targa maqedonase KU 190 CF. Duke e marrë seriozisht këtë informacion të ardhur nga jashtë, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, autorizoi përgjimin dhe vëzhgimin e shtetasve të dyshuar. Gjithnjë duke besuar se në vajin e palmave ishte tretur vërtet kokainë, policia e bllokoi maunen sapo ajo mbërriti pranë fabrikës së biznesmenit Kiço Kotro në Gjirokastër, por më pas rezultoi se porositësi i vërtetë i “mallit” ishte shtetasi Dhimitris Holtis, që do t’ia shiste vajin e palmës biznesmenit të kruasantëve. Dyshimet janë se skema ka qenë një kurth, megjithatë, një fakt është provuar në gjithë këtë histori. Ngarkesa e maunes me targa maqedonase, e cila ishte nisur nga Spanja, është shkarkuar në Belgjikë dhe aty nuk dihet çfarë ka ndodhur. Dyshimet janë se kokaina mund të jetë filtruar aty dhe më pas vaji ka mbërritur i pastër në Shqipëri. Kjo për shkak se Prokuroria dhe Policia shqiptare nuk ishin në gjendje të konfirmonin dje nëse vërtet në enët 200-litërshe prej druri të bllokuara në maune në Gjirokastër, është gjetur kokainë. Itinerari që ka përshkruar maunia ka qenë: Kolumbi-Spanjë-Belgjikë, Austri-Slloveni-Kroaci-Serbi-Maqedoni-Shqipëri. “Dyshohet se ka lëndë narkotike të tregut në vaj palmash. Informacioni për këtë është dhënë, por nuk është arritur të nxirret drogë dhe nuk janë bërë analiza për këtë”, kanë thënë dje burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, aksioni është duke vazhduar në Belgjikë e në Spanjë dhe finalizimi i tij me kapjen e gjithë të implikuarve mund të ndodhë ditën e premte.

 

Trazhgim Sokolaj

Pronari i “Merentinos”: Si më morën me pranga në mes të fabrikës

GJIROKASTER – Lirohen pas 22 orësh pronari i firmës së kruasantëve, Kiço Kotro dhe administratori Theodhori Simo. Ndonëse dolën me pranga nga ambientet e firmës ditën e martë, në një aksion pompoz, disa orë më vonë ata janë lënë të lirë, duke rinisur aktivitetin normal. Pronari i firmës “Merentino”, Kiço Kotro, është shprehur disa orë pas lirimit të tij për gazetën “Panorama” se është ndjerë krejtësisht i ofenduar për mënyrën si është trajtuar ky problem nga organet e drejtësisë e aq më tepër implikimin e pamerituar të tij, në këtë aferë, sipas tij, që bëri bujë në shtyp. Për gazetën “Panorama”, pronari i fabrikës së kruasantëve, thotë se është prangosur pa as më të voglin shpjegim nga uniformat blu, pasditen e së hënës, para punonjësve të tij në fabrikën e prodhimit të ushqimeve të ëmbla në zonën industriale të Gjirokastrës. “Në momentin kur ka mbërritur policia, unë kam qenë duke ngrënë drekë në mensën e fabrikës së bashku me punonjësit e tjerë. Ka qenë kuzhinierja ajo që më lajmëroi se disa persona me maska dhe me furgonë të policisë, kanë hyrë përmes portës së jashtme të fabrikës. Në këtë moment, unë kam dalë dhe i çuditur i kam kërkuar shpjegime për hyrjen e tyre dhe objektin e kontrollit”, pohon Kotro, duke shtuar se sjellja e policëve karshi tij ka qenë tepër korrekte dhe profesionale. “Sapo më janë vendosur prangat, jam dërguar për në Tiranë dhe aty jam marrë në pyetje nga përfaqësuesit e policisë dhe Prokurorisë për ekzistencën e kokainës në bidonët plastikë të mbushura me vaj palme, të cilat unë i blej me porosi nga jashtë. Policia ka gjetur dhe ka bllokuar vetëm 1 kontejner me 52 fuçi me vaj palme ku secila përmban 200 kg. Vlera e kësaj sasie të zhdoganuar sipas rregullave, ka qenë diku tek 768.000 lekë”, shprehet Kotro për gazetën “Panorama”. “Personave që më kanë marrë në pyetje në Tiranë, u jam drejtuar se jam i gatshëm të penalizohem vetëm nëse kam probleme me mallin që porosis nga jashtë, i cili shërben si lëndë e parë për prodhimet e firmës sime, ndërsa për tjetër mall, nuk kam fare dijeni, duke nënkuptuar kështu ekzistencën imagjinare të kokainës tek ato fuçi që unë kam marrë në dorëzim”. E gjithë çfarë ka ndodhur, sipas Kotros ka qenë e paprovuar, çka u dëshmua dhe me lirimin pas 24 orësh të tij dhe administratorit të fabrikës, Theodhori Simos. Ky i fundit, për gazetën “Panorama”, shpreh indinjatë edhe për mënyrën se si është trajtuar kontrolli policor në banesën e tij. “Policia ka kryer një kontroll në ambientet e familjes sime, duke ngjallur panik e pasiguri tek pjesëtarët e familjes”, është shprehur Simo, duke e quajtur veten dhe bashkëpunëtorin e tij, Kiço Kotro, të pafajshëm dhe jashtë kësaj historie të bërë mediatike nga ana e policisë dhe organeve të tjera të drejtësisë vendase. Në mënyrë kategorike, si Kotro dhe Simo, kanë mbrojtur idenë e mosimplikimit të tyre në një trafik të mundshëm kokaine, pasi biznesi i tyre është legal dhe fitimprurës, çka nuk krijon premisa për marrjen e tyre në një biznes të paligjshëm dhe të ndaluar. Kotro dhe bashkëpunëtori i tij në biznes, administratori Theodhori Simo, janë lënë të lirë në orët e mëngjesit të së mërkurës dhe janë nisur direkt në drejtim të Gjirokastrës. Me mbërritjen e tyre, ka rinisur prodhimi në fabrikën e kruasantëve “Merentino”, dy ditë pas pushimit për shkaqet e mësipërme. Në fabrikën “Merentino” punojnë rreth 240 punëtorë dhe kjo firmë mjaft e njohur në vend, eksporton sot produktet e saj në Maqedoni, Kosovë, Greqi dhe në mjaft vende të rajonit, duke qenë e suksesshme. Janë rreth 400 produkte që dalin përditë nga kjo punishte e vetme në llojin e vet në Shqipëri. Kërkesat e larta në treg për prodhimet e saj, kanë bërë që në javë, të importohen nga 10-22 tonë vaj palme që shërbejnë si lëndë e parë.

Magazinieri: Policëve u dhashë nga një kruasant

Prezenca e Policisë së Shtetit në momentin e mbërritjes pasditen e së hënës, nuk ka kaluar pa u komentuar gjatë edhe nga punonjësit e punishtes, të cilët kanë përjetuar një tmerr të vërtetë nën kërcënimin e armëve dhe presioneve nga forcat speciale me maska. Bujar Derxho, magazineri i ushqimeve të ëmbla të prodhuara tek “Merentino”, shpjegon për gazetën mënyrën se si i ka trajtuar policia punonjësit e gjendur në atë moment. Sipas tij, ka qenë ora 15:45 minuta, kur policia me disa automjete, mësynë në fabrikë. “Fillimisht, ata kanë kërkuar t’u hapej porta e jashtme me shpejtësi dhe madje, automjetet kanë hyrë shumë shpejt, sapo u krijua hapësira e nevojshme në ambientet e dukshme të punishtes”, shprehet Derxho. “Sapo kanë dalë nga automjetet, personat me maska të veshur me uniforma policie, hynë në brendësi tek prodhimi dhe aty me armë zjarri në duar, kërkuan që të gjithë punonjësit burra e gra, të binin përtokë dhe të qëndronin me të dy duart pas koke. Kjo situatë zgjati afro 30 minuta, derisa u krye një kontroll i përgjithshëm në të gjithë ndërtesën”. Sipas tij, dhunë nuk është ushtruar, por mësymja e policisë ka krijuar panik. “Policët kanë shprehur interes, se ku rafinohej vaji i palmës dhe tek kjo pikë i kanë mëshuar më shumë idesë së tyre. Para se të iknin, unë i kam qerasur policët me nga 1 kruasant me çokollatë, që mund ta konsumonin pa frikë se kanë lidhje me kokainën”, tregon Derxho.    p.n

 

Piro Nase

 

© Panorama.al

Te lidhura