Zbardhet vrasja e Aleks Nikës

Mar 30, 2011 | 11:12

Xhaxhai i demonstruesit: U qëllua me plumb në kokë, drejtimi nga Kryeministria.
Familjarët identifikojnë videon e 21 janarit në ProkuroriProkuroria e Tiranës ka hedhur dritë dje mbi rrethanat e vra-sjes së 36-vjeçarit Aleks Nika, njërit prej katër personave që gjetën vdekjen në demonstratën e Partisë Socialiste më 21 janar.Gruaja dhe xhaxhai i të riut nga Lezha, si dhe familjarë të tjerë të tij janë thirrur dje në prokurori, ku janë marrë në pyetje në lidhje me disa materiale të mbledhura nga hetuesit rreth vrasjes së Aleks Nikës. Fjala është për disa fotografi dhe video të momenteve të ndryshme të demonstratës, dhe më konkretisht për momentin e vrasjes së demonstruesit nga Lezha. Ditën e djeshme, gjatë qëndrimit në prokurori, familjarët e kanë identifikuar video-regjistrimin që dokumenton vrasjen e Aleks Nikës. Ata po ashtu kanë hedhur poshtë disa fotografi (ora 14:49 e datës 21 janar dhe më pas), në të cilat deri ditën e djeshme është menduar se paraqitej i riu nga Lezha pas vrasjes. Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, tha dje për gazetën “Panorama” se në këto foto ishin fiksuar disa persona, mes të cilëve, njëri prej tyre, për rastësi, ngjante me Aleks Nikën nga trupi, nga këpucët, pantallonat dhe rrobat e tjera. Megjithatë, ka rezultuar se protestuesi nga Lezha nuk paraqitet në këto foto, por vrasja e tij është fiksuar nga një kamera në një regjistrim disa minuta ku bëhet identifikimi lehtësisht. Burime nga prokuroria kanë pohuar dje se të afërmit e Aleks Nikës u ballafaquan me disa fotografi që pretendohej se ishin të 36-vjeçarit pas vrasjes, gjatë transportimit për te ambulanca dhe kanë konfirmuar se personi në foto nuk është Aleks Nika. Po kështu, prokuroria u ka treguar dje të afërmve të 36-vjeçarit edhe disa regjistrime filmike në të cilat ata kanë identifikuar Aleks Nikën. Kjo video mësohet se ka dokumentuar momentin e vrasjes së Aleks Nikës. Ai është qëlluar me plumb në kokë disa minuta pasi demonstrata pranë Kryeministrisë kishte përfunduar. Ne video duket se njerëzit ishin rralluar në bulevard dhe qëndronin grupe-grupe në momentin kur Aleks Nika duket teksa bie përtokë. Sipas pamjeve në videon që është sekuestruar nga hetuesit në një nga televizionet e vendit, Aleks Nika është qëlluar me një të shtënë teke kur ishte i rrethuar nga 10 apo 15 persona, disa prej të cilëve janë identifikuar nga familjarët si të njohur të tij. Gjithnjë referuar pamjeve të videos, në momentin kur Aleks Nika është goditur me plumb ai ka rënë përtokë dhe ky grup personash që ndodhej rreth tij, të njohur e të pa njohur, kanë rendur t’i shkojnë në ndihmë. Në momentin kur është qëlluar, Aleks Nika ndodhej në bulevard mes Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Sipas imazheve filmike, por edhe matjeve në vendin e ngjarjes, ai ka qenë më pranë Kryesisë së Kuvendit sesa godinës së Kryeministrisë, pra nuk ndodhej në mesin e bulevardit, por i zhvendosur në krah të djathtë nga kahu i Gjykatës Kushtetuese.

Viktimat

Katër persona u vranë gjatë demonstratës së 21 janarit. I pari që ka humbur jetën ka qenë Hekuran Deda, i cili është qëlluar ndërsa ndodhej në një tavolinë të vendosur nga kameramanët në anën e bulevardit, përpara Piramidës. Pas tij është qëlluar Ziver Veizi, i vrarë në vijë diagonale me Kryeministrinë, para
portës së hekurt të këtij institucioni. Viktima e tretë është Faik Myrtaj, nga Fieri, i vrarë në hyrje të rrugicës mes Kullave dhe Gjykatës Kushtetuese. Aleks Nika u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi.

Dhjetë pistoleta të Gardës dalin të pastra

TIRANE – Shumica e pistoletave të efektivave të Gardës së Republikës, të cilat u sekuestruan nga Prokuroria për ekspertim, kanë dalë se nuk kanë lidhje me vrasjen e 4 personave më 21 janar. Dy javë më parë, Prokuroria sekuestroi rreth 20 pistoleta në zyrat e Gardës së Republikës, për t’i verifikuar nëse kishin kryer qitje apo nëse ishin mes armëve që kanë qëlluar viktimat. Mirëpo ekzaminimet shkencore kanë gjetur se të paktën 10 nga këto pistoleta me kalibër 9 mm nuk kanë lidhje me vrasjet. Ndërkohë, ekspertiza për pjesën tjetër të pistoletave po vazhdon. Nga ekzaminimet e deritanishme hetuesit kanë provuar se arma e efektivit të Gardës, Agim Llupo, ka vrarë demonstruesin Ziver Veizi. Ndërkohë, viktima tjetër, Hekuran Deda, ka pasur plagë tejshpuese dhe predha nuk është gjetur për ekspertizë. Predha që ka vrarë Faik Myrton nuk përputhet me armët e Gardës të ekspertuara deri tani, ndërsa predha që vrau Aleks Nikën pritej të mbërrinte nga spitali turk ku ai u kurua pas plagosjes së rëndë në demonstratën e 21 janarit.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura