Zbardhet skema e eksportit fals të naftës “Virgin” jashtë Shqipërisë dhe mënyra se si ajo hidhej më pas në tregun vendas të pakicës me dokumente të manipuluara, që pretendonin se lënda vinte e përpunuar nga jashtë vendit.Dy ditë pas ekzekutimit të 13 fletë arresteve për biznesmenët e naftës, si edhe zyrtarët e tatimeve e të doganave, publikohen “manovrat” që janë përdorur për eksportin fiktiv të naftës. I gjithë mekanizmi i kontrabandës është zbardhur në dosjen hetimore të Prokurorisë për “virgin naftën”. Këto të dhëna janë siguruar dje nga gazeta “Panorama”. Sipas dosjes së Prokurorisë, bëhet fjalë për rreth 17 mijë ton naftë “virgin” e dalë nga “ARMO”. Destinacioni i saj ka qene eksporti, pra nxjerrja jashtë vendit për përpunim nëpërmjet portit të Vlorës. Sipas hetimit, eksporti i naftës do të bëhej nga “Euroil”. Por, nga hetimet rezulton se nafta nuk ka mbërritur asnjëherë në portin e Vlorës, por nëpërmjet autobotëve është transportuar në depozitat që janë pronë e shoqërive “Euroil” sh.a. dhe “Fisheku” sh.a., me qëllim shitjen e saj në tregun e brendshëm si karburant, në kundërshtim flagrant me ligjin.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar këtë procedim penal në 13 tetor të vitit të kaluar, vetëm një ditë pas deklaratave të ish- ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës në emisionin “Ora e Intervistës”, të gazetarit Alfred Peza. Sipas Prokurorisë, ky procedim penal është regjistruar kryesisht nga organi i akuzës, mbi bazën e të dhënave të publikuara në median e shkruar edhe vizive dhe veprimeve verifikuese të kryera nga organi i akuzës, sikurse është pyetja e shtetasit Dritan Prifti, ish-ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Dritan Prifti deklaroi atëkohë se nënprodukti i naftës me emrin “virgin nafta”, për periudhën 2007-2009, është pasqyruar në dokumentacion si e eksportuar jashtë vendit, por, në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj të posaçëm. Nisja e hetimeve më pas vuri re që sasia e naftës “Virgin” në faturat e shitblerjes së “Armo” sh.a., nuk përputhej me sasinë e deklaruar për eksporte.
SKEMA SIPAS PROKURORISË
“Rezulton e provuar se sasia prej afro 17 mijë ton “virgin naftë”, jo vetëm që është deklaruar në mënyrë fiktive si e eksportuar jashtë vendit, por nuk është blerë as nga shoqëria “Euroil” sh.a. deri në datën e deklaruar si sasi e eksportuar. Nga dokumentacioni i shoqërisë “ARMO” sh.a. dhe “Euroil” sh.a. tërhequr nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, rezulton që blerjet e kësaj të fundit nga ARMO, deri në datën 29.02.2009 arrijnë në sasinë e 2821.09 ton dhe gjendja fizike e naftës “virgin” në depot e “Euroil” sh.a. në datën 31.12.2008, sipas deklarimeve të kësaj shoqërie në tatime, është 3681.2 ton. Për rrjedhojë, dokumentacioni që i përket dy praktikave të mësipërme doganore të datave 10 dhe 28 shkurt 2009, është dokumentacion fals, pasi pasqyron sasinë rreth 17 mijë ton naftë “virgin” si sasi e eksportuar jashtë vendit, në një kohë kur kjo ngarkesë nuk provohet të ketë kaluar si ngarkesë nëpërmjet Portit Detar Vlorë.
Krijimi i dy praktikave të mësipërme doganore ka shërbyer si mjet me të cilin shoqëria “Euroil” sh.a. dhe përfaqësuesi i saj ligjor Hajri Elezaj, kanë përfituar rimbursim të paligjshëm të TVSH-së.
Sasitë e munguara, të raportuara si shitje totale deri në datën 28.02.2009, janë raportuar blerje nga shoqëria “Euroil” sh.a. nga data 01.01.2009 deri në datën 31.12.2009, në një sasi totale prej 13744.67 ton. Pra, kjo shoqëri rezulton të ketë raportuar shitje për eksport deri në datën 28.02.2009, një sasi të konsiderueshme të cilën nuk rezulton e pasqyruar në dokumentacion si blerje dhe ka raportuar blerje nga data 06.04.2009, deri në 31.12.2009.
Nga sa më sipër, arrihet në një përfundim të bazuar në prova se sasia e naftës “Virgin”, e cila realisht nuk rezulton e eksportuar, të jetë transportuar me autobote në depozitat pronë të shoqërisë “Euroil” sh.a. dhe “Fisheku” sh.a., me qëllim shitjen e saj në tregun e brendshëm si karburant. Në arritjen e një përfundimi të tillë, çojnë kryesisht të dhënat e dokumentacionit që ndodhet pranë Degës së Doganës Vlorë dhe pranë Kapitenerisë së portit detar Vlorë. Transporti i nënproduktit “Virgin Nafte” rezulton të jetë realizuar nëpërmjet mjeteve të shoqërisë “Fisheku” sh.a. dhe “Martini” sh.p.k. me drejtues shtetasit Flamur Merkaj, Genci Prençe, Fadil Abdurrahmani, Kadri Hajredini, Vladimir Koteci, Reshat Aleksi, Gazmend Serjanaj etj. Këta drejtues kanë deklaruar përpara organit të procedimit penal, se janë kontraktuar nga shtetasi Bledar Rama, i cili ka vepruar për llogari të shoqërisë “Euroil” sh.a. Deklarimet e këtyre drejtuesve, se e kanë transportuar “virgin naftën” gjatë vitit 2009 nga KPTHN Ballsh për në portin detar Vlorë, ka rezultuar i pavërtetë, pasi nga tërësia e dokumentacionit të Degës së Doganës Vlorë, nuk rezulton asnjë e dhënë që të konfirmojë këto deklarime”, thuhet në të dhënat hetimore.
Mashtrimi
Sipas Prokurorisë, kompanitë Euroil dhe Fisheku sh.a., të cilat e kanë marrë sipas ligjit naftën virgin në dorëzim nga ARMO, më pas kanë kryer veprime të paligjshme. Për shkak se lëvizja brenda vendit e naftës në fjalë nuk lejohej nga ligji, pasi përdorimi i saj në automjete ka pasoja në makina dhe në ambient, dy kompanitë e akuzuara sipas Prokurorisë, kanë plotësuar dokumente tatimore dhe doganore false, me të cilat pretendonin se nafta virgin ishte nxjerrë jashtë vendit, ishte përpunuar dhe po rishitej në Shqipëri, ndërkohë që në fakt lënda nuk kishte kaluar fare në portin e Vlorës, por rilidhej në tregun shqiptar e pa përpunuar.
Loja në portin e Vlorës, anijet vinin e ktheheshin pa u ngarkuar me naftë
TIRANE – Në dokumentacionin e praktikave doganore për eksportimin nëpërmjet portit të Vlorës të sasisë prej afro 17 mijë tonë naftë “virgin”, figuronte se nafta ishte “përcjellë” nëpërmjet dy anijeve “Rita S” dhe “Calietea”. Por sipas hetimeve, asnjë nga këto anije nuk ka ngarkuar në bordin e saj naftë “virgin”, siç është deklaruar në dokumentet e plotësuara në mënyrë fiktive. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se në kundërshtim me sa pasqyrohet në deklaratat e eksportit, sasia prej rreth 17 mijë ton “virgin naftë” nuk është ngarkuar në këto dy anije gjatë vitit 2009. Kështu, anija “Rita S” thjesht rezulton të ketë qëndruar për disa ditë në radën e Portit, por nuk është ngarkuar në kalatë, ndërsa anija “Calitea” as nuk është parë ndonjëherë në këtë port. Sipas Prokurorisë, anija e fundit, që ka transportuar “Virgin Naftë” nga porti i Vlorës, i përket janarit të vitit 2009. Referuar regjistrave të hyrje-daljeve të portit të Vlorës, rezulton se anija “Rita S”, ka mbërritur në portin e Vlorës në datën 06.02.2009 ora 06.00 dhe ka qëndruar në radë, nga ku është larguar në datën 11.02.2009, duke mos u ankoruar në kalatën e portit detar Vlorë për veprime tregtare dhe është larguar në det të hapur pa u ngarkuar. Po sipas të dhënave, për të njëjtën anije, konfirmohet që të ketë mbërritur në këtë port në datën 22.02.2009 dhe është larguar më 28.02.2009, bosh, pa ngarkesë. Sa i përket anijes “Calitea”, konfirmohet që kjo anije të mos ketë mbërritur në portin detar Vlorë gjatë muajve janar, shkurt, mars etj. Ndërkohë që referuar praktikave doganore, rezultonte që anija “Calitea” të ishte ngarkuar me “Virgin Naftë” në terminalin e “ARMO” sh.a. në Portin e Vlorës. ar.ba
Sasitë e naftës
1. Deklaruar për eksport – R649 datë 19.01.2009 e DD Vlorë me sasi 2676.1 ton
2.Deklaruar për eksport R1597 datë 10.02.2009 e DD Vlorë me sasi 2625 ton
3. Deklaruar për eksport R2361 datë 28.02.2009 e DD Vlorë me sasi 14583.679 ton
4. 17 mijë ton naftë virgin e deklaruar në dokumente për import, që nuk ka kaluar në Portin e Vlorës, por është shitur në tregun vendas
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











