Gjykata e Tiranës zbardh vendimin që dënoi me 25 vjet burg Hamdi Haklajn, të “mbijetuarin” e vetëm nga vëllezërit e familjes së shumëpërfolur nga Tropoja.Dinamika e tri vrasjeve me armë zjarri nga afër ndaj Halil Hoxhajt në shkurt 1998 dhe vëllezërve Guxim e Besim Demaj në gusht 1993, pasqyrohet në vendimin e gjykatës. Hamdi Haklaj u deklarua fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm në javën e fundit të shkurtit të këtij viti. Për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar, përfundimisht ai u dënua me 25 vjet burg. Dënimi ndaj tij u dha në mungesë në Gjykatën e Tiranës, pasi aktualisht gëzon statusin e azilantit politik në Suedi. Referuar vendimit të gjykatës, për Komisariatin e Policisë Tropojë, 73-vjeçari Haklaj rezulton i “larguar në drejtim të paditur”. Sipas vendimit të treshes gjykuese, të kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, Haklaj u deklarua fajtor për akuzat e “vrasjes me dashje kundër dy ose më shumë personave”, “vrasjes me paramendim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Më poshtë publikohen pjesë nga arsyetimi i vendimit të gjykatës:
VRASJA E HALIL HOXHAJT
Sipas dosjes rezulton se me datë 09.02.1998, viktima Halil Hoxhaj, i cili ishte banor në qytetin e Bajram Currit, ka dalë në mëngjes nga shtëpia e tij për në qytet së bashku me të vëllain, shtetasin Hazir Hoxhaj, i cili kishte qëndruar për darkë aty, së bashku me bashkëshorten, M. Hoxhaj. Pasi kanë pirë kafe së bashku dhe kanë mbaruar disa punë të tyre në qytet, rreth orës 12.00, viktima Halil Hoxhaj dhe vëllai i tij, Haziri, janë kthyer përsëri tek banesa e Halilit dhe kanë ngrënë drekë. Pasi kanë ngrënë drekë, të dy vëllezërit kanë dalë përsëri në qytet dhe kanë pirë kafe. Rreth orës 14.00, shtetasi Hazir Hoxhaj është ndarë me vëllain e tij, Halilin dhe është nisur të gjejë një automjet për të shkuar në banesën e vet. Pasi të kryente këtë punë, Haziri do të kthehej tek banesa e Halilit, që të merrte bashkëshorten, M., për të shkuar në shtëpinë e tyre, në fshatin Kovaçë. Ndërkohë, viktima Halil Hoxhaj është nisur për në banesën e tij. Në afërsi të saj, viktima Halil Hoxhaj është takuar me shtetasen R. Malaj, me të cilën ka biseduar për disa çaste. Në këto momente, në ballkonin e pallatit të Halilit, në katin e dytë kishte dalë bashkëshortja e tij, B. Hoxha. Pikërisht në këto çaste, aty ka shkuar i pandehuri Hamdi Haklaj, me një armë automatik në dorë dhe ka shtirë disa herë në drejtim të viktimës Halil Hoxhaj, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, i pandehuri Hamdi Haklaj është larguar në drejtim të paditur. Pas marrjes dijeni për këtë ngjarje, në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë.
VRASJA E GUXIM E BESIM DEMAJT
Më datë 07.08.1993, shtetasja Sh. Kurmeka, së bashku me familjarët e saj Guxim Demaj, Besim Demaj, Bujar Demaj, Halili Demaj, Selman Demaj dhe shumë persona të tjerë, kanë shkuar në vendin e quajtur Maja e Shkëlzenit, pasi atë ditë, sipas zakonit fetar festohej festa e Tyrbes se Shkëlzenit. Pasi kanë kryer ritet e zakonshme fetare në lidhje me këtë festë, shtetasja Sh. Kurmeka, së bashku me familjarët e tjerë kanë zbritur rreth 150 metra poshtë nga vendi i shenjtë dhe janë ulur për të pushuar e ngrënë. Në këtë kohë, në afërsi të shtetasit Besim Demaj është afruar shtetasi Shkëlqim Haklaj, i cili mbante në dorë një xhaketë dhe po shikonte në drejtim të Besimit. Në këtë moment, Besimi i është drejtuar Shkëlqimit duke i thënë se çfarë ke që shikon, ndërsa ky i fundit i ka thënë se kujtova se po luanit zare. Më pas, Besimi i ka thënë Shkëlqimit se nuk luhet me zare në një vend të shenjtë dhe në këtë moment Shkëlqimi ka filluar të godasë Besimin me këmbë. Më pas, nga poshtë xhaketës ka nxjerrë një armë pistoletë, me të cilën ka dashur të qëllojë Besimin. Në këtë moment, vëllai i viktimës, Guxim Demaj, i është hedhur në duar Shkëlqimit me qëllim që të mos e linte të qëllonte me armë, duke i kapur dorën dhe duke ia ndryshuar drejtimin e armës. Si pasojë, arma ka shkrepur në ajër, ndërsa shtetasit Guxim Demaj e Shkëlqim Haklaj, duke u përleshur janë rrokullisur nëpër shpat rreth 10 metra më poshtë. Në këtë moment, aty tek vendi i ngjarjes është afruar i pandehuri Hamdi Haklaj, i armatosur, me një armë pistoletë në dorë. Haklaj i është afruar rreth tri metra shtetasit Guxim Demaj dhe ka shtirë me pistoletën në drejtim të tij, duke e lënë të vrarë në vend. Në këtë moment, shtetasi Besim Demaj, kur e ka parë se ia kanë vrarë të vëllain, Guximin, ka marrë një gurë në dorë dhe ka dashur të godasë me të Hamdi Haklaj. Por, ky i fundit e ka vënë re dhe ka shtirë me armë në drejtim të Besimit, duke e lënë të plagosur rëndë. Më pas, familjarët e tij e kanë marrë Besimin për ta dërguar në spital, por ai ka vdekur gjatë rrugës.
ARMAND BAJRAMI











