Zbardhen pergjimet e boseve te naftes

Mar 13, 2011 | 11:44

Shoferët që dyshohet të kenë transportuar me autobote naftën “virgin” drejt depozitave të “Euroil” sh.a. dhe të “Fisheku” sh.a., kanë marrë “direktiva” se si duhet të përgjigjeshin gjatë pyetjeve në Prokurorinë e Tiranës.Të gjithë ata duhet të pohonin se nafta ishte transportuar nga Ballshi drejt Portit të Vlorës dhe askund tjetër. Gjithashtu, për të shmangur çdo dyshim të mundshëm, përgjigjet e tyre duhet të ishin të njëllojta, pra të pohonin të gjithë të njëjtën gjë në Prokurorinë e Tiranës, ku po bëhej hetimi për kontrabandën e naftës. Para se të përballeshin me “njerëzit e hetimit”, disa prej tyre janë kontaktuar në telefon nga biznesmeni Iliaz Fisheku, aktualisht i arrestuar, i cili iu ka bërë të ditur çfarë duhej të përgjigjeshin kur të thirreshin në Prokurori. Ndërkohë, biznesmeni Ilijaz Fisheku nuk e ka ditur që përgjigjet e “fabrikuara”, më përpara se të mbaheshin mend nga shoferët, ishin regjistruar nga ana e Prokurorisë. Bëhet e ditur se pas regjistrimin të procedimit penal, Prokuroria i ka kërkuar gjykatës lejimin e përgjimit të numrave telefonikë të disa prej personave të dyshuar. Një ndër ta ka qenë edhe biznesmeni Iliaz Fisheku, për të cilin në përfundim të hetimeve u firmos edhe urdhër arresti.
Organi i akuzës ka mundur të përgjojë disa nga komunikimet telefonike të biznesmenit me disa prej shoferëve, përpara se ata të paraqiteshin për t’u pyetur nga prokurorët e Tiranës. Referuar përmbajtjes së bisedave të përgjuara, biznesmeni Fisheku u kërkon shoferëve që të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të thonë të njëjtat gjëra përpara prokurorëve. Po në bisedat e siguruara nga bisedat e përgjuara me metodat speciale të hetimit, Fisheku instrukton djalin e tij, biznesmenin Martin Fisheku, të mësonte shoferët që përpara prokurorëve të përmendnin vetëm Ballshin dhe Vlorën. Gjithashtu, sipas telefonatave të përgjuara, shoferët duhet të pohonin para prokurorëve që njihnin vetëm Bledar Ramën, i cili i kishte kontraktuar për transportin, dhe askënd tjetër. “Deklaroj me bindje të plotë se faturat janë firmosur nga ana ime. Kjo faturë tregon transportin e ‘virgin naftës’ nga ana ime për në Portin e Vlorës, brenda ditës, nga Ballshi në Vlorë”, thuhej në deklarimin e njërit prej shoferëve gjatë pyetjes në Prokurori. Ndërkohë, nga ana e organit të akuzës, përveç thënieve të shoferëve, mungojnë të dhënat e tjera që të provojnë vërtetësinë e tyre.
LETËR-POROSITË
Në vijimin e dyshimeve për eksportin fiktiv të naftës “virgin”, Prokuroria ka nisur letër-porosi drejt shteteve të paracaktuara për eksportimin e saj. Bëhet e ditur se edhe në përgjigjet e ardhura nga Greqia dhe Turqia është pohuar të ketë diferenca mes sasisë së naftës nga të dhënat e një vendi nga tjetri. Mësohet se sipas një shkrese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, si dhe nga dokumentacioni që ndodhet pranë Degës së Doganave Vlorë, ka rezultuar të jenë kryer vetëm 24 praktika doganore, që kanë të bëjnë me “virgin naftën” për periudhën janar 2007 – janar 2010. Ndërkohë, sipas Drejtorisë së Hetimit pranë DPD, bëhet me dije se nga përgjigja e autoriteteve doganore të Turqisë dhe Greqisë rezulton të ketë diferenca të sasisë së deklaruar për eksport në Shqipëri me sasinë e deklaruar për tranzit në Greqi, si dhe me sasinë e deklaruar në Turqi.

Prokuroria sekuestroi dokumentet

Prokuroria e Tiranës ka kryer një sërë hetimesh me anë të Njësisë Task Force Antikorrupsion në lidhje me kontrabandën e naftës virgin. Hetuesit kanë kryer verifikime të dokumenteve në portet e Durrësit dhe të Vlorës, si dhe në pika të tjera doganore. Po kështu, Prokuroria ka bërë këqyrjen e dokumenteve në kompanitë e dyshuara për kontrabandimin e naftës. Për të gjetur nëse ishte kryer kontrabandë apo jo, Prokuroria mori dokumentet e daljes së naftës nga ARMO-ja dhe më pas verifikoi shkresat e kompanive që kishin blerë lëndën në fjalë. Sipas Prokurorisë, sasia e naftës së marrë prej këtyre kompanive tek ARMO-ja nuk është përputhur me naftën, e cila de fakto ka kaluar në potin e Vlorës për t’u nxjerrë jashtë vendit. Nisur nga ky fakt, Prokuroria ka verifikuar më pas se një sasi e konsiderueshme nafte, rreth 17 mijë tonë, nuk ka kaluar në portin e Vlorës, por pasi është marrë në Fier, është rishpërndarë në pikat e karburanteve të ndryshme brenda vendit.

Shalsi: Tregtia e naftës, nga njerëz të kryeministrit

TIRANE – Partia Socialiste ka akuzuar dje kryeministrin në lidhje me tregtinë e paligjshme të naftës “virgin”, për të cilën u arrestuan 13 persona. Deputeti Eduart Shalsi ka pohuar dje nga selia rozë se ishte e qartë për një pjesë të shqiptarëve, dhe tashmë është e qartë për të gjithë se nafta shqiptare ka rënë në duart e një bande që ka këmbët, duart dhe kokën në oborrin e regjimit të kusarisë. Shalsi tha se “Fajin e ka Saliu. Saliu dhe njerëzit shumë afër tij, që rrjepin përmes kësaj bande çdo vit 80 milionë euro”. Sipas deputetit të PS-së, kjo është një tregti e paralajmëruar prej kohësh si një biznes i paligjshëm dhe me përfitime të majme në kurriz të shqiptarëve. Ai u shpreh më tej se nuk duhet harruar fakti se në pranga kanë rënë hajdutët që ekzekutonin grabitjen e naftës, ndërsa kusarët e vërtetë që hapnin shtigjet me policë dhe me xhandarë taksash dhe tatimesh, janë në qeveri e në Parlament.

Akuza: Hetimet, të përfunduara

Pjesa më e madhe e veprimeve hetimore të Prokurorisë në lidhje me kontrabandën e naftës janë kryer. Burime nga organi i akuzës kanë pohuar dje se Prokuroria do të vazhdojë edhe për pak javë veprimet hetimore dhe nëse nuk ka elementë apo prova të reja, dosja do të dorëzohet në gjykatë. Sipas Prokurorisë, grupi i hetimit është në pritje të letër-porosive të dërguara në shtetet e huaja, ku duhej të dërgohej nafta për përpunim, ndërsa pas arrestimit të 13 personave pritet t’i marrë ata në pyetje si të pandehur. Këto duket se janë veprimet kryesore hetimore që kanë mbetur për t’u realizuar nga organi i akuzës.

Pergjimet

TELEFONATA I
Gjatë komunikimeve në datën 26.01.2011 me poseduesin e telefonit celular me nr. 06825xxxxx, shtetasin Fadil Abdurrahmani (shofer) dhe në datën 31.01.2011, shtetasi Iljaz Fisheku i thotë: “…fol me Martinin, Flamurin, Gencin, Bakun. Ça kanë thënë këta, thuj edhe ti…”.

TELEFONATA II
Gjatë bisedës telefonike të këtij shtetasi me poseduesin e telefonit celular me nr. 06822xxxxx, shtetasin Gazmend Serjani, ai thotë: “… mirë, takohu me Bakun dhe Flamur Merken. Ça kanë thënë ata, thuaj dhe ti… të vulosur, të peshuar në kandar dhe asgjë tjetër…”.

TELEFONATA III
Gjatë bisedës telefonike të datës 31.01.2011 me shtetasin Genci Prençe, shtetasi Iljaz Fisheku thotë: “…po lëre ça ka ai. Ti nga goja jote thuaj nuk njoh njeri. Mos kallzo më tutje, kupton… O po do takuar o lumëmadh, duhen mësuar se s’bën sonte ata në çdo orë…”

TELEFONATA IV
Gjatë bisedës telefonike të datës 01.02.20011 me shtetasin Martin Fisheku, shtetasi Iljaz Fisheku thotë:
“…Iljazi: Fol me Gencin, fol me këta dhe më kthe përgjigje;
Martini: Ladin dhe Reshatin i kam këtu;
Iliazi:  E, takoji ata, thuj siç ka thënë Flamuri. Ballsh, atje vulosu. Nuk njofim, vetëm Bledin njofim, nuk njofim njeri tjetër, kuptove?;
Martini: Në emër të kujt është makina?;
Iljazi: Ore, makinën le ta thonë ata makinën. Jo Golem asnjëherë;
Martini: E di, e di;
Iljazi: Vetëm Ballsh, Vlorë.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura