Do të jetë një rikthim në ekran, që do të pritet me kuriozitet nga publiku, nëse Xhemi Shehu ka ndryshuar linja ose jo pas sjelljes në jetë të djalit të saj, Martin. Por, po ashtu pas heqjes dorë të Adi Krastës, pas tri vitesh nga prezantimi i programit të të dielave “E diell”, është lajm që Xhemi Shehu do të vazhdojë të jetë prezantuese e parë e këtij emisioni. Mbi pesë orë transmetim, që u takon shumë targeteve, duke filluar nga fëmijët, për të cilët ky program ka pasur në minutazhin e tij një rubrikë të caktuar. Deri tani nga burime të “Top Channel” është konfirmuar se Xhemi Shehu do të vazhdojë të jetë prezantuese e sezonit të ri “E Diell”, emisioni që edhe këtë vit i është besuar çiftit kosovar Armend Rexhepagiq dhe Aida Baraku. Ndërkohë që pas largimit të Adi Krastës, i cili deri në janar do të prezantojë vetëm reality show-n “100 milionë”, ende nuk është konfirmuar nëse Alban Dudushi (prej shtatë vitesh moderon “Top Show”-n do të zëvendësojë Krastën për të marrë përsipër sezonin e ri të këtij emisioni, apo nëse ndonjë emër tjetër do të publikohet papritur. Sipas burimeve tona, ende nuk është firmosur një kontratë e Alban Dudushit me drejtuesit e TCH, edhe pse kanë mbetur pak ditë nga fillimi i sezonit të ri. Po ashtu po diskutohen detajet e formatit të realizuar nga çifti i autorëve kosovarë, të cilët e kanë konceptuar të dielën në “Top Channel” si një studio me shumë të ftuar nga Shqipëria e Kosova, në praninë e shumë prezantueseve femra, të cilat ishin Albana Osmani, motrat Marina e Luana Vjollca dhe Diellza Kolgeci. Ndërkohë që Xhemi ishte prezantuesja primare në krah të Adi Krastës, e cila është pëlqyer mjaft nga publiku për natyrën e saj origjinale të prezantimit. Shumë shpejt u kthye në imazh familjar të të dielave, në një përshtatje interesante me Krastën. Prezantuesja 27-vjeçare u largua nga ekrani vetëm në muajin e fundit të shtatzënisë, ndërkohë që dhe sezoni i fundit “E diell” ishte drejt mbylljes. Për javët e fundit të prezantimit, ajo nuk u zëvendësua nga ndonjë prezantuese tjetër dhe Adi Krasta vazhdoi ta drejtojë i vetëm këtë program, që thyen rekordin e kohëzgjatjes televizive në formatet shqiptare, ashtu si “E Diela shqiptare” në “Tv Klan”.











