Sekretari Ligjor në PS, Fatmir Xhafaj, tha dje se Edi Rama është kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës.”Në dijeninë time, zoti Rama do të jetë kandidati i Tiranës. Në Tiranë kemi pasur një proces më se demokratik. Ka pasur dhe kandidatura të tjera që janë propozuar. Pavarësisht nga mendimet personale rreth rikandidimit ose jo të zotit Rama, në shumicë, socialistët e Tiranës kërkojnë rikandidimin e tij. Me ç’duket ata kanë një arsye më shumë se sa Bashkia e Tiranës, faktin që me këto zgjedhje, Sali Berisha duhet të marrë një leksion të ri nga vota e popullit dhe në Tiranë. Ky është gjykimi i tyre. Ata kanë të drejtën të propozojnë, zoti Rama ka të drejtën ta pranojë, ose jo këtë propozim, kjo mbetet përtej konsideratave tona personale”, u shpreh Xhafaj dje për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në NEWS 24. Sekretari socialist pohoi zhvillimin periodik të sondazheve nga ana e selisë rozë për kandidatët e Tiranës. “Janë bërë disa sondazhe, ku kandidatët e propozuar nga socialistët, si zoti Majko, Klosi, Bare dhe Shalsi figuronin nga 9-12 pikë më lart se kandidati i PD-së”, u shpreh Xhafaj. Sipas tij, në PS është arritur një konsensus i plotë lidhur me kandidaturat e propozuara nga asambletë socialiste. “Në 80 % të komunave dhe bashkive, kemi bërë një proces konsensual, kur dhe pse ka pasur disa kandidatë, njëri prej tyre është pranuar në mënyrë konsensuale dhe nga kandidatët e tjerë”, u shpreh Xhafaj. Por, sekretari socialist tregoi dje dhe dobësi dhe mangësi të Kodit Zgjedhor, sa i takon Bashkisë së Tiranës. “Regjistrimi i kandidatit të Tiranës është brenda datës 28 mars, se ku do të regjistrohet, as unë nuk e di. Kodi Zgjedhor ka vakum dhe nuk shpjegon se ku do të regjistrohet kandidati për Bashkinë e Tiranës. Sot ka boshllëk në Kod. Përcaktohet se ku regjistrohen kandidatët e minibashkive, bashkive të tjera dhe komunave, ndërsa për kryetarin e Tiranës nuk përcaktohet. Tirana nuk ka një KZAZ të sajën. Në 28 mars në kushte normale, ne nuk e dimë se ku do ta çojmë emrin e kandidatit tonë për bashkinë. Natyrisht që do të ketë një kandidat, por nuk dimë se ku do të çojmë dokumentat e tij të regjistrimit. Ne nuk kemi ku të regjistrojmë kandidatin tonë me këtë Kod”, u shpreh Xhafaj.
Duke folur për kushtet që kërkon opozita për të garantuar votën në zgjedhjet e 8 majit, sekretari socialist u shpreh se nëse ato do të mungojnë, do të kemi një rikthim të situatës së 1996. “Kur qeveria të thotë se nuk do të ketë garanci për këto zgjedhje, atëherë do të jenë forumet e PS-së që do të vendosin se ç’qëndrim do të mbajë forca jonë dhe opozita. Ne kemi vullnetin dhe jemi të vendosur të hyjmë në një proces zgjedhor me rregulla loje. Nëse nuk do të ketë rregulla loje, ne s’do lejojmë Sali Berishën të fusë duart në zgjedhje dhe t’i fitojë ato në tavolinë. Këto kushte janë minimumi i kushteve për garancitë e zgjedhjeve. Tani nuk flitet të kemi zgjedhje me standarde. Kjo gjë ka marrë fund. Nëse këto kushte dhe këto garanci nuk merren, atëherë në 8 maj, nuk do të flitet për zgjedhje të 2011, por për zgjedhje dhe standarde të 1996. Ne në këto kushte infrastrukture të zgjedhjeve, vëmë në dyshim pjesëmarrjen tonë. Le të presim dhe këtu do të jemi se ç’do ndodhë”, u shpreh Xhafaj.











