Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj tregoi dje formulën e re të KQZ-së që socialistët kërkojnë. I pyetur për “Panorama”, Xhafaj tha se konfigurimi i KQZ-së duhet të bazohet tek përbërja aktuale e Parlamentit. “KZAZ-të duhet të formatohen me 2 PD-ja, 2 PS-ja, 1 PBDNJ-ja, 1 LSI-ja dhe i shtati i zgjedhur me mirëkuptimin e palëve. I tillë duhet të jetë dhe formatimi i KQZ-së, i cili duhet të konfigurohej sipas përbërjes së Parlamentit. Edhe kjo do të mjaftonte për të sjellë këtë komision në parametrat e ligjit. Kështu, siç është ky institucion nuk është në parametrat e ligjit”, u shpreh Xhafaj. Sekretari socialist akuzoi maxhorancën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po përgatisin një manipulim të ri të zgjedhjeve përmes regjistrave të votuesve. “Zgjedhjet janë realisht të rrezikuara, sepse siç tregojnë hapat e ndërmarra nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Gjendjes Civile e zotit Poni dhe nga KQZ-ja e zoti Ristani, po përgatiten për të zhvilluar një farsë elektorale në procesin e zgjedhjeve të ardhshme që në thelb do të ketë manipulimin e zgjedhjeve përmes listës së zgjedhësve, identifikimit të zgjedhësve dhe vendimmarrjes arbitrare të njëanshme politike të KQZ-së”, u shpreh Xhafaj. Në këto kushte, për sekretarin socialist duhet të ketë një vendim nga ana e PS-së që të mos bëhet pjesë e kësaj farse sipas tij. “PS-ja, në gjykimin tim personal, do të duhet të marrë një vendim shumë shpejt. Nëse qeveria, PD-ja, vazhdon të tregojë këto shenja që ka nisur për një farsë të re elektorale, të një procesi të manipuluar, PS-ja nuk duhet të ketë frikë për ta demotivuar në pjesëmarrjen e zgjedhësve këtë proces zgjedhor, në të gjitha mënyrat e mundshme demokratike. Nuk mund të shkojë PS-ja në një proces zgjedhor, fundi dhe rezultati i të cilit dihet”, u shpreh Xhafaj.











