Wolfarth: Bisedimet për reformën në Kodin Zgjedhor të nisin pas 8 majit

Mar 30, 2011 | 10:08

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, pjesëmarrës në tryezën e partive parlamentare, tha se kjo tryezë është pika më e rëndësishme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, pasi kjo shpreh vullnetin e mirë mes partive, por pika kyçe, sipas tij, mbetet konkurrenca e drejtë mes partive politike në zgjedhjet vendore të 8 Majit. “Vihet re një vullnet i mirë që pritet nga partitë politike. Të qenit të pranishëm këtu, nëse do pranonit shprehjen e vullnetit të mirë, do ishte plotësisht nën rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, gjithashtu, por vetëm vullneti i mirë gjithashtu nuk është faza përfundimtare e zgjedhjeve”, u shpreh Worfarth. Ambasadori i OSBE-së theksoi se në tryezën e sotme u vunë re shumë probleme që i takojnë zgjedhjeve të kaluara, duke këshilluar që këto probleme të zgjidhen në kohën e duhur. “Një konkurrencë e drejtë dhe angazhimi për një konkurrencë të drejtë është pika nga ku do të fillojmë. Shoh që këtu adresohen probleme që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe me këto duhet të merremi në kohën e duhur. Ju takon juve që të identifikoni se çfarë duhet bërë para ditës së zgjedhjeve, 8 Majit. Megjithatë, pjesa më e madhe që unë pres dhe shpresoj të fillojë së shpejti, janë bisedimet për reformën e Kodit Zgjedhor menjëherë ose shumë shpejt pas ditës së zgjedhjeve”, tha Wollfarth. Për ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, rëndësi vendimtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme luan rol dhe shteti i së drejtës. “Shteti i së drejtës është tejet i rëndësishëm; ai do të krijojë besim jo vetëm mes partive, por gjithashtu edhe midis partive dhe qytetarëve, dhe gjithashtu edhe mes vetë qytetarëve. Kështu që, më vjen shumë mirë që z. Ruçi, z. Patozi dhe të tjerë e përdorën këtë fjalë, meqenëse ajo është shumë e rëndësishme në këtë kontekst, por unë gjithashtu do të doja që të fokusohesha edhe te një fjalë që duhet të minimizohet në të ardhmen: mosndëshkueshmëria”, u shpreh Worfarth.

© Panorama.al

Te lidhura