Waldner: Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat

Nov 10, 2011 | 18:02

TIRANE- Sekretari i Shtetit në ministrinë e Puneve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner, gjatë një konference të përbashkët me zv.kryeministrin dhe ministrin e jashtëm, Edmond Haxhinasto tha se reformat e nisura nga Shqipëria duhet të vazhdojnë, në mënyrë që të arrihet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.

“Austria është një mike tradicionale e Shqipërisë, dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë. Për miqtë tanë shqiptarë dhënia e statusit kandidat ka të bëjë vetëm me përparimin në reforma dhe arritjen  e një konsensusi kombëtar mes forcave politike”- tha Waldner.

Ashtu si edhe Haxhinasto, Waldner tha se Austria është investitori i tretë më i madh në Shqipëri, ndërsa shtoi se, marrëdhëniet do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej në të ardhmen.

“Biznesi do të vazhdojë të qëndrojë edhe në të ardhmen në Shqipëri. Politika austriake do t’ju shoqërojë në rrugën drejt BE-së.”- tha ai.

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto tha se gjatë takimit me Waldner u diskutuan për marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve si dhe për intensifikimin e tyre në të ardhmen.

© Panorama.al

Te lidhura