Lëvizja Vetëvendosje njofton se siç ka raportuar edhe më parë, protesta e sotme është protestë paqësore është në mbrojtje të Republikës dhe për prodhimin vendor.
“Lëvizja Vetëvendosje po e ushtron të drejtën e vet për protestë paqësore sepse protesta jonë është e arsyeshme, e drejtë dhe e dobishme. Për më tepër, protesta paqësore e demokratizon Republikën e demokracia e mbron Republikën. Kjo po dëshmohet edhe nga pjesëmarrja më masive e protestuesve në ditën e sotme”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Pavarësisht thirrjeve të shumta që VV u ka bërë Policisë së Kosovës që të mos i bllokojë protestuesit, ata, sipas VV-së, “kanë ndaluar dhe kanë kontrolluar shumë qytetarë që kanë marrë rrugën për në Merdare dhe në Dhe të Bardhë”.
“Po ashtu, janë ndaluar dhe kthyer për në Morinë dy autobusë me aktivistë e mbështetës nga Shqipëria me pretekstin se vozitësit e autobusëve nuk kanë certifikatë mjekësore. Me këtë rast janë arrestuar tre (3) persona: Elvis Hoxha, Boiken Abazi dhe Ermir Harulla”, thuhet në njoftim.
Vetëvendosje, nëpërmjet kësaj komunikate, i bën thirrje policisë që të mos i bllokojë protestuesit dhe protestën paqësore në mbrojtje të Republikës. /Zëri/
© Panorama.al











