Vritet gjatë grabitjes 86-vjeçarja

Nov 1, 2011 | 12:20
Viktima, Emine Rota

Një 86-vjeçare nga fshati Poloskë i rrethit të Devollit ka mbetur e vrarë gjatë grabitjes që i është bërë në banesën e saj nga 3 të rinj. Emine Rota ka humbur jetën mbrëmjen e së dielës pasi ishte goditur me mjete të forta nga grabitësit të cilët kishin hyrë për të vjedhur. Policia tha se 3 autorët e ngjarjes, të identifikuar si Ergys Rushitaj, 18 vjeç, M.K., 17 vjeç dhe 19-vjeçari Taulant Muka kanë hyrë gjatë orëve të vona të mbrëmjes në banesën e të moshuarës për të vjedhur, dhe në momentin që janë parë prej saj e kanë goditur me mjete të forta, duke i shkaktuar vdekjen. Pasi kanë arritur t’i marrin një sasi lekësh, mësohet se autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë trupin e pajetë të viktimës në korridorin e banesës. E moshuara nuk kishte fëmijë dhe jetonte prej dy vitesh në banesën e nipit të saj, i cili jetonte në emigracion, ndërsa shtëpia e gruas ishte shembur nga amortizimi. Kanë qenë fqinjët ata të cilët kanë konstatuar trupin e pajetë të gruas dhe më tej kanë sinjalizuar policinë. Enverie Fifo, fqinja e cila e ka gjetur të pajetë, tregon se është shqetësuar fillimisht nga fakti se e moshuara nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të saj. “Duke qenë të dyja të moshuara, thuajse zgjoheshim në të njëjtën orë në mëngjes dhe shpesh dilnim te dera e shtëpisë për të shkëmbyer ndonjë fjalë”, tregon Enveria. “Unë u çudita kur nuk e pashë atë ditë dhe shkova i thirra. U shqetësova se nuk po më përgjigjej dhe thirra mbesën, pasi dyshova se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë edhe për shkak të moshës. Më ra në sy edhe fakti se dera e korridorit ishte e hapur, kurse teteja, si i thërrisnim ne, nuk dukej askund. Kur hymë e pamë të shtrirë në korridor dhe menjëherë thirrëm njerëzit që të lajmëronin spitalin dhe policinë”.
Burime të Policisë bëjnë me dije se kjo është grabitja e dytë brenda dy muajsh për të moshuarën. Sipas pistës së Policisë mendohet se grabitja është ideuar nga 18-vjeçari Rushitaj, i cili kishte të afërm në këtë fshat dhe duke njohur faktin se e moshuara ishte e vetmuar ka menduar për ta grabitur gjatë orëve të natës. Nga hetimet ka rezultuar se të rinjtë nga fshati Hoçisht i rrethit të Devollit kanë arritur të marrin një sasi të papërcaktuar lekësh, të cilat e moshuara i ruante në banesë.
Tre të rinjtë, pasi kanë pranuar autorësinë e krimit, më tej kanë treguar në vendngjarje mënyrën sesi kanë hyrë në banesë për të vjedhur, por edhe detaje të tjera rreth ngjarjes. Nga vetë pohimet e marra në skenën e krimit mësohet se 18-vjeçari Ergys Rushitaj, fillimisht ka kaluar kangjellat e mureve rrethues të banesës dhe më tej u ka hapur derën dy shokëve të tij. Ata kanë hyrë në brendësi të banesës dhe i janë drejtuar një sënduku ku e moshuara ruante kursimet e saj. Pasi ka dëgjuar zhurmat, 86-vjeçarja ka dalë për të parë se kush ishte, ndërsa 3 të rinjtë e kanë goditur atë me mjete të forta, duke i shkaktuar vdekjen. Pasi kanë marrë një sasi lekësh në sënduk, dyshohet se të rinjtë mund të kenë marrë edhe një shumë të vogël të cilën e moshuara e ruante në gjoks dhe më tej ata janë larguar duke e lënë trupin e pajetë të viktimës në banesë.

Drejtori i Policisë: Zbulimi nga gjurmët e gishtave
Kanë qenë shenjat e gishtave të njërit prej autorëve të gjetura në vendngjarje ato që kanë çuar policinë drejt zbardhjes së krimit dhe arrestimit të autorëve. Pas këqyrjes të skenës së krimit dhe shenjave të marra atje, njëri prej personave, të skeduar në Policinë e Korçës për veprën penale të vjedhjes, ka rezultuar edhe një prej 3 të rinjve të cilët kryen vrasjen. Drejtori i Policisë së Korçës, Bernard Çaushaj, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se Ergys Rushitaj ishte person me precedentë të mëparshëm për vjedhje. Pikërisht verifikimi i gjurmëve të lëna prej tij zbardhi dhe ngjarjen e rëndë të Devollit.

DEVOLL/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura