Viktimat 17, 15 dhe 12 vjeç i përplasi një fuoristradë
Dy fëmijë 12 dhe 15 vjeç dhe një adoleshent 17-vjeçar mbetën të vdekur, pasi u përplasën në rrethana ende të paqarta nga një fuoristradë. Ngjarja e rëndë ndodhi në hyrje të Fierit, në vendin e quajtur “Rrepët”, kur mjeti me targa AA 810 CI përplasi për vdekje 17-vjeçarin G. Shkrela, banues në fshatin Zhupan të Fierit. Dyshohet se viktima në momentin e ngjarjes që ndodhi rreth orës 22:30, po drejtonte një motoçikletë. Po ashtu, rreth 15-20 metra larg vendit ku ndodhi aksidenti, janë gjetur edhe dy fëmijë, A. Kola 15 vjeç, i cili kishte gjetur vdekjen dhe A. Malaj, 12 vjeç, banues në fshatin Drizë, i cili ishte plagosur rëndë. Sipas Policisë, 12-vjeçari Malaj dhe 17-vjeçari Shkrela kanë gjetur vdekjen në spital vetëm disa minuta pas mbërritjes. Autori që shkaktoi aksidentin e rëndë është larguar nga vendi i ngjarjes, por Policia ka arritur ta arrestojë atë rreth orës 01:00. Ai nuk ka pranuar të sqarojë rrethanat, por paraprakisht Policia e Fierit ka rindërtuar skenën e ngjarjes. Dyshohet se fillimisht fuoristrada që ka qenë me shpejtësi të madhe, ka përplasur motoçikletën në të cilën udhëtonte adoleshenti. Në tentativë për t’u larguar me shpejtësi, ai ka përplasur edhe dy fëmijët që po ktheheshin në banesën e tyre në fshatin Drizë. As pas aksidentit të dytë, autori, shtetasi Fation Habilaj, 22 vjeç nga Fieri, nuk është ndaluar. Tronditja nga dy ngjarjet e rënda ka bërë që ai të përplaset vetëm disa minuta më pas me një pemë. Në këtë moment, ngjarja është vënë re nga një roje që sinjalizoi policinë. Fillimisht ngjarja u raportua si një përplasje pa viktima. Policia mbërriti në vend dhe konstatoi pemën që kishte goditur mjeti, por më pas drejtuesi i saj ishte larguar bashkë me fuoristradën. Ngjarja është zbuluar kur blutë kanë dëgjuar pak metra më tej thirrjet për ndihmë të 17-vjeçarit. Ata e kanë marrë me shpejtësi viktimën dhe e kanë dërguar në spital. Por verifikimi në vend i grupit të hetimit, si dhe hedhja disa metra më tej e motorit, zbuloi përmasat e ngjarjes. Policia dëgjoi rënkimet e fëmijës disa metra më larg dhe gjeti aty 12-vjeçarin në gjendje të rëndë, ndërsa një tjetër fëmijë kishte vdekur. Me gjithë tentativën për ta çuar me urgjencë në spital, i mituri ndërroi jetë disa minuta më pas. Policia e Fierit nisi kërkimet për autorin. Në bazë të përshkrimeve të rojës që sinjalizoi, blutë identifikuan mjetin dhe e gjetën atë të braktisur pas një pike karburanti. Më pas u krye edhe arrestimi i 22-vjeçarit për veprat penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, “largim nga vendi i aksidentit”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “drejtim i mjetit pa leje drejtimi”. Familjarët e dy fëmijëve kanë deklaruar në polici se ata kishin dalë si çdo natë për të luajtur bilardo.
I rrëshqet në akull motori, rëndë 27-vjeçari
TIRANE – Një 27-vjeçar është aksidentuar duke mbetur i plagosur rëndë në qendër të Tiranës, teksa lëvizte me motor, përgjatë rrugës “Hoxha Tahsim”. Shkak i aksidentit, sipas policisë, ka qenë prezenca e akullit në rrugë. Një sipërfaqe e madhe e rrugës, nga sheshi “Avni Rustemi” dhe përgjatë rrugës “Hoxha Tahsim”, ku lëvizte me motor Sali Hajdari, ka qenë e ngrirë dhe për pasojë ai e ka humbur drejtimin e motorit tip “Yamaha” dhe është përplasur me një furgon. Aksidenti ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit, kur Hajdari ka rrëshqitur për rreth 10 metra me motor dhe është përplasur me furgonin me targa BR 3250 B, që drejtohej nga Lulzim Mehmeti. Sipas burimeve nga policia ngjarja ka ndodhur gjatë manovrës së parakalimit që po tentonte të kryente me motor 27-vjeçari dhe për pasojë është rrëzuar si pasojë e akullit në rrugë që ka spostuar motorin në anën e majtë. I riu është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën edhe pse gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











