
Një adoleshent, i cili ishte lënë nga gjykata në arrest shtëpie, pas akuzës për vjedhje, vret me kaçavidë rojën e shkollës së mesme të fshatit Mollas.Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme në oborrin e shkollës “Osman Gjini”, në fshatin që ndodhet 35 km nga qyteti i Elbasanit. Viktima është shtetasi 49-vjeçar Adriatik Gjini, ndërsa autori E.C., 17 vjeç, i cili u arrestua mbrëmë rreth orës 22:30. Zanafilla e vrasjes ka qenë në fakt një sherr mes disa të rinjve në oborrin e shkollës. Pas grindjes, ata janë shpërndarë, por nuk ka ndodhur kështu me adoleshentin, i cili kishte qenë më parë nxënës i shkollës së mesme. Ai ka tentuar të futet në shkollë, por roja i cili mësohet se e kishte ditën e parë të tij të punës, nuk e ka lejuar. I armatosur me një kaçavidë në dorë, 17-vjeçari e ka qëlluar atë disa herë me mjetin e mprehtë. Plagët në trup ishin të rënda dhe megjithë dërgimin në spital, Gjini nuk ka mundur të shpëtojë. Ngjarja ka ndodhur në sy të dhjetëra fëmijëve e gjimnazistëve, pasi në shkollë bënin mësim si nxënës të shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila nuk ka arritur të kapë në vend adoleshentin vrasës, që ishte larguar me shpejtësi sapo kreu ekzekutimin. Mësohet nga burime të policisë se autori i vrasjes ishte arrestuar pak kohë më parë nga policia me akuzën e vjedhjes, pas zbulimit nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Por, më vonë, gjykata kishte ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij, nga arresti me burg në arrest shtëpie. I arrestuari tashmë për vrasje ishte përjashtuar si nxënës nga shkolla “Osman Gjini” muaj më parë me vendim të drejtorisë, për shkak të sjelljeve të dhunshme me nxënësit e tjerë dhe problemeve që krijoheshin në shkollë. Ndërkaq, policia e Elbasanit bën të ditur se është duke kryer të gjitha veprimet procedurale, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes, nga e cila policia mësohet se ka sekuestruar mjetin rrethanor kaçavidë, me të cilën është kryer edhe vrasja. Ai është banor i zonës, çka do të thotë se është njohës i mirë i fshatit dhe rrethinave të tij. Policia ka shoqëruar në ambientet e saj disa nxënës, ku në prani të mësuesve apo psikologut i ka marrë ata në pyetje, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë që ndodhi brenda territorit të një shkolle të mesme të përgjithshme.
Zona ku ndodhi ngjarja, patrullë me 6 policë
Zona ku ndodhi ngjarja është në monitorimin e rajonit të policisë Cërrik, i cili përbëhet nga një numër prej 6 efektivash policie. Këta të fundit duhet të garantojnë rendin në qytezën e Cërrikut me afro 20 mijë banorë dhe dhjetëra fshatra përreth që kanë afërsisht rreth 75 mijë banorë, pa harruar këtu dhe shkollat, në njërën prej të cilave ndodhi dhe krimi i djeshëm.
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
© Panorama.al











