Vrau të dashurin e motrës në Londër, ekstradohet autori

Mar 16, 2011 | 11:09

TIRANE – Ekstradohet nga Kosova pas arrestimit atje, një shqiptar i dënuar me 14 vjet burg për vrasjen e një shtetasi anglez. Ngjarja për të cilën akuzohet i ekstraduar, ka ndodhur 5 vjet më parë në Londër. Gerald Mitre, i njohur edhe me emrin Aldo Aliaj, u kthye dje në Shqipëri nga Interpoli, nëpërmjet vendkalimit kufitar të Morinës, për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Durrësit, pas transferimit të çështjes nga Britania e Madhe. Ngjarja për të cilën akuzohet 28-vjeçari Mitre, ka ndodhur më 2 janar të vitit 2006, në Londër. I dënuari, në atë kohë emigrant në Angli, ka gjetur shtetasin britanik, Aaron Stokes, duke kryer marrëdhënie intime më motrën e tij, Renata Mitre. Kaq ka mjaftuar dhe emigranti shqiptar, në atë kohë 23 vjeç, ka goditur me thikë në zemër 24-vjeçarin, Aaron Stokes, i cili ka ndërruar jetë me të mbërritur në spital. Menjëherë pas ngjarjes, Mitre arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe u arratis drejt Kosovës, derisa u arrestua një vit më parë. Ndërsa motra e tij, pasi arriti të pastrojë gjurmët e të vëllait nga vendi i ngjarjes, lajmëroi policinë dhe bëri rreth një vit burg, duke u akuzuar ajo për vrasje, derisa policia angleze mundi të sigurojë prova të tjera dhe të identifikojë autorin e vërtetë të vrasjes. Gerald Mitre u rikthye sërish në Britaninë e Madhe në vitin 2007 në mënyrë ilegale, duke përdorur emrin e rremë, Aldo Aliaj. Por policia mundi të zbulonte disa gjurmë të tij dhe Mitre u largua sërish në drejtim të Kosovës. Në vitin 2008, pas sigurimit të provave të nevojshme, që vërtetonin plotësisht autorësinë e vrasjes, në Londër nisën seancat gjyqësore në ngarkim të Gerald Mitres dhe më pas çështja u transferua në Gjykatën e Durrësit, në vitin 2009. Drejt Shqipërisë udhëtuan edhe prindërit e viktimës, Aaron Stokes, të cilët ndoqën çdo seancë dhe dëshmuan edhe vetë për njohjet që kishin me vëllanë e motrën Mitre. Mbi provat e transferua nga Gjykata Britanike, drejtësia shqiptare dha vendimin në mungesë, më datë 14 tetor të vitit 2010, duke e dënuar Gerald Mitren me 14 vjet burg për “vrasje me dashje”. Vetëm disa muaj më pas, Mitre u arrestua nga UMNIK-u në Kosovë dhe u ekstradua dje nga Interpoli.                               e.d

© Panorama.al

Te lidhura