Vrau për një orë, 16 vjet burg të riut

Mar 30, 2011 | 9:56

SARANDE – Shpallet fajtor dhe dënohet me 16 vite burg Fatjon Çollaku, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Tonin Qendro. Ngjarja ka ndodhur në shtatorin e vitit të kaluar në qytezën e Ksamilit, ku pas një grindjeje mes tyre, Tonin Qendro nga Ksamili, ka mbetur i plagosur rëndë e më pas ka humbur jetën në spitalin e qytetit të Sarandës. Pas shtatë muajsh seancash gjyqësore, që nga shtatori i vitit të kaluar, ka përfunduar çështja penale në ngarkim të shtetasit Fatjon Çollaku, banor i qytetit të Elbasanit, me banim të përkohshëm në qytezën e Ksamilit.
Vetë i pandehuri, Fatjon Çollaku, pas pretencës së prokurorit, ka kërkuar dënim më të ulët, pasi veprën e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Gjykata e Sarandës, pasi shqyrtoi provat shkresore të dhëna nga prokuroria,pasi dëgjoi dëshmitarët dhe pasi e studioi çështjen në tërësi, vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Fatjon Çollaku për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” dhe dënimin e tij me 16 vite burg. Ngjarja ka ndodhur në 13 shtator të 2010 në orën 23.30, në qytezën e Ksamilit. Në spitalin e qytetit të Sarandës ka shkuar shtetasi Tonin Qendro i plagosur në gjendje të rëndë. Me gjithë ndihmën e parë mjekësore, ky shtetas nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë në mjediset e spitalit. Autori ka treguar se ngjarja ka ndodhur për motive banale. Grindja mes viktimës dhe autorit të krimit nisi në një lokal në afërsi të qendrës në Ksamil. Shkak është bërë ora në dorën e autorit, ku viktima i është drejtuar duke i thënë se ishte e tij, ndërsa është mohuar nga autori. Kjo ka shpurë në grindje me shishe birre për të përfunduar me përdorimin e thikës nga autori dhe me viktimën 32- vjeçar, Tonin Qendro, banor i qytezës së Ksamilit.        sh.d

© Panorama.al

Te lidhura